Na duhet një sherif në qytet: radhën e ka z. Rama

CartoonCowboy-1024x796

Kryeministri Rama që në krye të herës pat shpallur territorin si kryefjalë të aksionit të tij politik. Rregullim territori me çdo kusht, në formën e prishjes së ndërtimeve pa leje, apo dhe atyre që e kishin një të tillë por, megjithatë hynin si çibanë në estetikën apo etikën e asaj që përftohet apo është interes publik. Kjo këmbë e parë e urës së sipërmarrjeve prishje-rregullim-derregullim erdh e takua me një të dytë, atë të reformës territoriale për të cilën mazhoranca po kërkon edhe dorën e opozitës. Nuk e ka marrë, dhe opozita ka ofruar për refuzimin e saj kushte që nuk janë aq idiote sa ai i dikurshmi i socialistëve ‘e japim Brukselin për Fierin’, por sërish pretekste mbeten. Megjithatë, edhe pse trupi i Shqipërisë vuan një zgjebe kronike që ka filluar që me ndërtimtarinë pa kriter të fillimviteve ’90, për të pritur më pas edhe një dorë bujare nga kryebashkiaku socialist i Tiranës sot kryeministër, Edi Rama; edhe pse shumë mund të pajtohen, përfshirë autorin e këtyre radhëve, se territori shqiptar e ka në fakt të tillë pamjen sa për ta quajtur ‘në emergjencë kombëtare’, siç ka bërë shefi i ekzekutivit, nuk është më ky alarmi me të cilin duhet të përballemi. Tashmë statusin e emergjencës kombëtare e meriton rendi dhe siguria, punët e brendshme domethënë. Në krye të tyre është një ministër i ri, i besuar i kryeministrit Rama, një politikan që e ka filluar me kreshendon e pasionit të punës së parë punën e drejtimit të punëve të brendshme, por puna nuk po i ndrin. Krimet, të të gjitha llojeve, janë bërë jo vetëm lajme të ditës por pothuajse janë kthyer në përditshmëri. Aq sa pritshmëritë për rendin janë kthyer kryengulthi: nuk pritet më një ditë pa vrasje. Krimi po bëhet natyrë e ditës shqiptare dhe ky ‘normalitet’ është i rrezikshëm dhe kërkon një reagim të fortë nga ana e qeverisë. Shkaqet e këtij amplifikimi të kriminalitetit mund të jenë disa, dhe shumë prej tyre ministri Tahiri i ka kërkuar t’i gjejë, gjatë të gjitha daljeve të tij televizive, në oborrin e së djeshmes, brenda sindromit ‘ma mbaj këtë kopil sa t’i them asaj kurvë’. Ose në një kapërcim që e nxjerr ministrin jashtë kostumit të vet, ai i ka strehuar vrasjet te një tjetër strofull e sigurt: natyra e shqiptarit apo problemet e bartura. Të gjitha janë nga pak, por kjo nuk e shpëton ministrin e ri socialist nga barra e rëndës e detyrës dhe sidomos nga kuptimi dhe detyrimi parësor i saj: ai është aty për të gjetur zgjidhjet dhe jo për të diagnostikuar. Përndryshe rotacioni do të ish i panevojshëm. Nuk jemi më në kohën e partisë, kur shoku komunist bën një autokritikë, falet nga kolektivi por i vë gjoksin vështirësive dhe ecën përpara. Në demokraci ka ballafaqim të përditshëm me opinionin publik dhe sidomos një institucion të shenjtëruar, që është dorëheqja. Edhe pse mund të mos jetë përgjegjësi e tij, megjithatë po ndodh në orën e tij. Atmosfera ka ardhur me një pigment të tillë sa e përditshmja i ngjan një guernike, por më shumë se pamja tragjike e ‘krim për kilometër katror’, gjeneron rrezik social përshtypja se dinamitvënësit, pritangrehësit, grabitësit e të jashtëligjshëm të tjerë, nuk kanë frikë nga shteti. Në këtë bravado të madhe të llojit wild west qyteti ka nevojë për një sherif. Nëse këtë nuk e bën dot Sajmir Tahiri me portretin e një politikani në rini, kryeministri Rama duhet të bëjë një lëvizje që të paktën e bën atë të duket si sherif.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s