Sfidat e Mirela Kumbaros: trashëgimia dhe shtetrrethimi i filmit shqiptar

u2_mirela-kumbaro-me-van-gogun-pas

Në Tiranë, dy javë më parë u dha çmimi “Teodor Keko” për gazetarinë e kulturës si dhe multiçmime te Letërsisë. Viti 2013 do jetë i fundit për çmimin në gazetari dhe gjithashtu për morinë e ndereve në fushën e letrave. Të paktën në tagrin e Ministrisë së Kulturës. Do të ketë vetëm një çmim, shpalli po ditën e ndarjes së çmimeve ministrja e Kulturës. Kumbaro e nisi në fakt si zonjë kryesimin e ministrisë së saj. Ajo, ndryshe nga sa do kishin bërë të tjerë në vend të saj, nga të dy krahët politikë, mbajti jurinë e emëruar nga paraardhësi i saj Aldo Bumçi për çmimet “Teodor Keko”, duke bërë kështu një gjest të kulturuar në mjediset e Kulturës, ku thonë se çaponjtë mprihen natë-për-natë në shkulme zemërimi për kolegët.

I rëndësishëm, dhe në kahun e reformës, është edhe vendimi për të mbajtur vetëm një çmim të madh kombëtar për Letrat Shqip. Seriali i ndereve në letërsi dukej sikur ishte shpikur për të mbajtur gjallë kulturën e qokës, por dhe njëfarë barazitizmi të bartur nga mendësitë e punizmit.

Por çfarë ka bërë zonja Kumbaro është vetëm fillimi në radhën e gjatë të shumë gjërave që i duhet të bëjë. E ka edhe më peshuese sfidën tashmë kur ajo është ministre vetëm e Kulturës; pa atë shtesën e gjatë të nënministrive e nëpunësive, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve. Mund të merret pra lirisht dhe me kohë të plotë me çështje të kulturës. Por, ta do mendja, më të lehtë do ia bëjë fakti se ajo vetë është një njeri i kulturës, ka lëvizur në ato qarqe, i njeh ato sfida, i di ato llogari, i ka dëgjuar ato ankime, është përballur me murin e madh të akulturës apo kundrakulturës, edhe brenda vetë rretheve kulturore.

Kumbaro ka këshilltarët e saj, njerëz të kulturës, dhe të mirëpërditësuar në çështje të saj, por ndoshta ka hapësirë edhe për ide nga jashtë. Për shembull, ide mbi kolonat ku duhet mbështetur aksioni kulturor i vitit apo edhe katërvjeçarit. Duke lëvizur fonde nga aty ku harxhohen me tepri dhe ndoshta pa dukë, aty ku shpenzohen pak e ndoshta duhen shumë më shumë.

Aksioni kryesor dhe ndoshta më i rëndësishëm është trashëgimia kulturore e Shqipërisë: kishat apo xhamitë e vjetra (të rejat e kanë gjetur mënyrën për t’u mbajtur, por ndërtuesit e tyre para për të vjetrat nuk po gjejnë); qytetet si Gjirokastra, Berati apo Kruja, por edhe lagje apo dromca autentike shqiptare në çdo qytet qofshin. Nëse ekziston një plan, me siguri po, por të paturit e një plani nuk mjafton, ai duhet futur në marsh të katërt. Mbi të duhen hedhur prozhektorët e emergjencës kombëtare.

Kinematografia kërkon një ndërhyrje strategjike dhe radikale nga Ministria. Të një forme shumë të thjeshtë: vendimit për të mos financuar projekte filmash të asnjë lloji. Miliona euro në sponsorizime për filma që nuk kanë arritur as në cilësinë e atyre të socrealizmit; nuk kanë kapur asnjë audiencë; nuk kanë bërë asnjë trend; nuk maten dot me asnjë parametër arti; janë një ndëshkim dhe shpenzim financiar që duhet ndalur. Filmi shqiptar duhet lënë të futet në treg; aty duhet ta kërkojë fatin e vet, siç ka bërë libri për shembull. Në treg duhet t’i kërkojë financimet dhe po aty meritën e mbijetesën, apo luksin e vet. Ministrja Kumbaro duhet të lobojë me kryeministrin Rama, sepse QKK është ‘nën firmën’ e tij. Dikush duhet të thotë me zë të lartë e guxim se kinematografia është një zë i vdekur i kulturës shqiptare. Nuk mund të jepen fonde për filma qesharakë, kur bukuroshe të mëdha të trashëgimisë dergjen në pluhur, dhe kur Arte të tjera që na përfaqësojnë denjësisht jashtë, marrin grimca financimesh e shumë laudeum kur artistë shqiptarë, falë talentit, ia dalin në botë. Shkolla shqiptare e Kantos, e Baletit, e Letërsisë i ka dhënë shembujt e shkëlqimit, i ka kaluar kufijtë kulturorë, gjeografikë e ideologjikë. Shkolla shqiptare e kinematografisë nuk ka kapërcyer dot as kufizimin socrealist të Kinostudios “Shqipëria e Re”. Nuk është bërë dot trashëgimi (të mos ngatërrojmë trashëgiminë me nostalgjinë për parajsën e humbur të kohës së fëmijërisë dhe filmat e saj). Pse atëherë këto para për të?

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s