Zgjidhje kombëtare emergjente për Parkun Kombëtar të Valbonës

14629467

Nga Tirana mund të mbërrish në Valbonë për rreth katër orë me makinë. Duke udhëtuar sigurisht nëpër Rrugën e Kombit për të kapur Kukësin e më pas nëpërmjet Prizrenit e Gjakovës për t’u hedhur në Bajram Curr, nga ku mund të ngjitesh përpjetë Luginës së Valbonës në 21 kilometra rrugë. Nëpërmjet peizazhit që shtrihet në dy anët e saj, natyra e kapërcen atë që ne dimë për të poshtë nëpër qytete: koncepti që ne kemi për të në formën e ca pemëve, një parku apo një ligatine që quajmë lumë.

Valbona brenda kësaj bukurie e kthjelltësie ka megjithatë telashet e saj. Ka problemet e atyre që ikin diku tjetër e atyre që kthehen aty prej nga ku kanë ikur dikur; atyre që duan ta vizitojnë e atyre që u duhet t’i presin këta vizitorë; atyre që u duhet të ngrenë një biznes, apo atyre që u duhet ta qeverisin këtë istëm të dorës së Zotit. Të gjithë atyre bashkë, megjithatë u duhet, nën një fije të hollë balance, edhe ta ruajnë por edhe ta zhvillojnë Valbonën. Ta ruash do të thotë të jesh konservator me burimet e saj natyrore dhe me mjedisin, por gjithashtu ta bësh të aksesueshme që kjo bukuri t’u shpaloset edhe të tjerëve, vendas apo të huaj qofshin. Kjo do të thotë infrastrukturë: rrugë, hoteleri, energji elektrike apo mundësisht edhe elementë që duken si luks: pista skish, teleferikë, telefoni etj.

Rexh Byberi, kryetari i komunës së Margegajt, ku përfshihet Lugina e Valbonës me nëntë fshatrat e saj, sheh si emergjente për zhvillimin e zonës përfundimin e rrugës që lidh qytetin me Valbonën si dhe hartimin e një plani rregullues. Është shtruar rreth gjysma e segmentit Bajram Curr-Valbonë me asfalt, ndërkohë që pjesa tjetër gjarpëron teposhtë nën kapriçot e motit: kur ditët janë të mira ajo është lehtësisht e kalueshme edhe nga makinat e vogla, por kur bie shi apo borë, që është gjendje kryesore atmosferike e zonës, rrëmoret marrin teposhte gurë e dhe, gërryejnë rrugën ose i hedhin përsipër një shtresë akulli që e bën të pakalueshme. Mosndërhyrja për të asfaltuar pjesën e mbetur duket se po ndikon në shkatërrimin edhe të pjesës së përfunduar së shtruari dhe sistemuari që vjet.

Një plan rregullues do t’i lejonte pushtetit vendor dhe biznesit apo dhe donatorëve, të fitonin qartësi mbi kufizimet dhe mundësitë e veprimit në zonë. Edhe pse Valbona është Park Kombëtar, çka parashikon konservatorizëm në lidhje me ndërtimet e hoteleve apo restoranteve, këto të fundit janë jetike, jo vetëm si resurse ekonomike për banorët e zonës, por edhe për t’i mbajtur në hartën turistike Alpet shqiptare. Në 21 km gjatësi janë ndërtuar rreth 8-9 hotele, të cilat e kanë konservuar traditën ndërtimore dhe etnografike të zonës duke mos dalë jashtë karakterit alpin të saj. Lejet e ndërtimit, për vetë karakterin specifik të një Parku Kombëtar, janë një gjë e vështirë dhe që merr kohë të gjatë dhe disa prej banorëve të zonës të kthyer nga emigrimi, i kanë investuar fitimet e tyre në hotele apo restorante për të cilat shpresojnë t’i legalizojnë, edhe për atë që, siç thonë, kanë ndërtuar në tokë të vet dhe në harmoni me peizazhin dhe traditën.

Lugina e Valbonës është një rast sui generis. Ethja e prishjes së ndërtimeve, me apo pa leje që ka kapur qeverinë e re, nuk ka pse të ngjitet kaq lart. Jo vetëm se atje nuk ka shumë për të prishur, por edhe se prishjet këtu do të ishin një lloj terrori psikologjik, ndaj popullsisë së pakët lokale por sidomos ndaj sipërmarrjes së emigrantëve të kthyer, që me pak lekë e për pak punë duan të ndërtojnë diçka në vendlindje.

Ministria e Turizmit apo institucione të tjera përgjegjëse janë nën peshën e nevojës akute për hartimin e një plani konkret e të detajuar për Luginën e Valbonës, për këtë pasuri kombëtare së cilës i duhet gjetur një zgjidhje kombëtare. Është një qosh i lumtur dhe i mrekullueshëm i trupit të Shqipërisë dhe duhet bërë diçka e gjithçka për ta shpëtuar: jo vetëm duke e ruajtur, kjo nuk mjafton, por duke e futur brenda një strategjie zhvillimi e funksionalizimi

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s