Fitorja e Vetvendosje në Prishtinë; llolly pop-i i rrezikshëm i populizmit

Shpend Ahmeti 1

Ka qenë pothuajse kolektiv nguti për ta cilësuar si historike fitoren nga kandidati i lëvizjes Vetvendosje, Shpend Ahmeti, të komunës së Prishtinës. Tirana e komentariatit politik, që është zakonisht spektatore e ftohtë dhe e painteresuar e gjërave që ndodhin përtej Morinit, kësaj radhe është ngritur në këmbë për të duartrokitur këtë gjë të herës së parë. Të gjithë janë bashkuar tek ideja se fitorja e partisë së Albin Kurtit në Prishtinë, qendra urbane më e madhe e Kosovës, është një shenjë e fortë mosaprovimi për establishmentin politik përfaqësuar nga dy partitë tashmë tradicionale, LDK e PDK. Gjithashtu se publiku është duke kërkuar për alternativa.

Pa e kundërshtuar apriori atë se kjo, në mos është e vërtetë, ka brenda ngjyra e forma të së vërtetës, nuk mundesh megjithatë të mos u bësh me dije entuziastëve, shenjën domethënëse që vjen nga gjesti i parë publik i z. Ahmeti si kryetar i zgjedhur i komunës së Prishtinës. “Do ta shes Audin Q7 të kreut të komunës”, u kumtoi prishtinalive e botës që ishte e interesuar të dëgjonte ai. Një frazë dhe gjest populist i gatitur në mos me dëshirën, të paktën me nënndërgjegjen për të fituar vëmendjen më të madhe, për të hedhur një urë teli deri te populli, vegjëlia, për të thënë se jam një prej jush, një këmbësor në tokë, si me thënë.

Në terma konkretë, përveçse është adoleshente si frazë dhe si premtim ‘kam me e shitë Q7’ nuk do me thënë asgjë. Në terma ekonomikë ajo që duket si masë kursimtare, mund të jetë shteg për shpenzime. Banorët e Prishtinës në fakt do të donin që kryetari i tyre të ishte në kohë në zyrë dhe jo me vonesë; t’i kishte këmbët e thara e jo të lagura, për të shmangur ndonjë rrufë e cila do e shtrëngonte që, në vend të zyrës publike të kalonte kohë në shtëpi apo në një spital publik me para publike. E të tjera si këto. Kryetarit serioz të një komune serioze të një vendi serioz i duhet gjithashtu një makinë serioze. (Apo se mos Tirana e Prishtina kanë rrjete serioze të transportit publik!?)

Një tiradë me një mjet transporti, për të thënë se populizmi është i rrezikshëm; është një ngrefosje në të kundërtën e vet; shitet si modesti kur në fakt është një pretendim i saj, një lloj egoizmi i kamufluar me përunjësi. Por nuk është vetëm te ky interpretim psikologjik dëmi i populizmit. Politikisht ai është edhe më i rrezikshëm, sepse thellon një hendek mes të mundurës e të pamundurës. Dimë atë se politika mbahet si arti i së pamundurës dhe populizmi e shndërron atë në artin e së mundurës. Një të mundure të pamundur veshur me fjalët barazi, popull, vegjëli, prona e përbashkët, internacionalizëm e të tjera.

Sa për shembull, ripërsëritja e maksimës enveriste të të jetuarit me forcat tona, të cilën Vetvendosja e ka aq për zemër dhe e sendërton në protestat e shpeshta kundra ndërkombëtarëve dhe kundra globalizmit. Kjo prirjevetvendosëse përveçse është izolacioniste, i jep popullit një llolly pop të sovranitetit, por kur shkrihet iluzioni, në gojë mbetet shkopi i hollë i më të dobëtit e më të vetmuarit. Anipse, ashtu si Hoxha që preferonte partnerë interesi politik në Lindje, edhe Vetvendosjen ka zëra që e vendosin afër një axhende neo-otomane për Kosovën.

Komuna e Prishtinës ta gëzojë Shpend Ahmetin kryetar, dhe pasi ta përgëzojë për Audin e shitur dhe përfitimet financiare të këtij gjesti të bursës së populizmit, ta pyesë se mbi ç’mekanizma të tjerë ekonomikë do të mbahet qyteti. Me këmbë dhe me dyer të mbyllura, Vetvendosja e ka keq me institucionet e BE e gjithashtu me amerikanët, a do të mbërrijë ndonjëherë përtej Kodrës së Diellit, kryetari i ri, Shpend Ahmeti?

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s