Sekreti i madh i Nicholas Gage, nëna e vrarë nga shqiptarët

eleni

Në vitin 1948 në një fshat që shtrihej i humbur mes Greqisë e Shqipërisë, në Lia, Eleni Gaxojani (Gatzoyannis) u arrestua, torturua dhe u vra nga komunistët grekë. Ajo ishte një nga 158 mijë viktimat e Luftës Civile Greke. Krimi i saj ishte se ndihmoi fëmijët e vet të arratiseshin nga fshati dhe t’u shpëtonin guerilasve komunistë që do t’i kthenin ata në andartë që do të luftonin për formacionet e tyre, pasi t’i nisnin fillimisht në kampe trajnimi në një prej vendeve të Lindjes komuniste. I biri, Nikola Gaxojani, asokohe ishte 8 vjeç. Dekada më vonë ai u vu në kërkim të përgjegjësve për vrasjen e së ëmës dhe aventura prodhoi edhe një libër me titull ‘Eleni’. Përveç librit dhe identifikimit të fajtorëve në jetën e Nicholas Gatzoyannnis-it, tashmë gazetar i njohur i ‘New York Times’, me emrin e amerikanizuar Nicholas Gage, mbërriti një dimension tjetër: anti-shqiptarizmi. Motivet, edhe pse të pashpallura kurrë, mund të gjenden në dy libra e tij ‘Eleni’ dhe ‘Një vend për ne’ (‘A place for us’), të botuar në Amerikë e përkthyer edhe në greqisht e gjuhë të tjera.

-Ndryshe nga të motrat Olga, Kanta, Glykeria dhe Fotini, Nikola, djali i vetëm i Kristo dhe Eleni Gaxojanit, nuk e kishte bërë të vetën porosinë e fundit të së ëmës: “mbajeni mend këtë: kushdo që rri në Greqi, që nuk shkon në Amerikë, do ta ndjekë mallkimi im. Kur të dilni nga shtëpia sonte dua që të hidhni nga pas shpine një gur të zi, në mënyrë që të mos vini më kurrë këtu.”

I ati i fëmijëve ndodhej prej vitesh në Amerikë dhe e ëma u kish treguar se ai kish bërë të njëjtën gjë në largim e sipër nga Greqia. Nga anija e nisur prej portit të Pireut, ai kish hedhur fezin e zi turk. Kapela që përplasej nëpër dallgë dhe gjesti i flakjes së saj si ndarje me të shkuarën e kishin bërë Kristo Gaxojanisin të ndihej i lirë si kurrë më parë në jetë. Kjo, sipas fjalëve të tij.

Nikola, në të njëjtin port, në Pire, kur anija ‘Marine Karp’ ishte shkëputur nga moli, kish rrotulluar dorën në xhepin e xhaketës gri ku ndodhej një gur i zi i marrë në fshat. Një, dy, tri lëvizje duarsh; një, dy, tre mendime që përplaseshin me njëri-tjetrin, por në fund nuk ia kish bërë as zemra dhe as dora. Nuk e kish hedhur atë gur të zi mbrapa, që sipas besëtytnisë dhe porosisë së nënës do ta ndante njëherë e përherë me vendlindjen e tij.

Vite më vonë, pasi kish mbaruar studimet në BostonUniversity për Gazetari dhe kur priste të futej në ColumbiaUniversity me një bursë të shkollës dhe të Fondacionit Hearst, ai përdori njëmijë dollarë që i tepronin nga bursa për të ndërmarrë udhëtimin e parë në Greqi. Ishte kthimi i parë në fshat, në teatrin e krimit, ku komunistët i kishin vrarë të ëmën, së cilës ia kishin hedhur trupin në rrëpirë. Rrëfimi i plotë i udhëtimit të parë të Gage gjendet në librin ‘Një vend për ne’, një biografi e tij dhe familjes së tij mërgimtare që u zhvendos nga një fshat i vogël i Epirit në Worcester, qytetin e dytë më të madh pas Boston-it në shtetin verilindor amerikan të Massachusetts-it.

Ai udhëtim i parë do të pasohej nga shumë të tjerë. Nikola, siç shkruan në libër, e kish kuptuar se gjetja dhe ndëshkimi i fajtorëve për vdekjen e së ëmës ishte misioni i jetës së tij. Si shenjë e fatit i ngjante edhe fakti se jeta e kish shtyrë drejt gazetarisë investigative. Me këtë ide në kokë ai i kërkoi me ngulm Wall Street Journal-it që të hapte një zyrë në Athinë. Si korrespondent i huaj i një gazete prestigjioze do ta kishte më të lehtë t’i gërmonte ngjarjet e së shkuarës nëpër arkiva apo biseda të drejtpërdrejta me protagonistët. Drama që shpalosin këto hulumtime vjen e plotë në librin ‘Eleni’, i cili u bë edhe film më vonë.

Detaj pas detaji e shënim pas shënimi, gazetari greko-amerikan si në një countdown që e afron me vrasësit e së ëmës, rrëfen në libër kërkimet që e çuan nga Lia, Filati, Janina, Athina e deri te kolonitë greke në Çekosllovaki e Hungari. Për t’u kthyer gjithmonë aty ku krimi kishte ndodhur, në fshatin e tij të origjinës dhe në fshatrat apo qytezat përreth tij. Për ta përmbyllur të gjithën në Konicë e Igumenicë.

