Propozimi i majtë për të festuar vendosjen e diktaturës

images (1)

Botimi i përvitshëm i së përjavshmes The Economist The world in 2014 rendiste ndër ngjarjet e rëndësishme të vitit festimet për 100-vjetorin e fillimit të Luftës I Botërore. Duke kontekstualizuar ngjarjen me përpjekjet gjatë vitit në vazhdim për të siguruar paqe në zonat e konfliktit, Daniel Franklin vërente se Lufta e Parë dhe tmerret e saj duhet t’u shërbejë diplomatëve si kujtesë për atë se cila mund të jetë alternativa e paqes.

Ndërkohë në Shqipëri, njëra prej partive kompozitore të koalicionit qeverisës, LSI propozoi të enjten një përvjetor tjetër, i cili ka lidhje jo me fillimin e Luftës së Parë por me mbarimin e së Dytës. Në fjalët e Luan Ramës, përvjetorin e 70-të të çlirimit të vendit. Por ajo që për disa mund të jetë ‘çlirim’, për të tjerë mund të shihet thjesht si një tjetër robëri. Dalje nga çizmja e të huajit, por rënie nën thundrën e tëndit. Nuk ka ndonjë dallim cilësor mes shtypjeve.

Viti 1944 për Shqipërinë dhe popullin e saj mund të jetë në fakt paqja që i dha fund të gjitha paqeve. Shqipëria u la e lirë, apo u çlirua nga gjermanët e italianët, por u zhvendos, me radhë dhe dhimbshëm, nën sundimin apo patronazhin politik e ekonomik të Jugosllavisë në fillim, Bashkimit Sovjetik më pas, dhe në fund të Kinës maoiste. Ideologjia e kësaj të fundit i dhunoi shqiptarët me atë që ndoshta është momenti më zhbërës i endemikës sociale e shpirtërore të tyre, Revolucioni Kulturor i aplikuar në Shqipëri në formën e ateizmit, shembjes së institucioneve të kultit, përndjekjes, sidomos të klerit katolik, dëbimit të shkrimtarëve dhe intelektualëve drejt periferisë e punës prodhuese, e të tjera.

Të gjitha këto kapërcime nga një aleancë në tjetrën, sigurisht nuk bëheshin për lirinë dhe mirëqenien e popullit shqiptar, por për të siguruar pushtetin personal të Enver Hoxhës dhe klikës së tij diktatoriale. Në proces e sipër, duke e tëhuajëzuar vendin me vlerat dhe konceptet europiane dhe duke e afruar me ato lindore. Kjo vazhdoi deri në Lëvizjen e Dhjetorit ‘90. Shqipëriae qitun me krye në hi nga komunizma e kish ngritur megjithatë, në tmerr dhe në mjegull, një antenë me anë të së cilës kapte valët e një bote prej së cilës padronët e rinj medemek e kishin shpëtuar në 44-ën e lirisë sipas tyre.

Kjo është historia, por kronika e ditës ka edhe më. Për shembull te ftesa e Luan Ramës për “një komision të posaçëm shtetëror gjithëpërfshirës. Gjithëpërfshirës në dimensionet e vlerave që mbart dhe sjell 70-vjetori i çlirimit të atdheut.” Çfarë parashikohet te kjo gjithëpërfshirje? Opozita dhe fasha të tjera të shoqërisë që nuk e shohin ‘44 si çlirim, por si një robëri të brendshme stërpikur me despotizëm lindor, apo komunistët nostalgjikë e ata të linjës së ashpër, të asaj prerje që u pa në festimet e 69-vjetorit të çlirimit në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, kur kokat e establishmentit të majtë politik i shoqëronte hija makbethiane e portretit të diktatorit? A ka te kjo ‘gjithëpërfshirje’ përpjekje të rikthimit të Enver Hoxhës si një ‘dimension’, për të përdorur fjalën e z. Rama? Për të ngritur një bust të Hoxhës duke shfrytëzuar riardhjen në pushtet të së majtës për rilegjitimim të figurës së tij? Duke u ‘hakmarrë’ ndaj Berishës për ridimensionimin e Mbretit Zog?

Shenja të revanshit të kuq janë dhënë ndërkohë. Në Ballsh u dhunuan varret e të vrarëve nga diktatura komuniste; në Tiranë pati përpjekje për të rrëzuar bustin e Mbretit Zog në bulevardin qendror; Rexhep Qosja bën vende në faqet e të përditshmeve edhe kur reminishencat e tij enveriste janë hapur abuzive. Edhe një antikonformist i dikurshëm dhe antienverist i vetëshpallur si Edi Rama, sot kryeministër i vendit, e gjeti formën për të bërë pjesë të kitsch-it urban një moment ruralo-komunist si Konferenca e Pezës.

Kështu propozimi i Luan Ramës në emër të LSI, që me gjasë do të përqafohet nga mazhoranca me gjithsej, në dikotominë e vet bart një rrezik unik. I futur brenda makiazhit të hollë propagandistik të “ditës së madhe të çlirimit”, mëton që, me egërsinë e brishtë që bart çdo butësi e fortë të ridimensionojë sjellësin e lirisë që i dha fund të gjitha lirive. Sjellësin e fatkeqësive, më saktë. Enver Hoxhën.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s