Edi Rama duhet të kishte thënë PO

EDI-RAMA-SHERR1

Bazuar mbi tekstin që ka lexuar dje para miliona shqiptarëve, në ankth e kureshtje, kryeministri im, kryeministri juaj dhe kryeministri i Shqipërisë, duhet të kishte thënë PO. PO, sepse ka, në fund të fundit, e ta marrë e mira!, njëfarë hipokrizie në gjithë atë se duam të jemi pjesë e botës globale: e trendeve, modave, teknologjive dhe gjithë industrisë së tundimeve të saj, por asnjë teklif dhe barrë që mund të na vijë rrugës tonë, asnjë peshë të mos na e rëndojë shpinën mikroborgjeze.

Shqipëria, me atë JO, ka mbetur edhe njëherë jashtë botës, e po të duash ta kuptosh sa jashtë, merr të përditshmet e saj kur ç’ndodh tej ‘vijave të kuqe’ të territorit të Republikës së Shqipërisë është irelevant dhe aspak interesant (përjashto kur Kim Kardashian ekspozon armët e saj erotike). Karuseli i botës ku jetojmë, kësaj radhe nuk u rrotullua me karamele ndihmash që na vijnë nga jashtë, por me ngarkesa lëndësh kimike (jo armë kimike!).

PO, sepse Shqipëria do të bëhej pjesë e një zinxhiri humanitar veprimi. Një pyetje: ato lëndë kimike që gjenden në Siri përbëjnë një rrezik më të madh aty ku janë, pra për fëmijët, gratë e pleqtë sirianë, një popull ende mes disapalësh ndërluftuese, ku të paktën një grup është terrorist, apo të depozituara diku në një zonë të pabanuar në Shqipëri, nën një kordon profesionist sigurie të udhëhequr nga ekspertë të huaj?

PO, sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës, t’i mbajmë mend, i kanë ndërmarrë disa aksione në favor të shqiptarëve, dhe me njëfarë rreziku sa kohë bëhet fjalë për bomba lufte e balanca ndërkombëtare. Sigurisht, është simpatik nocioni i shqiptarësisë, i sovranitetit dhe vetëvendosjes, por është etik edhe nocioni i mirënjohjes: sa u detyrohemi amerikanëve për këtë sovranitet, vetëvendosje e shqiptarësi, që nga 1919-a e këtej? Apo mirënjohja është një pemë që nuk rritet në Shqipëri?

Ata që dolën në shesh dhe qëndruan atje, sikur dita e nata të mos kishin mbarim, janë të respektuar dhe dinjitozë në kauzën e tyre. Pavarësisht asaj se ka patur përpjekje për të qëmtuar mes tyre komunistët, anti-amerikanët, anarkistët, islamistët, bjerrakohësit, asnjëra nuk vlen. Të kërkosh të gjesh masën perfekte te populli është një iluzion. Ashtu siç ishin, jouniformë, ata i dhanë jetë në Shqipëri një forme proteste më parë të pambajtur e të panjohur: masive, civile, kreative, gjithpërfshirëse, apolitike.

Por, një PO, të cilën ata do ta kishin kuptuar, gjindej forma për t’ua transmetuar, u duhej thënë. Sigurisht, bazuar mbi parashtrojën e kryeministrit Rama, dhe natyrisht duke e marrë si të vërtetë kornizën e ofruar prej tij; piketat sipas të cilave do të mbërrinte në Shqipëri arsenali sirian: vetëm lënda kimike, jo armët; vetëm tranzit; vetëm nën mbikqyrjen e rreptë të amerikanëve; për t’u dërguar diku tjetër pasi të dekompozoheshin.

Me këtë kornizë duhej një PO. Por, mund edhe të ketë qenë një PO e pamundur ose e padashur. Dhe, ne i besojmë kryeministrit for Rama is an honourable man. Nëse kryeministri na ka gënjyer: pastë faqen e zezë!

(P.S. Në një editorial të javës së shkuar, i juaji sinqerisht, aludonte Helmet e Asadit, sikur të mjaftonte një po ose jo. Me sa duket nuk kanë mjaftuar. Kjo sepse nuk ka patur informacion e as transparencë. Ajo ka mbërritur dje, në një kohë kur PO-ja ngjante e pamundur dhe nuk mjaftonte. Për transparencë, gjithashtu: i juaji sinqerisht, është nënshtetas amerikan; ka dalë tri herë në shesh te protestuesit; e ka firmosur peticionin kundër hyrjes në Shqipëri të armëve kimike. Një JO në kushte mosinformimi apo dizinformimi, pra).

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s