Në kursin e përpjekjeve për të rënë në gjurmët e vrasësve të së ëmës, Nicholas Gage kuptoi se në shumicën e rasteve ajo që motrat e tij e quanin ‘hakmarrje hyjnore’ ishte më e shpejtë se ai. Prokopi dhe Spiro Skevis, dy vëllezërit që “mbollën farën e komunizmit në Lia vdiqën para se lufta të mbaronte”, shkruan ai në ‘Eleni’. Prokopi, intelektuali i njohur edhe si orator, u godit nga në plumb qorr pak pas kthimit nga Jugosllavia. I vëllai Spiro, që për merita lufte mori gradën Kolonel, kur mori vesh për vdekjen e të vëllait shkeli në një minë të vendosur nga të vetët dhe vdiq nga humbja e gjakut.

Edhe dy bashkëfshatare të Elenit që kishin deponuar kundër saj patën një fund tragjik. Stavrula Jaku (Yakou), një bukuroshe bionde, bashkëpunëtore e guerilasve vdiq, nga kanceri pasi u kthye në fshat nga Tashkenti në vitin 1950.

Kosta Kolijani (Kolyiannis), komisari i forcave komuniste greke të Epirit, pas luftës kryetari i Partisë Komuniste greke në mërgim, vdiq në Hungari në vitin 1979. Fati i tij?  Një plak i rrëgjuar dhe zemërthyer, denoncuar nga bashkëpunëtorët e tij dhe i përzënë nga partia. Mbetej kështu më i fundit dhe njëkohësisht një prej kryesorëve, ndër përgjegjësit për vdekjen e Eleni Gaxojanit. Më saktë, gjykatësi që sipas dëshmitarëve okularë e kishte dënuar me vdekje nënën e gazetarit të ardhshëm të ‘New York Times’. Po kush ishte dhe cili qe fati i këtij njeriu enigmatik, të cilin komunistët e quanin, siç shpjegon Gage në librat e tij ‘Eleni’ dhe ‘Një vend për ne’, “Katis”?

Këtu kërkimet e Gage, por edhe libri i tij ‘Eleni’ fillojnë të fitojnë një përmasë thrilleri. Katis do të jetë përballja finale e birit që kërkonte hakmarrje për të ëmën e vrarë padrejtësisht. Për këtë duheshin marrë të gjitha masat dhe u duhej bërë pritë të gjithë skenarëve. Për këtë shërbente edhe një revolver Walther PKK, të cilin e kishte sjellë nga Amerika futur brenda një fshesë me vakum. “Nuk e kisha idenë se ç’do të bëja me këtë armë, por dija se nuk doja të përballesha me Katis pa të”, shkruan Gage.

Ishte viti 1977 dhe pavarësisht ‘hakmarrjes hyjnore’ ndaj komunistëve, Gage gjeti në Athinë njëfarë rizgjimi të ideve të tyre. Kjo, me pak fjalë, ia shpifte. Por para se të vinte përballja me Katis, Gage ndiente se rrjeta e informacioneve kishte nevojë edhe për ca thurje të tjera për të pasur një pamje më të plotë të asaj që kishte ndodhur në vitin 1948. Duke ndjekur një informatë, udhëton drejt Hungarisë për t’u takuar me Foto Bollis, një prej dëshmitarëve kryesorë të akuzës në “gjyqin” kundër së ëmës. Kur sheh gjendjen në të cilën është katandisur familja Bollis dhe kupton se nëse nuk do të kishte ikur për në Amerikë ky do të ishte edhe fati i tij, Gage nuk ndien më urrejtje, por përbuzje. Ndalesa tjetër është Zgorzoleci në Poloni, ku shpreson të gjejë Kaliopi Bardakan, një prej informatorëve më të zellshëm të komunistëve në Lia. Kaliopi e shfajëson veten si bashkëpunëtore në dënimin e Eleni Gaxojanis, por Gage nuk kërkonte fajtorin tek ajo, por informata për ‘Zeltas’, kreu i shërbimeve inteligjente të komunistëve në Epir. Ajo, duke e vënë edhe njëherë veten në rolin e informatores, i premton se do ta ndihmojë pasi të takojë të motrën e Zeltas, e cila jetonte aty afër. Të nesërmen Kaliopai Bardaka i zgjat një copë letër ku shkruhej: Zeltas-Kristo Nanopulos, Alkiminis 24 Selanik, Greqi.

Gage ndien njëfarë sikleti nga e gjithë kjo dhe e pohon arsyen e kësaj parehatie. Për të gjetur fajtorët e vrasjes së të ëmës, ai kishte marrë shërbimet e të njëjtës informatore e cila kishte ndihmuar komunistët për ta dënuar atë. Të njëtën metodë.

Pas një ndalese në Çekosllovaki, ku ‘merr në pyetje’ një tjetër dëshmitare, Milia Drubojanin, Gage nga Austria merr avionin për në Selanik për të gjetur Zeltas, shefin e policisë sekrete. Nga biseda me plakun merr atë që konfirmonte informatat e dëshmitarëve të mëparshëm. Kolijani i bazonte vendimet e dënimeve me vdekje në vendime të marra më parë nga një trupë gjykatësish që drejtohej nga një njeri me pseudonimin ‘Katis’.

