Ta lëmë të vdekurin grek të kapërcejë kufirin shqiptar

157161

Dy familje, njëra shqiptare e tjetra greke, janë duke ndarë një tragjedi të ndodhur në kufirin mes vendeve tona. Është një tragjedi personale e familjare më shumë se kombëtare, shtetërore apo ndërshtetërore siç, në të drejtën e atij që sipas dhembjes së vet përpunon edhe raportin me të tjerët, mundohen ta paraqesin pjesëtarët e familjes Çollaku nga fshat Shuec i Devollit. Familjarët e dy vëllezërve të vrarë Melsi e Elvis, kanë dhënën një seri skenarësh të asaj që ka ndodhur mbrëmjen fatkeqe të fundjavës së shkuar dhe të gjithë bashkohen te pretendimi i pafajësisë së tyre. Le ta prezumojmë pafajësinë, pse jo edhe për të vdekurit megjithëse atyre nuk ka ç’u duhet, por të mos pengohemi në ballafaqimin e disa elementëve që heqin paralele për kah të vërteta të tjera.

Mbrojtja ose pretendimi i parë i familjes Çollaku është qendërzuar te togfjalëshi “për bukën e gojës”. Me anë të tij kërkohet legjitimimi i një akti jolegjitim, si ai i kalimit të kufirit me armë në brez apo sup. ‘Buka e gojës’ është sigurisht një dhimbje dhe padurim i madh, por a nuk ka të njëjtën dhimbje edhe familja e një tjetër viktime të kësaj tragjedie, asaj të policit grek? A nuk ishte edhe ai në atë vend, në mes të asaj nate, për arsyet e veta dhe në krye të detyrës ‘për bukën e gojës’?

Kjo na sjell te një element i dytë i qëndrimit të familjes shqiptare: harrimi ose shpërfillja e fatit të Ilia Kostenit, policit grek 43-vjeçar të vrarë në atë që sipas gjasave ka qenë një dyluftim mes palëve në kasollen në mal ku u hap dhe u mbyll tragjika e një nate të përgjakshme. Vëllezërit shqiptarë nuk ishin të vetmit të vrarë, as të vetmit viktima. Siç nuk janë nënat e tyre të vetmet që qajnë; as fëmijët të vetmit të mbetur jetimë dhe as gratë të vetmet të pikëlluara. Secili vuan dhimbjen e vet, kuptohet, por dhimbja shqiptare e kësaj ngjarjeje nuk është e vetmja.

Përpjekjet për të gjetur një skenar apo për të ndërtuar skena shfajësuese dhe ndoshta shpërblyese për dy vëllezërit e vrarë nuk ndryshon asgjë në rrjedhën e asaj që ka ndodhur. Vdekjen nuk e kthen mbrapsht as dijenia se Çollakët u vranë në mënyrë të padrejtë. Po, të gjitha gjasat janë që policët grekë të kenë vepruar në tejkalim të të drejtave të njeriut dhe ligjeve të policimit ndërkufitar, por kolegu i vrarë para syve i ka bërë të verbër ndaj rregullave dhe humanizmit të kushteve normale.

Bllokimi i rrugës nacionale për të kërkuar apo ndikuar te zbardhja e të vërtetës, apo publikimi i disa të vërtetave të hamendësuara nga ana e të afërmve kontrastojnë ose e lënë të mangët të vërtetën e tjetrit ose të tjerëve. Policia greke është e armatosur dhe mbështetur në ligjet e vendit të vet, me të drejtën dhe detyrimin për të mbrojtur territorin. Ajo është e parashikuar t’i përdorë këto armë kundër çdo agresioni me armë kundër saj. Sidomos kështu në kushtet biblike apo kuranike ‘sy për sy e dhëmb për dhëmb”.

Me sa duket, si tre policët grekë ashtu dhe dy peshkatarët shqiptarë janë gjendur në kufirin ndërshtetëror ‘për bukën e gojës’. As vëllezërit fatkeqinj dhe as policët nuk patën dalë aty atë mesnatë të ftohtë dhjetori në kërkim të një destinacioni turistik. Policët grekë, duhet thënë, e kanë epërsinë e të qenit në tokë të tyre dhe në krye të detyrës. Ky është një fakt. Fakti tjetër është se të vrarët kanë qenë tre dhe jo dy. Është vetëm e ndershme ta lejojmë të vdekurin e palës tjetër ta kapërcejë kufirin shqiptar siç kapërcyen kufirin grek të gjallët tanë. Ta vajtojmë edhe atë, se dhe ai bir nëne është, dhe nën këtë ndriçim ta kërkojmë të vërtetën e të gjithëve.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s