Partia Demokratike siç (nuk) duhet të jetë

partiademokratike

Partia Demokratike po i afrohet muajit të saj të gjenezës, dhjetorit, e shtyrë sa nga erërat e historisë e sa nga kumti i momentit për një rifillim. Quaje rithemelim, rinisje apo revizionim në daç, me lejen që të jep pika personale e pamjes së ngjarjeve, subjekteve e fenomeneve. Natyrisht konteksti politik e historik është krejt i ndryshëm dhe Dhjetori ‘90 mund të shihet vetëm si simbolikë, ose si një përpjekje për t’i lidhur me ngashnjim pikat e shpërndara në interesa, qasje e ide të protagonistëve, në skenë apo në hije, të Partisë Demokratike.

Se si do të jetë shtëpia e demokratëve të së nesërmes, shtëpia e lirisë së shqiptarëve, nuk është sigurisht në kureshtinë dhe interesin e vetëm demokratëve. Për këtë, zhvillimet në PD duhet të përfshijnë edhe ‘zgjedhjet’ e interesit të opinionit publik, duke qenë se janë me interes publik. Që do të thotë PD duhet të jetë përfshirëse brenda të gjitha shijeve, por jashtë të gjitha shijeve personale; që do të thotë se PD në zgjedhjet e pritshme për strukturat e partisë duhet ta hapë rrethin e parë, të dytë, të tretë e me radhë deri tek i fundit, për t’u bërë një parti popullore e qendrës së djathtë siç edhe është lindur.

Për të përdorur një shprehje të një ish-ministri e ish-deputeti demokrat, Rexhep Uka ‘PD është një parti e ngritur në këmbë, dhe tani ka ardhur koha që të ulet”. Të ulet si? Të ulet ku? Të ulet në radhë të parë brenda një kuptimi të hapjes: të hapjes si fuzion, por edhe si decentralizim. Në skakierën e strukturave të reja të partisë është e nevojshme që të shmangen mbivendosjet. Sidomos kur ato janë të trasha. Ish-ministrat që janë edhe deputetë nuk mund të kenë edhe një gradë të tretë në parti: të jenë edhe sekretarë. (Sigurisht, Kaligula edhe kalin e tij e bëri senator, por jemi në instancë demokracie.) Një lëvizje e tillë do të qe shenja e parë se në kupolë të PD nuk e kanë lexuar apo marrë sinjalin e 23 qershorit. Më shumë se kaq duan t’i rrinë pahirit dhe vijës së ashpër e të trashë sipas së cilës ‘populli gaboi’, ‘populli u gënjye’, ‘populli u ble’, e të tjera kompozime që edhe pse kanë tone të së vërtetës, prapë të sindromës së strucit janë.

Vai victis (mjerë të mundurit) sigurisht që nuk e përshkruan atë që ka ndodhur dhe as duhet ta përcaktojë në total atë që duhet të ndodhë, por Gloria victis (lavdi të mundurve) aq më pak. Kjo nuk do të thotë se rreziku tjetër, siç është përherë ekstremi i ekstremit, nuk rri në pritë me llastiqet e amatorizmit gati. Ky rast do të ishte ai i pajtimit në enturazhin e ri të Bashës, të të rinjve në moshë por jo në risi; fytyrave të bukura që nuk shoqërohen me emra.

PD në njëfarë mënyre duhet të bëjë atë që Berisha bëri shumë vonë me qeverinë e tij kur futi mjekun Halim Kosova dhe poetin Visar Zhiti: të surprizojë me normalitetin e ofertave. Kjo nuk mund të ndodhë në të gjitha rastet, e mesmja e artë totale është e pamundur, por një ndjesi e kësaj është e arritshme.

Zgjedhje të tilla afërmendsh kërkojnë operacionalitet, sepse ndërkohë që rikompozimi duhet bërë do shmangur gjithashtu pamja e një kryqëzate. Vendosja e një parimi të ri për një pushtet të ndarë në tri rrafshe, Senatorët e parlamentit, ministrat në hije dhe menaxherët e partisë, gjen ndoshta kohën e vet te ky Dhjetor rithemelues i Partisë Demokratike. Ky head huntingnuk është gjë e lehtë, por më e lehtë se kokat polifunksionale ala Byro Politike me të cilat jemi mësuar në politikën shqiptare të të dy krahëve është. Vetëm kryetari i partisë, dmth lideri e gëzon të drejtën e një triumvirati rolesh: shef partie, shef qeverie në pritje dhe anëtar i parlamentit. Nëse dikush tjetër është kaq i aftë dhe i plotë për këtë tr- në-një atëherë kryetari duhet të jetë ai ose ajo. Në mos, secili në rolin e vet.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s