-Gage kish arritur, më në fund, jo vetëm të identifikonte, por edhe të kishte një dosje të plotë informatash e dëshmitarësh për një ndër përgjegjësit kryesorë, të vetmin  e mbetur gjallë.

Gage vendos që familjen, e cila jetonte me të në Athinë, ta kthente në Amerikë. Në rast se gjërat shkonin keq, nuk donte që gruaja dhe fëmijët të vuanin pasojat e veprimeve të tij. Paketojnë gjithçka për ta marrë me vete në Amerikë, me përjashtim të revolverit Walter PKK, të cilin e lë me një mik të besuar.

Një vdekje e ndan në mes stinën e tij prej Sherlock Holmes-i. Tezja Nicë vdes në Lia dhe ai kthehet në fshat për t’i kryer respektet e fundit. Një ndër to është edhe një gur varri për të cilin është i detyruar të zbresë në Janinë. Duke ecur nëpër qytet, këmbët e ndalin në rrugën ‘Napoleon Zerva’ ku, sipas informatave të siguruara më parë, jetonte targeti i tij, Katis. Aty ku dikur ndodhej emri i tij tani gjendej një tjetër, Jani Kotroci (Kotrotsis). E kap paniku nga ideja se ‘gjykatësi’ i së ëmës mund t’i ketë shpëtuar. Një banore e pallatit i shpjegon se ai kishte lëvizur në Konicë prej edhe nga kishte origjinën. Kërkimet për Katis hyjnë në një spirale tjetër: pas një telefonate me një të njohurin e tij në Konicë merr vesh se “gjahu” i tij ndodhej në Athinë. Përpjekjet për të ndërmjetësuar një takim me të në kryeqytetin grek ‘si gazetar amerikan që interesohet për Luftën Civile” nuk japin fryte dhe Gage i telefonon sërish burimit të tij në Konicë. Lajmi vjen se Katis është kthyer në shtëpi.

-Në faqet e ‘Eleni’, Gage e përshkruan shtëpinë e Katis si “pothuajse në majë të fshatit, një rezidencë vezulluese dykatëshe me mure guri dhe një derë të drunjtë me harqe si hyrje kryesore”. Pasi i ra ziles dhe u prezantua, dera u hap nga një grua e kolme në të pesëdhjetat me flokë ngjyrë gështenjë dhe lëkurë ngjyrë ulliri. Ajo i priu për në katin e dytë, i shërbeu uzo dhe kafe dhe filloi ta pyeste me ngulm për origjinën. Gage i tha shkurt se kishte lindur në Amerikë, por prindërit e tij vinin nga Finiki.

“Hyrja e Katis ishte teatrale. Ai ishte më i gjatë se ç’e prisja dhe pavarësisht vapës kishte veshur një kostum të trashë gri. U prezantua me dinjitet dhe më dha dorën”, shkruan Gage. Pas fjalëve hapëse, dyshimeve dhe emrave të personazheve e detajeve të shkëmbyera sa për të ‘fortifikuar’ njëfarë besimi për qëllimet dhe statusin e bashkëbiseduesit, dialogu vjen e bëhet më i ngjeshur. Kur Gage e pyet për një gjyq kundër një grupi civilësh në Lia, Katis e ndërpret me pretendimin se ai nuk kishte marrë pjesë në ndonjë gjyq civilësh. Mohon gjithashtu se gjatë luftës njihej me pseudonimin ‘Katis’ dhe shton se vendimet merreshin nga qendra, pikërisht nga Kolijani.

“U ngrit në këmbë me rrëmbim. ‘Kaq ishte’, tha me një sjellje që modelohej sipas një zakoni magjisterial. ‘A kemi ndonjë gjë tjetër për të diskutuar?’ Arroganca e tij e zemëroi Gage, që e pyeti nëse do ta pranonte ndonjëherë të vërtetën. Në një shkëmbim fjalish ku sundonte nervozizmi, të dy burrat filluan të kundërshtojnë njëri-tjetrin me dy variante të ndryshme të historisë. Gage bërtet emrin e së ëmës Eleni Gaxojani, por Katis luan të paditurin dhe s’pranon asesi të ketë gjykuar civilë gjatë viteve të luftës në Lia.

Dora e vizitorit shkon mbrapa shpine ku mbante revolverin. Katis vazhdon të mohojë përfshirjen e tij në vdekjen e Eleni Gaxojanit dhe Gage kthehet nga e shoqja “fytyra e së cilës kishte filluar të thithte çka po thosha, me një bindje tmerruese se ishte e vërtetë”. Pëllëmba e dorës vazhdonte të ishte pas shpine mbi revolver. “Tani e dija në mënyrë absolute se doja ta vrisja Katis. Por pjesa logjike e mendjes më thoshte se kishte vetëm një rrugë për të dalë nga fshati. Për të patur një shans shpëtimi duhet të vrisja gruan e tij e cila e kishte dëgjuar me simpati historinë time, por edhe të bijën e cila ishte diku në shtëpi me fëmijën e saj…Ndërkohë mendoja për fëmijët e mi. Ky mendim po më sprapste”. Gage priste një provokim nga Katis, donte që ai ta prekte dhe kjo do të mjaftonte për të justifikuar plumbat. “Deri në dëshpërim doja që ta shihja gjakun e tij të derdhej duke njollosur qilimat nën këmbët tona”.

