Gjobat, ide e mirë; por shteti duhet të bëhet i fortë me të fortët

98737_1-e1389785749643

Një gjë të mirë e ka fushata e gjobave që ka nisur prej ditësh ministria e Brendshme. Jo vetëm fushata në vetvete, por edhe kushtëzimi pas saj: ai sipas të cilit nëse nuk paguan gjobat nuk mund të kalosh kufirin shqiptar. E vërtetë, është jopopuliste si fushatë, por mund të vendosë një gurthemeli në një psikozë të re që shkon kundër asaj të vjetrës, të ngulitur ndër shqiptarë: vjen një ditë që qeveria i fal gjobat, kundravajtjet, faturat e papaguara e të tjera. Ka ndodhur kështu me taksa, gjoba, detyrime të energjisë elektrike e me radhë. Ka ndodhur kryesisht në prag fushatash elektorale për të rritur spektrin e pëlqyeshmërisë dhe pellgun e votave. Është bërë kjo edhe për arsye të një prirjeje instinktive drejt “qylit”, atë që Krist Maloki e identifikon si ujku orientalndër shqiptarë. Aq mirë e mbërthyer në gozhdët e epigramit haja qenit, pija qenit edhe bjeri karadyzenit.

Fushatat e vjeljes së gjobave, pra dhe kushtëzimi që vjen me të, i jep fund kësaj teknologjie populiste që e zvjerdh edhe më vullnetin e shqiptarit për t’i parë kundravajtjet si të dëmshme;  gjithashtu i vë fre pritjes për atë herën e bekuar kur shteti do t’i falë gjobat. Amnisti të tilla, të vogla, hileqare, tekanjoze e elektorale janë të dëmshme.

Por, ndërkohë që e bëjnë një punë gjobat e policisë rrugorë prishin ca ekuilibra të tjerë. Si çdo gjë që ka të mirën, por edhe të keqen e vet. Jo masat administrative në vetvete, se sa tendenca për t’i parë ose urdhri i marrë për t’i normëzuar ato. Pra, një plan për të prerë x numër gjobash në ditë, siç media raporton se po ndodh. Kjo i detyron policët e qarkullimit të kthehen në gjuetarë tendenciozë shkeljesh dhe madje abuzues. Rrjedhimisht sjell edhe atë reaksion të fortë të publikut. Nëse zyrtarët shqiptarë janë skeptikë me median tradicionale, për të kapur dhe kuptuar këtë reagim popullor duhet t’i bëjnë një skanim medias sociale që është e pavarur nga grupet e interesit apo nga opozita. Gjobëmania që ka mbërthyer policinë rrugore dhe reagimet ndaj saj janë marinuar aq shumë sa janë kthyer në humor, në folk urban. Asgjë më shumë se një episod apo fenomen që kthehet në folk urban nuk e shpjegon gjendjen reale të gjërave. Humori është State of the Union i një vendi.

Përpjekja për të vënë rregull në qarkullimin rrugor, apo për të disiplinuar parkimet allasoj të shqiptarëve, ndërkohë që janë të lavdërueshme duhet të jenë të tilla gjithkund e për të gjithë. Të rrofshin gjobat në zgëqet e Porcelanit, nëse në Bllok apo rrugë të tjera kryesore parkimet dyshe e treshe vazhdojnë të jenë rregulli dhe jo përjashtimi. Nuk ka ndryshuar gjë nëmosbindjen (jo)civile të makinave të parave të dyshimta në raport me policinë dhe qytetarët. Të kërkosh përunjësinë e Opel Corsave përballë arrogancës gjithnjë në kas të X6-ave nuk ke ndryshuar gjendjen, por vetëm sa ke thelluar kontrastin. Arroganca, në qetësi, është edhe më e dukshme. Kështu që shtetit i duhet të bëhet i fortë me të fortët, dhe të dobëtit e të bindurit do ta marrin mesazhin pa marrë gjobën.

Jo se nuk është gjithaq i rëndësishëm edhe përmirësimi i ingranazheve të sistemit të prerjes, regjistrimit, vjeljes dhe pagimit të gjobave. Qytetari nuk mund të gjobitet dy herë: edhe në para edhe në kohë duke e sorollatur lart e poshtë e poshtë e lart, sa nga Posta në Polici e më pas në Doganë për të marrë nga secila informacione të ndryshme. Për të mos folur për gafat e trasha që në Ministri të Brendshme i etiketojnë si ‘gabime njerëzore’ kur një automjet që nuk e ka lënë kurrë Vlorën, ha gjobë në Berat.

Shteti i ngre dhe i përdor instrumentet e veta me seriozitet. Që të merret seriozisht. Për kundravajtës dhe barsaleta me policë ky vend nuk ka qenë kurrë në cektinë.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s