A duhet t’i përgjigjemi me izolacionizëm izolimit europian?

logo-for-the-class

Me si po vijojnë gjërat, marrja ose më saktë mosmarrja e statusit të vendit kandidat për në BE nga Shqipëria nuk është më një moment cilësor por sasior. Në atë se numri por bëhet zotërues. Fatkeqësisht është një numër i kahjes negative: sapo hymë në herën e katërt të refuzimit i cili ka gjasa, gjithashtu për fat të keq, të bëhet sivëlla me numra të tjerë pasues. E mira është se dy refuzimet e para ose më saktë shkaqet e tyre nuk i mbajmë mend, por dy të fundit po. I treti ose i parafundit për shembull kishte të bënte me votimin e tri ligjeve në parlament të cilat kërkonin shumicë të cilësuar, pra edhe vullnetin e opozitës. Gjë që nuk ndodhi. Që nuk do të thotë megjithatë se edhe po ta kishim plotësuar këtë kusht, statusin do ta kishim marrë. Sepse nuk e morëm edhe pse e plotësuam.

Hera e katërt e refuzimit, që ishte dje, ditën e shtatëmbëdhjetë të dhjetorit, erdhi pas hezitimit të disa prej vendeve anëtare Holandës, Danimarkës, Gjermanisë e të tjera. Të dy refuzimet e fundit i bashkon megjithatë një gjë: është refuzuar e njëjta forcë politike në dy pozicione të ndryshme; njëherë në opozitë e herën tjetër në mazhorancë. Partia Socialiste nuk e dha konsensusin parlamentar kur ishte në opozitë dhe e mori atë bujarisht kur erdhi në pushtet nga opozita e re në formën e një rezolute parlamentare proeuropiane. Kjo kundrakohë mund të jetë asgjë më shumë se simbolikë, por megjithatë e bart një shpjegim të europianizmit si vullnet për pushtet dhe si vullnet i brendshëm.

Refuzimi që mori dje Shqipëria shtrihet megjithatë përtej dualitetit pozitë-opozitë në Shqipëri, edhe pse kryesisht ky establishment politik ka prodhuar ndër vite pozicionin ku ndodhemi sot në raport me Europën. Ky pozicion është ai që komuniteti ndërkombëtar e quan shpesh klimë mosbesimi mes palëve. Kjo atmosferë cinizmi e përplasjesh ka pllenuar demonë të tjerë antieuropianë si korrupsioni, kapërcimi i ligjit, zgjedhje problematike, shkelje të të drejtave të njeriut e ndonjë tjetër.

Një motiv i dytë refuzimi mund të jetë një testim i mazhorancës së re. Ka njëfarë naiviteti kur statusi apo rankime të tjera në skakierën europiane lidhen me popullin shqiptar dhe me atë se sa proeuropian është ai. Shtyllat e europeizmit janë në fakt ngritja dhe funksionimi i shtetit ligjor dhe shtetit të së drejtës. Sondazhet që na dëshmojnë ne si proeuropianë entuziastë nuk na ngrenë pikën në tabelën e vlerave. Në këtë plan mazhoranca e re është para provës së madhe të ligjshmërisë dhe të së drejtës në raport me të cilat ajo është kapur në revansh, mjaft të kujtojmë protestat europiane në rastin e kalimit të kompetencave të hetimit të korrupsionit Gjykatës së Krimeve të Rënda. Duket se skeptikët e BE duan të shohin nëse këto shenja bëhen trend, gjë që do na largonte edhe më shumë nga marrja e statusit.

Këta skeptikë në BE në raport me Shqipërinë shpjegojnë në fakt një moment skepticizmi të gjithë superstrukturës së Unionit Europian. Greqia duket si gabimi më i madh, një fqinj i Shqipërisë në gjeografi dhe binjak në një kulturë semi-orientale që bën strehë te limontia sociale dhe te glorifikimi i pranisë së shtetit. Vende të tjera të kulturës mesdhetare janë gjithashtu nën një barrë problemesh ekonomike. Ky skepticizëm megjithatë nuk përligj përfilljen e Serbisë, e cila është një hap para Shqipërisë në kuadrin europian. Te ky rast mund të gjejnë ngushëllimin dy rryma mendimi: asaj sipas së cilës në Europë ka albanofobi dhe se serbët po shpërblehen nga një Europë anti-amerikane për pamundësinë për t’i mbrojtur nga një Amerikë proshqiptare në vitin 1999.

Jemi të fundit megjithatë, dhe ka nga ata që në dëshpërim e sipër bëjnë thirrje për një izolacionizëm ndaj Europës. Kjo nuk do t’i shëronte ato plagë nga të cilat vuajmë, përkundrazi do t’i shtonte ato.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s