Në mendje i erdhi imazhi i gjyshit tek zhvarroste trupin e së ëmës. U ngrit në këmbë dhe e pështyu në fytyrë plakun Katis. “Ai u çua dhe për një moment u shndërrua në gjykatësin e guerilasve në pik të pushtetit dhe moshës. ‘Ti më pështyn mua. Mua? A e di se kush jam unë?’, klithi. Prisja grushtin e tij që do ndiqej nga krisma e armës sime. Por gruaja u ngrit në këmbë dhe u fut mes nesh. Ndoshta e pa dorën time pas kurrizit, ndoshta jo. Zëri i saj i mprehtë e shkërmoqi atë moment qetësie të akullt, krijuar teksa ne ishim përballë njëri-tjetrit. ‘Akil! Ndal! Mos lëviz!, bërtiti ajo.”

‘Katis’, gjykatësi komunist nga Konica, një fshat shqiptar në Çamëri kaluar Greqisë pas rikonfigurimit të kufijve në dekadën e dytë të shekullit 20, quhej Akil Lika (Achilleas Lykas).

Teza se përgjegjësit për vrasjen e Eleni G. ishin shqiptarë

1655553_100830071829_100_3540

Në librin ‘Një vend për ne’, faqe 360, autori jep shenjën e parë, gjatë një bisede me Athinën, një prej bashkëfshatareve të së ëmës. Ajo përshkruan një burrë me zë të thellë, që ishte edhe kreu i gjykatësve dhe që e quanin Katis. Gage ndërhyn duke i thënë se ‘Katis’ nuk mund të jetë emri i tij, pasi fjala do të thotë ‘gjykatës’ në shqip (Katis: shpërdorim i Kadi-nga turqishtja: gjykatës. E përdorur edhe në shqip gjatë e pas pushtimit turk). E di, i përgjigjet gruaja, të gjithë guerilasit kishin pseudonime.

“Edhe komandanti i ushtrisë së tyre, i cili u thoshte gjykatësve se ç’duhej të bënin. Ne e thërrisnim Pavlo Arvaniti (Pavlos Arvanitis), por më vonë, kur komunistët u tërhoqën në vendet e Lindjes, ai u bë shefi i Partisë Komuniste në mërgim. Emri i tij i vërtetë doli se ishte Kosta Kolijani (Kostas Koliyannis).

Pseudonimi Arvaniti krijon një lidhje direkte me bashkësinë shqiptare në Greqi, popullsi autoktone që njihen ende si ‘arvanitët e Greqisë’. Duket, dhe do të ishte rastësi e tepruar, që një komunist grek të pagëzohej nga banorët lokalë, edhe ata të ekspozuar ndaj faktorit shqiptar, duke qenë se jetonin në një zonë të paktën greko-shqiptare të Thesprotisë ose Çamërisë. Ky llagap duhet t’i jetë mveshur Kolijanit nga shokët e armëve për të dëshmuar origjinën e tij. Kjo rastësi do të ishte edhe më e tepruar në rastin e komunistit tjetër me pseudonimin ‘Katis’, një emër që sipas vetë interpretimit të Gage te ‘Eleni’ ishte shqiptar. Katis është një tjetër personazh me ‘nota’ shqiptare të cilat bëhen më evidente kur shqiptohet emri i tij Akil Lika (Achilleas Lykas). Një tjetër tregues i shqiptarësisë, ose të paktën tëhuajësisë, të patrajtuar nga autori, por që dëshmohet nga personazhet e tij, jepet në një prej momenteve të përballjes së Gage me persekutorin e supozuar të së ëmës, ‘Katis’ ose Akil Lika. Lika, në përpjekje për të shfajësuar veten, fillon e përmend emra gjykatësish pjesëmarrës në procesin ndaj Eleni Gaxojanis, ndër të tjerë Grigor Papa (Grigori Pappas). Kur dëgjon këtë emër, e shoqja e Likës (‘Eleni’ faqe 620) ndërhyn me zemërim: “E nga ishte ai? Duhet të ketë qenë edhe ai i zgjuar si puna jote!” Me pyetjen e saj gruaja, e ndarë tashmë nga i shoqi ish-guerilas, e identifikon atë dhe kolegun e tij Papa si nga i njëjti vend, si të ndryshëm, si të tjerë. Prej vendit nga janë ata duhet të jenë të gjithë të zgjuar, ironizon ajo. Ky vend mund të jetë fizik, siç edhe është (Lika vjen nga fshati Konicë qartësisht me elemente të theksuara shqiptare), por mund të jetë edhe identitet: ata janë të ndryshëm prej meje, në këtë rast shqiptarë.

Nuk është i anashkalueshëm, madje është përcaktues edhe mjedisi gjeografik e historik në përgjithësi, ku marrin jetë ngjarjet. Në librat e Gage, por siç dimë edhe nga burime të tjera historike e biografike, komunistët grekë lëviznin lirshëm nga Greqia për në Shqipërinë fqinje, sikur të mos ekzistonte kufiri. Përveç një aleance ideologjike të guerilsave grekë me komunistët shqiptarë në pushtet në Tiranë, këtë lehtësi në qarkullim e përcaktonte edhe një faktor tjetër: pikërisht elementi shqiptar i asaj që Gage quan ‘Epir të Veriut’, dikush tjetër mund të quajë Çamëri, Thesproti e kështu me radhë. Komunistët lëviznin lirshëm edhe për shkak të gjuhës ose ndërmjetësve të gjuhës: është më e lehtë të lëvizësh kur në të dyja anët e kufirit flitet shqip. (I njëjti argument mund të bëhet edhe në të kundërt të tij: edhe brenda kufirit shqiptar greqishtja është modus vivendi, duke qenë se në rripin kufitar jeton minoriteti grek).

