Jeta, loja dhe vrasjet e Jul Sinanit… dhe, çfarë mbetet për ne të tjerët

julian-sinani

Kur kureshtja ta ketë shuar pasionin e egër të dua ta di, kur vëmendja e popullit të jetë nginjur me raportimet fije-për-pe mbi serialin e vrasjeve dhe një vrasës me pagesë, të dyshuar, si Julian Sinani, ndoshta duhet hapur një diskutim. Më shumë se për vrasjet dhe kronikën e krimit, për plagën sociale, ose më saktë mjerimin social e hendekun etiko-moral ku mund të jemi zhytur.

Ose ndoshta duhet t’ia fillojmë që sot, kur të shumtët janë ende me sy mbi gazeta duke kërkuar misterin e një vrasësi, për ta bërë njëfarë miti urban, sado të përkohshëm e të përzishëm.

Çfarë thonë atëherë vrasjet, apo dhe tentativat për vrasje, me armë apo tritol, për gjendjen e shoqërisë shqiptare të këtyre kohëve? Për kapitalizmin apo tranzicionin tonë? Për fijet që na lidhin ne me njëri-tjetrin, me fitimin si garë apo konkurrencën e ndershme? A ka fije të botës së krimit që të shpien te politika, qoftë edhe ajo lokale? Dhe, mbi të gjitha, sa vlen jeta e një shqiptari: i pasur a i varfër qoftë; kriminel apo jo; zyrtar, biznesmen, afarist apo çfarëdo?

Duke e nisur nga fundi i zinxhirit të fakteve, që deri më tash është hedhur i rëndë e me zhurmë para syve e këmbëve tona, të bën përshtypje egërsia e panginjshme e botës së biznesit shqiptar. I pandehuri Sinani u kap, sipas policisë, pak para tentativës për vrasje të një biznesmeni nafte për të cilin ishte paguar nga një konkurrent i të piketuarit. Vini re se si konkurrenca e kapitalit, ideve, sipërmarrjes, thelbi i thelbit të kapitalizmit të njëmendtë, zëvendësohet me ‘heqjen qafe’ të konkurrentit. Nëse nuk fitohet në treg të hapur, triumfi vjen përmes grykës së pushkës.

Nëse jeta merret në Shqipëri, sa kushton? Në rastin e biznesmenit të naftës, bën me dije shtypi duke iu referuar burimeve policore, 150 mijë euro. Në rastin e ‘peshqve më të vegjël’ limfa e jetës nuk rrjedh më shumë se ajri i kondensuar i një apartamenti prej 60m2. Një njeri, përveç shpagimit që vjen nëpërmjet hakmarrjes, kushton sa një nga ato apartamentet e vogla dhomë e kuzhinë të komunizmit. Raportet mediatiko-policeske japin edhe një variant tjetër kompensimi të jetës, sërish në pasuri të paluajtshme: 1500 metra tokë. (Sikur të vorfnit njeri i nevojiten më shumë se 2?)

Jo vetëm kaq; sikur kaq të mos mjaftonte. Skema labirinth e qindra fijeve të botës së krimit ia merr këmbët edhe politikës…Politikë lokale, gjithsesi, mund të vijë kundërargumenti në formë shfajësimi, por ky nuk është ngushëllim. Skajeve të aulës së politikës qendrore i janë afruar së fundmi disa eksponentë të klanpolitikës lokale, dhe ata që ngjajnë sot si një bezdi e menaxhueshme mund edhe të shndërrohen në menaxherë të bezdisë kombëtare. Tritol, vetëm sa për të kërcënuar u tha, në makinën e Prefektit dhe në shtëpinë e një kandidati për deputet të PD, të një qarku të madh e të rëndësishëm të Shqipërisë, me gjasë porositur nga ish-zyrtarë të administratës lokale, të lidhur, po me gjasë, me eksponentë politikë në rang lokal apo kombëtar, mund të ngjajë si déjà vu e Palermos së viteve ’70, por po ndodh, aktualisht, në Vlorën dhe Tiranën e viteve 2010.

Zhurma e shpërthimit të tritolit, krismat e armëve, pellgjet e gjakut, dhe i gjithë terrori që i shoqëron, mund të jenë asgjë para asaj që fshihet poshtë tyre. Një mesazh i heshtur, si një dëshpërim i qetë, se shqiptari mund, ose është në rrugë e sipër, ta ketë humbur drejtpeshimin mes së mirës e së keqes. Mund të ketë filluar të relativizojë gjithçka, dhe nën peshën e kësaj gjendjeje të re emocionale, psikike e sociale, të fundoset. Në këtë pikë nuk dëgjohet e as bën përshtypje më asgjë. Aty, aq poshtë, nuk futet as tritoli.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s