Helmet e Asadit në Shqipëri? Sikur të mjaftonte një Po ose Jo

images

Nëse duhet një përgjigje symbylltazi për pyetjen: a duhet lejuar shkatërrimi i armëve kimike të regjimit të Asadit në Shqipëri? përgjigja do të ishte e prerë: JO. Një PO e prerë do të ishte një çmenduri. Megjithatë, duke qenë se ky editorial nuk e ka synimin të jetë aq autoritar sa të licencojë një përgjigje mohuese ose pohuese për lëndët kimike siriane, argumentet për të dyja rastet duhen shqyrtuar.

JO-ja nuk ka nevojë për shumë shpjegime; ajo luan me panikun që në fillim duke e bërë ndotjen e mjedisit një shqetësim thuajse irrelevant. Interneti është mbushur plot me pamje të viktimave të sulmit me armë kimike të para pak muajve në Siri dhe ato foto e mbushin me tmerr çdo ide se kimikate që bëjnë dëme të tilla fatale mund të jenë diku afër nesh. Jeta dhe shenjtëria e saj del kështu në plan të parë duke zmbrapsur shqetësimet mjedisore, që shpesh ngjajnë me kauza luksi. Kjo e shpjegon edhe reagimin e menjëhershëm dhe të fortë të opinionit publik gjatë ditëve të fundit. Në rrjetet sociale ka filluar ndërkohë të bëjë xhiron një peticion që kundërshton importimin e armëve kimike nga Siria; para selisë së qeverisë është zhvilluar një protestë e zëshme dhe, çështja është bërë edhe pjesë e diskursit politik të ditës.

Te ky i fundit duhet ndalur para se të shkohet tek argumentimi i një Po-je. Tre liderët kryesorë politikë të vendit Rama, Basha e Meta kanë shpallur ndërkohë raportin e tyre me çështjen në fjalë. Shefi i opozitës Basha ka zgjedhur një rrugë të ndërmjetme duke pranuar se një referendum duhet të ishte finalja e një propozimi të tillë. Më i avancuar në pikëpamje duket kryetari i parlamentit Meta, për të cilin Shqipëria nuk gëzon kapacitete logjistike për një sipërmarrje të tillë. Shefi i qeverisë Rama nuk është pozicionuar ende drejtpërdrejt, por nëpërmjet ministrit të Jashtëm Bushati ka lajmëruar ‘një bisedë të gjatë telefonike me Sekretarin e Shtetit amerikan, John Kerry’. Çka do të thotë se Shqipërisë i është kërkuar zyrtarisht që të hapë dyert për arsenalin kimik sirian.

Socialistët në qeveri kanë vendimin më të vështirë për të marrë, jo vetëm se një Po do t’i vinte në ‘jashtë loje’ me popullin, por edhe se do t’i kapte në inkoherencë me qëndrimet e tyre jo dhe aq të largëta. Nuk ka kaluar shumë që socialistët morën vendimin për moslejimin e importit të mbetjeve në Shqipëri duke vënë në pozita falimenti një biznes disa milionë eurosh. Është pak e vështirë t’u shpjegosh shqiptarëve se pse përpunimi i një arsenali armësh kimike nga bota arabe është më i lehtë për t’u bërë sesa ai i qeseve apo kanaçeve të coca cola-s të italianëve apo gjermanëve. Po kaq e vështirë do të jetë për kryeministrin Rama të dalë kundër një deklarate të shumë pak më parë: “Ka vetëm një arsye pse mafia i drejtohet vendeve si Shqipëria për të dërguar plehra dhe ka vetëm një arsye pse qeveritë e vendeve si Shqipëria, të dobëta në standarde dhe të pamundura për të kontrolluar ruajtjen e standardeve nëpër kufijtë e tyre, t’i hapin rrugë importit të plehrave. Arsyeja është shumë e thjeshtë; interesa të jashtëzakonshme financiare që lidhen me fatkeqësinë e kombeve që lëngojnë në mungesë të qeverive dhe të shteteve që u shërbejnë interesave të këtyre kombeve”.

Rama me të tijtë me sa duket është zënë nga kurthi i populizmit, të cilin vetë me zell e vrull patën ndihmuar të ngrenë gjatë katër viteve të fundit në opozitë. Por nuk është ky shqetësimi i publikut apo faktorëve të tjerë: pak transparencë nga ana e qeverisë nuk do bënte keq. Që do të thotë, shqiptarët nuk kanë pse e marrin vesh nga mediat e huaja për propozime që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare.

Deri kur transparenca të mbërrijë, duhen konsideruar edhe argumentet në favor të pranimit dhe dekompozimit të këtij arsenali kimik. E para, është marrja e përgjegjësive në kuadër të angazhimeve globale për paqe. E dyta janë parimet e partneritetit; çfarë kemi marrë e çfarë kemi dhënë si pjesë e partneritetit euro-atlantik. Anëtarësimi në NATO dhe çlirimi e pavarësia e Kosovës janë dy ndër nderet e mëdha të partnerëve tanë euro-amerikanë. Kontributet tona kanë qenë të shkallës modeste.

Të tjerat janë fjalë. Në këtë rast duhet kuptuar se një Po ose një Jo, megjithëse fjalë, janë shumë më shumë se kaq. Janë vendimmarrje të rëndësisë kombëtare e ndërkombëtare.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s