Po pse e mbulon Gage identitetin e një pjese të përgjegjësve të gjykimit dhe ekzekutimit të së ëmës? Një pohim i aktorëve shqiptarë brenda lëvizjes komuniste greke dhe sidomos në kufirin greko-shqiptar, do të pohonte, automatikisht, elementin shqiptar të shoqërisë greke. Gage bën një kompromis të heshtur e të rëndë që minon në fakt edhe sinqeritetin e tij për gjetjen e përgjegjësve për vdekjen e së ëmës. Ai preferon që një pjesë e përgjegjësve të etiketohen si grekë, edhe pse mund të kenë origjinë ose të jenë shqiptare. Në vend që të fajësojë elementin e përfaqësuar nga dy-tre individë, ai i vë mision vetes ‘të zhdukë’ identitetin e një zone të tërë. Greqia e Veriut me identitet shqiptar fshihet për t’i zënë vendin Shqipërisë së Jugut me identitet grek. Ky bëhet misioni i greko-amerikanit Gage dhe fushatës së tij të futur brenda ‘mbulesës’ së mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve.

Por nuk është vetëm vija kufitare mes dy vendeve ballkanike ku Gage mundohet ta fshijë identitetin shqiptar. Ai bën të njëjtën gjë edhe në Worcester, qytetin amerikan ku shpërngulet dhe jeton bashkë me familjen. Worcester është një ngulim i hershëm i komunitetit shqiptar të Amerikës, të ardhur kryesisht nga zonat shqiptare të krishtera ortodokse të Korçës, rrethinave të saj apo zonave të tjera të Jugut të Shqipërisë.

Një prej tyre është Ted Qirici që Gage e shndërron në grek, duke ia kthyer mbiemrin në Kiritsy. Gage, nxënës në shkollë të mesme, punon për Qiricët, familje e madhe shqiptare, e cila kishte një shitore frutash, pasardhësit e së cilës janë të shpërndarë edhe sot e kësaj dite në shtetin e Massachusetts-it.

Te ‘Një vend për ne’, kur Gage mundohet të japë një numër të grekëve që jetojnë në Worcester thotë se është i pasigurt pasi autoritetet amerikane ‘i regjistronin grekët si shqiptarë ose turq’.

Megjithatë, identiteti i dyfishtë nëpër të cilin lëvizin grekët dhe shqiptarët e Worcester-it rrjedh edhe nga kultura e tyre e përbashkët. Kur Gage përshkruan zakonet e familjes apo të fshatit prej nga vjen, një lexues shqiptar ndihet brenda një mjedisi të njohur. Fejesën e Kristo Gaxojanit, të atit, me të ëmën Eleni Haidis, e përshkruan kështu: Një 20 dollarësh në tabaka pas kafeve e ‘siguroi’ fejesën. Pas kësaj, pakti u festua me një batare plumbash në qiell, me qëllim lajmërimin e komshinjve. Po aty shkruhet se “në Epir rrëmbimi ishte mënyra tradicionale e të marrit të nuses, kur familjet nuk ishin dakord.” Ëmbëlsirat e parapëlqyera të gostive ishin bakllavaja dhe kadaifi. E gjitha, gjithkund në Lia apo Worcester, shkruan Gage, shoqërohet me ‘vallen e valleve’ tsamikon (vallja çame).

Në fund të fundit, e gjitha kjo mund t’i brendashkruhet asaj që shkrimtari shqiptaro-grek Gazmend Kapllani, në një kumtesë të mbajtur në Universitetin e Harvardit, të botuar edhe në revistën MAPO, quan ‘ngjashmëri të padurueshme të Tjetrit”. ‘Tjetri’ është shqiptari, ngjashmërinë e të cilit me grekun e tij ideal, Nicholas Gage nuk e suporton dot.

 

Nicholas Gage është nacionalist mercenar

u3_Fisher-Kallamata-Gage2

ARBEN KALLAMATA

Arben Kallamata kujton debatin me Nicholas Gage në auditorët e JFKSchool of Governmnet në Universitetin e Harvardit. Sejfi Protopapa, aktivisti shqiptaro-amerikan, mori në telefon organizatorët e një forumi për Ballkanin në Harvard duke u thënë se nuk ishte e drejtë që të fliste vetëm njëra-palë, grekët. Amerikanët bien dakord duke i thënë ‘sill një shqiptar’. Protopapa telefonin Kallamatën, asokohe student në Harvard, me bursën Nieman. Kallamata kujton se u takua me Gage në një nga zyrat e Universitetit dhe i tha se kish lexuar librin ‘Elenin’, i cili i kishte pëlqyer. “Në fillim ishte i përzemërt, ndërsa në fund të debatit iku pothuajse pa folur”, pohon Kallamata. Dy dekada më vonë, Arben Kallamata jep të gjitha detajet e atij debati të ndezur në Harvard, i cili në pjesë të caktuara i ngjante një ringu. Pse Nicholas Gage është sa anti-shqiptar aq dhe anti-grek dhe pse ai është, thjesht, një nacionalist mercenar…

 

Kur e keni dëgjuar për herë të parë emrin e Nicholas Gage dhe në ç’rrethana (nëse e mbani mend)?

