Të arratisurit e Drenovës dhe loja ‘e ka kush e ka’ me fajin

images

Shtatë të arratisur nga burgu, sidomos kur janë vrasës të dënuar me burgime të përjetshme, janë shumë për një vend të vogël si Shqipëria. Por as numri në përpjesëtim me popullsinë apo territorin, dhe as fati i tyre nuk janë shqetësimi kryesor: shteti ose sistemi i tij, po. (Të kuptohemi, mund të kishte qenë pushtet i demokratëve apo socialistëve, pak rëndësi ka; në të dy rastet do të kish ndodhur, sepse problemi është i sistemit që, sigurisht, është ngritur nga pushtetet).

Se ç’thotë për sistemin ose për shtetin arratisja, por edhe reagimi ndaj arratisjes, nuk duhet përpjekje e madhe për ta ftilluar. Në fillim të thotë se shteti këtu te ne nuk shihet si vijimësi, nuk shihet si sistem që duhet të ekzistojë i pacenuar pavarësisht pushtetit të radhës. Se pse nuk shihet dhe nuk është i tillë mund të kuptohet nga një fakt kohor. Muaji kur u zgjodh planifikimi dhe futja e mjeteve që do të lehtësonin arratisjen nga izolimi të të burgosurve në fjalë. Gushti. Për ata që nuk e mbajnë mend, gushti është një muaj ndërmjet, një kohë e pakohë, një 30 ditësh pa të zot. Kjo sepse njëra palë përgatitej të linte pushtetin dhe lëshonte sinjale dobësie, ndërsa tjetra rrinte në pritë e ethshme për ta marrë pushtetin duke lëshuar sinjale revanshizmi. Asnjëra palë nuk mundej, nuk dinte ose nuk donte ta trajtonte kalimin e skeptrit të qeverisjes nga një dorë te tjetra si normalitet. Për këtë gushti ishte muaj i plleshëm për të gatitur një arratisje spektakolare nga burgjet e Shqipërisë.

Arratisja ka edhe një kohë të dytë, ose një parakohë po deshe, atë jetën e zakonshme të burgimit, përditshmërinë e qelisë, rregullat të cilave duhet t’u nënshtrohesh, detyrimeve qe ke, kufizimeve, por sigurisht edhe të drejtave të njeriut. Një i burgosur është i tillë dhe i ndryshëm nga të lirët për shkak të kufizimeve; pa to, pa murin e madh të kufizimeve koncepti i izolimit bie. Arratisja e shtatëshes së nëntorit ka hedhur dritë megjithatë mbi një mungesë alarmante kufizimesh për të burgosurit shqiptarë. Celularë, televizorë me ekran të sheshtë, furnela dhe enë gatimi e të tjera. Por jo vetëm kaq: edhe frigoriferë për të mos e humbur ritmin e stinëve, për ta marrë të ftohtë çajin, Pepsin e birrën në çdo orë të ditës a natës, si në çdo bar të lagjes apo në shtëpinë tënde. Një laises faire për të cilin bëhet zhurmë e debat në tregje, por është një mënyrë të qeni në burgjet e Shqipërisë?! Hm.

Edhe pasarratia ose më saktë reagimi që shteti ka shpallur si të udhës për këtë rast vjen me rrudhjet përkatëse të supeve. I pari është turri për ta lënë tekun diku tjetër, për të filluar një blame game të panevojshëm. Një parti si PS që e ka ndarë pushtetin me partinë tjetër PD që nga viti 1992 e këtej, me radhë jo në koalicion, nuk është në pozitën e fajësimit të paraardhëses. Burgjet e një vendi të vogël nuk janë lufta për ‘rendin e ri botëror’ që Amerika ka të hapur në Irak e Afganistan, që Rama të mund të akuzojë Berishën siç Obama bënte me Bushin. Kryeministri dhe ministrat e tij duhet të zgjohen e të kuptojnë se nuk janë në opozitë, por në pushtet. Të zgjohen e t’i marrin erë ditës së re edhe kur ajo kutërbon arratisje nga burgu apo napalm.

Për të mos folur për një tjetër stancë tragjike të këngës qeveritare të pasarratisjes: pushime gardianësh e policësh nga puna e deri ndjekje penale për ta. Ata policë të gjallë janë kolegë policësh të vdekur në aksione që as kanë marrë benefite për rënien në krye të detyrës e as nuk kanë një varrezë të veçantë. Prehen në ndonjë zgëq province në një varr më të thjeshtë se sa 35 mijë lekëshi (a më pak) që merrnin si rrogë. Pse duhet të rrezikonin jetën ata qyqarë? Për cilin atdhe e cilën detyrë? Për cilin shtet? Atë që i ndërron sa herë palët këmbehen? Apo atë i cili për të qenë në rregull me të drejtat e njeriut e konventat europiane shpenzon 50 euro në ditë për të burgosurit e tij, ndërkohë që policët i mban ende me ‘standarde Shqipërie’, me 8 euro në ditë?

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s