Një çështje e sigurisë kombëtare dhe dy lidershipe

kryetari-i-ps-edi-rama-dhe-kryetari-i-lsi-ilir-meta-gjate-ceremonise-se-nenshkrimit-te-marreveshjes-se-koalicionit-zgjedhjet-e-23-qershorit-2013

Vendimi për pranimin ose jo të arsenalit të lëndëve kimike të Sirisë mund të konsiderohet si i sigurisë kombëtare. Në momente të tilla, të trysnisë dhe interesit kombëtar, padyshim profilizohen edhe liderët e vendit. Si sillen, si i komunikojnë, si e perifrazojnë reagimin ndaj një çështjeje me interes kombëtar të ngarkuarit me punë dhe me pushtet nga populli i tyre? Si e interpretojnë ata këtë pushtet në raport me emëruesit e tyre, lexo zgjedhësit, dhe për më shumë me një koncept efemer, por të patjetërsueshëm e thelbësor si interesi kombëtar? Në rastin e Shqipërisë dhe tonelatave me lëndë kimike, cili qe impostimi i dy krerëve të koalicionit të majtë qeverisës, Edi Rama e Ilir Meta?

Për t’i matur e peshuar qëndrimet, por sidomos synimet e të dyve më shumë se përmes akteve na duhet të kalojmë mes fjalëve. Fjalët më të shumta në sasi, por edhe më të gdhendurat në stilistikë kanë ardhur prej kryeministrit të vendit, Edi Rama.

Fjalimi i së premtes pasdite zgjati aq shumë sa i kaloi një ore të mbrëmjes për t’u mbyllur me një Jo argumentative e mbrojtëse. Ishte hera e parë që shefi i qeverisë së majtë i ardhur në pushtet me një votë plebishitare merrte një vendim në të njëjtën kohë që bënte publike një çështje.

Populli i tij në një paketë “two in one” njihej me verdiktin ndërkohë që parashtrohej edhe problemi. Një çështjeje të sigurisë kombëtare z. Rama ia përligji vonesën në transparencë me vjegën e sigurisë. Të kujt?

Ilir Meta nga ana tjetër i përgjigjej pasigurisë në komunikim të kryeministrit të vendit dhe partnerit senior në koalicionin e shumicës me maturi dhe kursim. Kjo për të shmangur heshtjen, për të njoftuar pozicionin, por edhe për të komunikuar një aurë, ndoshta të parën fare në këtë qeverisje ende fillestare, që mund të bëhet brerore mospajtimi. Nuk i kemi kapacitetet, pat thënë Meta në një prononcim të parë kur u pyet për importimin e arsenalit sirian. Duke shtuar se Shqipëria duhet të pranojë aq sa i mbajnë supet. Më vonë ironizoi se nuk mund të vazhdonim me absurdin dhe fuqinë e hamendësuar të shprehjes “dy luanë ka sot bota…”.

Meta dukej distant aq sa dukej i përzier në një çështje që e kaploi shpejt vëmendjen e publikut por kapi edhe axhendën e medias ndërkombëtare, e cila e bënte një fakt të kryer destinacionin e lëndëve kimike të mbetura nga armatimet shfarosëse të diktatorit sirian. Sinjalet e tij qenë të shumëfishta; për partnerin e tij në koalicion, publikun, ndërkombëtarët, por edhe të tijtë. Meta nuk ngurroi të përfshinte edhe kundërshtarët, pra opozitën e djathtë, e cila u pa hiperaktive në Kuvend ditën kur protestat para Kryeministrisë qenë në klimaks, shefi i qeverisë ndodhej në Mal të Zi, ndërkohë që e nesërmja shihej si dita finale e një vendimi në të errët.

Kryetari i parlamentit u fotografua i ulur pranë ish-shefit të qeverisë, ish-shefit të demokratëve dhe ish-partnerit të tij në koalicioni, tashmë kundërshtar politik dhe deputet i opozitës, Sali Berisha.

Ilir Meta dukej se ish bërë një interpretues i shqetësimit të të gjithëve dhe një ekuilibrist që i kuptonte dhe kufijtë e përgjegjshmërisë edhe rëndësinë e transparencës dhe luajalitetin e partneritetit.

Edhe shefi i grupit parlamentar socialist ndoshta në një moment leximi të kësaj maturie e quajti atë kryeministri Meta.

Për mirë a për keq, Meta dhe Rama janë distancuar për herë të parë.

Në cilësinë e lidershipit. Njëri përmes një po-je të parakohshme e të pandarë me të tjerët, të shndërruar më pas në jo. Tjetri pati gjithmonë të gatshme njëndoshta apo varet. Në politikë ka gjithmonë një betejë për të fituar dhe një luftë për të humbur.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s