Duhet të ketë qenë viti 1992. Në atë kohë unë ndodhesha në Universitetin e Harvardit me programin e gazetarisë ‘Nieman’. Emrin Gage fillimisht e pata lexuar, jo dëgjuar. Kisha lexuar pjesë nga libri i tij “Eleni”; dija që kishte qenë gazetar i New York Times dhe që kishte shkruar një pjesë të skenarit të filmit “Nuni” (Godfather). Ndërsa për veprimtarinë e tij nacionaliste nuk kisha dëgjuar deri disa ditë para se të ndodhesha në një sallë me të.

Në vitin 1993 ju patët rastin të përballeshit me të, jo në një forum dosido, por në JFK School of Governmnet në Harvard University. Si ndodhi kjo?

Në qershorin e vitit 1993 unë po mbyllja vitin akademik në Harvard dhe ka shumë të ngjarë që atëherë të kem qenë i vetmi shqiptar aty. Një mbrëmje më merr në telefon një njeri që nuk më kishte rënë rasti ta takoja dhe për të cilin do të krijoja shumë shpejt respekt të veçantë – Sejfi Protopapa. Sejfiu është njeri jashtëzakonisht inteligjent, i drejtpërdrejtë dhe me këmbë në tokë. Ai kishte marrë vesh që Forumi ARCO do të organizonte në Shkollën e Qeverisjes në Harvard (JFK School of Government) një bisedë me temën “Sfidat Amerikane në Ballkanin e Jugut”, dhe se për këtë ishte ftuar Nicholas Gage. Sejfiu e njihte mirë veprimtarinë e Gage; e dinte që ky shëtiste nga një universitet në tjetrin, duke u përpjekur të përhapte idenë se Shqipëria e Jugut popullohej nga një shumicë greke, e cila, sipas tij, përndiqej rregullisht nga të gjitha regjimet në Shqipëri dhe që duhej ndihmuar për t’iu bashkëngjitur sa më parë Greqisë. Duke mos dashur ta lërë Gage të fliste i papenguar edhe në një forum si Shkolla JFK e Qeverisjes, Protopapa u lidh menjëherë me organizatorët dhe u tha se nuk ishte aspak e drejtë që në bisedë të dëgjohej vetëm një pikëpamje për problemet e Ballkanit. Në Harvard njerëzit janë shumë mendjehapur dhe, me ta dëgjuar kërkesën e Protopapës, ata i thanë: Shumë mirë, dërgoni edhe ju shqiptarët dikë që të japë një pikëpamje të ndryshme dhe ne e ndryshojmë formatin e bisedës. Sejfiu u ndodh përpara një vështirësie – gjetjen e këtij njeriu brenda një kohe të shkurtër. Si duket, kandidatura ime si student shqiptar në Harvard iu duk e përshtatshme.

Na kujtoni pak nga atmosfera e asaj mbrëmjeje? Në sallë dukej se më shumë se amerikanë kishte grekë e shqiptarë dhe atmosfera u ngjyros me debate e akuza të forta nacionaliste…

Me sa më kujtohet, në atë sallë duhet të ketë pasur mbi treqind vetë dhe besoj që thuajse të gjithë ishin amerikanë. Natyrisht, disa ishin amerikanë me origjinë shqiptare, disa me origjinë greke. Por, besoj që shumica duhet të ishin të paanshëm. Mbasi folëm Gage dhe unë, të pranishmit kishin të drejtë të bënin pyetje. Disa nga këto pyetje përziheshin me komente të njëanshme dhe shprehnin bindjet e atyre që pyesnin. Sidoqoftë, njerëzit në forume të tilla akademike janë përgjithësisht të kujdesshëm dhe iu shmangën ekstremizmave. Shprehja e qëndrimeve ekstreme më tepër dëmton se sa të bën punë. Nga ana tjetër, në rrethe të tilla akademike amerikanët janë jashtëzakonisht mendjehapur dhe dinë të vlerësojnë.

Në një kontekst më të gjerë, bota shqiptare e vitit 1993 ndodhej në udhëkryq: Në Tiranë sapo kishte ardhur në pushtet një qeveri demokratike, e cila dinte pak nga punët e shtetit; në Kosovë serbët prisnin vetëm sa të mbaronin punë me Bosnjën; ndërsa Diaspora shqiptare ende nuk kishte dalë nga mpirja e Luftës së Ftohtë. Në gjithë këtë pasiguri ju, një akademik i ri shqiptar, takoheshit me një gazetar të sprovuar greko-amerikan, të njohur për tonet e tij, le të themi, shoviniste, Nicholas Gage (Gatzoyannis). A patët frikë?

