Një ide kryeministrit Rama për korrupsionin: Amnisti (për një kapitull të ri zhvillimi)

edi-rama-sot-320x264

Titulli i këtij editoriali ngjan me ata të gazetave bulevardeske të cilat bëjnë çnuk e çmos që të shesin një kopje më shumë duke provokuar me një temë tabu, sensitive apo një lajm jolajm; në to provokimi bëhet abuzim i trashë megjithatë, sepse të shumtën e herëve teksti që i shoqëron nuk thotë asgjë për atë që titulli i stërmadh kumton. Nuk është kështu këtë herë.

Këtë herë titulli dhe teksti lidhen e bëhen bashkë tek ideja se një amnisti e korrupsionit do të mund t’i jepte një shans luftës kundër tij. Pra një nisje nga e para duke zeruar të gjitha aktet e krejt propagandën, gjithë butaforinë e mbarë ngrefosje-krekosjet që lidhen me luftën antikorrupsion. Duhet pra njëvit zero strategjik, që jo vetëm do të shënojë hapjen e një cikli njëmendësie jashtë rrethit vicioz 20 e ca vjeçar të antikorrupsionit, por edhe do t’i heqë luftës politike një skakierë të panevojshme e të dëmshme.

Që do të thotë: kryeministri Rama duhet të heqë dorë nga ‘përndjekja’ e kundërshtarit me akuzën e korrupsionit duke ‘falur’ kështu me anë të një amnistie të përgjithshme e të pashpallur, aktet korruptive të para 23 qershorit. Kjo, jo vetëm i hap rrugë një raporti të ri politik me kundërshtarin, por edhe zgjeron një këndvështrim të vetes dhe mënyrës së qeverisjes. Është e vjetër retorika antikorrupsion në Shqipëri, të shumta fjalët, i shpeshtë linçimi, por të paktë të dënuarit. Asgjë nuk e bën të mundur që të jetë ndryshe këtë herë.

Shpallja e qëllimit se kjo mazhorancë në pushtet do të luftojë dhe do të dënojë të gjitha aktet korruptive të administratës apo segmenteve të tjera të shtetit që këtej e tutje e jo që këtu e më përpara i heq luftës antikorrupsion mallkimin e përplasjeve politike dhe ‘gjuetisë së shtrigave’. Për më shumë vendos një precedent për sjelljen e qeverive pasardhëse duke u lënë atyre një barrë shembulli që, ose i merr me vete në të mirën e vet, ose i fundos me gjithsejt.

Siç janë kushtet dhe siç vazhdojnë të jenë perceptimet universale të opinionit publik shqiptar, z. Rama nuk mund ta fitojë luftën antikorrupsion duke goditur ish-ministra të Partisë Demokratike ndërkohë që qeveris me ish-ministra të Lëvizjes Socialiste për Integrim, që tani janë ministra të kabinetit të tij. Kjo është më shumë se sjellje me standarde të dyfishta, është shenjë e një tumori në shëndetin e administratës dhe konceptin e qeverisjes. Përndryshe qeveria dhe aksioni i saj antikorrupsion nuk do të jenë kurrë të besueshëm, dhe pa këtë besim të publikut perceptimi i korrupsionit do të kthehet sapo të bjerë pluhuri i ca shembjeve e të harrohet zhurma e dy-tri arrestimeve. Publiku do t’i rikthehet gjithmonë perceptimit të fortngulitur duke thënë diçka popullore të tipit: këta të vetët ama vazhdojnë të livadhisin.

Edhe më të diskutueshme janë praktikat anti-korrupsion kur ato shoqërohen me tejkalim të kompetencave apo shpikje strukturash paralele të hetim-ndëshkimit të grupuara pa shumë elegancë nën përcaktorin ‘ekspertë”. Apo përpjekje për të kaluar kompetenca nga një gjykatë në tjetrën, në kundërshtim me paralajmërimet e euro-amerikanëve, siç është rasti i dhënies së ekskluzivitetit të anti-korrupsionit Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Lufta rilindase anti-korrupsion duhet të fillojë me një liberalizim të madh, pra me një amnisti me anë të heshtjes, për të kaluar te një shtrëngim i fortë. E kemi të ditur e të përsëritur kulturën e goditjes dhe bërjes shembull të kundërshtarit në këtë vend. Kush është burrë e ia fillon nga vetja?

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s