Çuditërisht jo. Dhe këtë nuk e them për mburrje. S’kisha frikë, sepse nuk isha i vetëdijshëm sa pak dija në atë kohë. Propozimin e Sejfi Protopapës për të marrë pjesë në takim e pranova pa menduar gjatë. Po të isha menduar, ndoshta nuk do ta kisha pranuar. Ndërsa Sejfiu, i cili e dinte se me kë do të përballesha, ishte gjithë kohën si në gjemba. Në  një anë një gazetar i njohur i New York Times, i cili i kishte dhënë amerikanëve fakte për skandalin e Watergate-it, për mafien italiane, apo për shërbimet e fshehta iraniane; autor i një romani të suksesshëm që kishte frymëzuar edhe presidentin Regan në bisedat e tij me liderët sovjetikë; bashkëskenarist i “Godfather”; njeri i regjur me debate, ndërsa në anën tjetër një student i panjohur shqiptar. Gage kishte jetuar  thuajse gjithë jetën në Shtetet e Bashkuara. Unë s’kisha më shumë se një vit atje dhe vija nga një vend deri atëherë krejtësisht i izoluar.

Në fakt, unë në atë kohë nuk dija shumë fakte për pretendimet e organizatave nacionaliste greke në SHBA. Sejfiu më solli një kopje të fjalimit që Gage e lexonte sa në një sallë universiteti në tjetrën. Nga ajo krijova një ide të përgjithshme për çka kërkonte ai. Është e vërtetë që në atë kohë pritej që luftërat e ish-Jugosllavisë të përhapeshin edhe në Kosovë. Logjika e shovinizmit të Milosheviçit aty të çonte. Ideja që Gage përpiqej të nguliste te institucionet akademike amerikane dhe, mundësisht, edhe te politikëbërësit amerikanë, ishte që ngatërresa në Ballkan mund të zgjidhej duke i dhënë shqiptarëve Kosovën dhe duke i dhënë Greqisë pjesën e Shqipërisë nga Shkumbini e poshtë. Kjo mua m’u duk dhe ende më duket një ide e përbindshme, çnjerëzore. Sesi mund të krahasohej Kosova me ato pakica greke në Shqipëri, këtë vetëm një mendje e sëmurë mund ta dinte. Imagjino se çfarë shkatërrimi do t’i sillte një skenar i tillë Shqipërisë! Prandaj mendova që, më tepër se në planin e fakteve historike, më tepër se me anë të debatit cic-mic, ti thua kështu e unë them ashtu, unë mund ta kapja Gage në planin njerëzor.

Para se të futeshin në sallën ku u zhvillua debati, a patët kontakte me Gage? Po pas përfundimit të debatit? A patë ndryshime tek ai?

Takimi para debatit ishte interesant. Unë hyra në një dhomë ku ndodhej Gage, Profesor R. Lucas Fisher dhe një sekretare. Professor Fisher me prezantoi me Gage. Unë i thashë me mirësjellje se kisha lexuar nga libri i tij “Eleni” dhe më kishte pëlqyer. Ai i mirëpriti komplimentet dhe dukej në qejf. Pastaj Profesor Fisher kërkoi të sqaronte formatin e programit, duke i thënë Gaget se mund të fliste një orë. Ky u përgjigj se i duhej të paktën një orë e njëzet minuta, por Fisher sqaroi se, me ardhjen time në program kjo ishte e pamundur. Sidoqoftë, u la që Gage do të fliste një orë dhe Profesor Fisher kërkoi të dinte sa gjatë do të flisja unë.

“Natyrisht që një orë edhe unë,” thashë duke e ruajtur seriozitetin në fytyrë. Ata hapën sytë të habitur. “Pse jo?” ngula këmbë. “Derisa njëra palë merr një orë, ekuilibri e do që edhe mua të më jepet një orë.”

Nuk di ç’do të kisha bërë në qoftë se ata do ta kishin kapur bllofin tim dhe të thoshin “mirë, ke një orë për të folur.” Por Gage protestoi, ndërsa Profesor Fisher më shpjegoi me të butë se unë isha futur në program në minutat e fundit dhe do të ishte e pamundur të më jepnin kohë të barabartë. Unë tregova “tolerancën” time duke pranuar t’i përmblidhja atë që kisha për të thënë në 10 minuta.

Kështu që deri në minutat e fillimit të takimit Gage ishte kryesisht i sjellshëm dhe i qeshur. Në fund, pas takimit, ai u largua thuajse pa folur.

Fjalimi juaj në një moment u ndërpre nga duartrokitje në sallë, ndërkohë që kjo nuk ndodhi gjatë fjalimit të Gage edhe pse ishte tri herë më i gjatë se juaji? Pse, mendoni, ndodhi kjo?

Ndoshta ngaqë unë preka ato tela për të cilat salla ishte më e ndjeshme. Unë fola për njerëz që donin të jetonin në paqe, për grekë e shqiptarë që nuk donin të dinin për shovinizma, por që mund të uleshin, të hanin, të pinin e të këndonin bashkë. Ndërsa ai fliste për lëvizje kufijsh, për pretendime territoriale, për zgjidhje konfliktesh të vjetra me konflikte të reja, për pazarllëqe politike. Ka shumë të ngjarë që mendësinë e njerëzve që ishin të pranishëm në sallë, audiencën e Harvardit, unë ta njihja më mirë se Gage. Kjo bëri që salla të duartrokiste mesazhin e paqes, bashkëjetesës midis popujve, dhe jo mesazhin e konflikteve, e pretendimeve territoriale. Gage e kuptoi këtë dhe u bë nervoz. Madje, në një çast të caktuar ai s’e përmbajti dot veten dhe më quajti “gënjeshtar”. Kjo ishte njëlloj sikur të hidhje peshqirin e bardhë në ring, shprehje e dorëzimit intelektual.

Pas atij debati a keni patur kontakte me Gage-in?

Jo, asnjë herë.

A e keni ndjekur aktivitetin e tij?

Shumë pak.

Presidenti Berisha e pat shpallur Nicholas Gage-in persona non grata në vitin 1993, në të njëjtin vit të debatit tuaj me të. Një dekadë më vonë, kur Berisha ishte kryetar i PD-së dhe Kryeministër në hije, e priti Gage-in në zyrën e tij? Si e shpjegoni këtë ndryshim?

Berisha është politikan dhe nga politikanët mund të priten të gjitha llojet e lëvizjeve. Gage i shkaktoi një dëm të pallogaritshëm politik Berishës më 1995, kur arriti të bindte presidentin e Universitetit të Bostonit që të anulonte dhënien Presidentit shqiptar të titullit “Honoris Causa”. Ngjarja bëri bujë dhe shënoi fillimin e shkatërrimit të marrëdhënieve të Berishës me Departamentin e Shtetit, tatëpjetë që arriti pikën më të ulët me ngjarjet e viti 1997. Gage e akuzonte Berishën, si edhe të gjitha qeveritë që kishin ekzistuar ndonjëherë në Shqipëri, për shkelje të të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri. Natyrisht, këto akuza ishin krejt pa bazë.

Berisha, nga ana e vet, e shpalli Gage të padëshirueshëm, pasi e akuzoi se ishte përfshirë në aktin terrorist të sulmit që iu bë një reparti ushtarak në Peshkëpi, ku humbën jetën ushtarë të pafajshëm shqiptarë. Nuk e di sesa të faktuar e ka pasur Berisha akuzën e tij. Sidoqoftë, Berisha hoqi dorë nga akuza që e lidhte Gage me sulmin e Peshkëpisë, ndërsa Gage hoqi dorë nga akuzat që i bënte Berishës si shkelës i të drejtave të njeriut. Se kush del i fituar në këtë rast, mendojeni vetë.

Si do e shpjegonit këtë pozicionim të fortë nacionalist të Gage-it, edhe pse ai e la Greqinë në moshë të njomë dhe u rrit në Amerikë, një vend të konsideruar si melting pot të kulturave të ndryshme?

Së pari, duhet pasur parasysh që Gage e ka kryer pjesën më të madhe të veprimtarisë së tij nacionaliste si rrogëtar i Federatës Panepirote të Amerikës. Me një fjalë, ai paguhej për të qenë nacionalist. Ishte, si të thuash, nacionalist mercenar. Ai paguhej për të shkuar nga një universitet në tjetrin dhe për të përhapur idenë e persekutimit të pakicave greke në Shqipëri; paguhej për të shkruar në New York Times portrete të Janullatosit; paguhej për të takuar politikanë të rëndësishëm amerikanë dhe për të bërë propagandë kundër Shqipërisë. Megjithatë, ai duhet të ketë qenë nacionalist, derisa e zgjodhën për ta kryer këtë punë. Në romanin ‘Eleni’ ai përshkruan vrasjen e së ëmës nga komunistët grekë. Për këtë ai ka të drejtë t’i urrejë komunistët. Ndoshta, në çaste të mëvonshme të jetës, ai i ka identifikuar shqiptarët me komunistët. Nuk di ç’të them. Sidoqoftë, fakti më interesant për mua është që Gage është gjysmë shqiptar. Unë kam njohur mirë një njeri të afërm të tij i cili ishte nga Saranda dhe betohej që ishte shqiptar, jo grek.

A do ta konsideronit Nicholas Gage-in një antishqiptar?

Unë do t’i konsideroja idetë që shpreh dhe përhap Nicholas Gage jo vetëm antishqiptare, por dhe antigreke. Veprimtaria e tij i kushtohet armiqësimit të dy popujve në Ballkan, të cilët s’kanë asnjë arsye përse të jenë të armiqësuar me njëri-tjetrin. Duke i shërbyer një organizate si Federata Panepirote e Amerikës, Gage del në krah të pjesës më të prapambetur, më injorante, më pak të informuar dhe më pak të emancipuar të emigrantëve grekë në ShBA. Këta janë kryesisht njerëz të shkëputur nga realitetet e Ballkanit dhe Europës, individë që kanë sjellë me vete në ShBA frymën e konflikteve nacionaliste dhe mendësitë feudale ballkanike të fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillimit të shekullit të njëzetë. Këto segmente të shoqërisë përkrahen ose të paktën përfillen edhe nga qarqe të caktuara të politikës dhe Kishës greke. Por kjo s’do të thotë aspak se ato i bëjnë shërbim interesave të vërteta të popullit grek.

Shikoni emrin e organizatës: Federata Panepirote e Amerikës. Jo greke, por Panepirote. Grekët dhe Greqia janë një nocion modern. Epiri është një nocion që i përket lashtësisë. Nuk mund të jesh mbështetës i një nocioni modern nëse vazhdon t’i referohesh një nocioni të lashtësisë. Do të ishte idiotësi të krijoje, ta zëmë, një shtet Kelt, apo një shtet Han, apo Fenikas, apo Mesapotom, apo Dar. Po kështu, sot nuk mund të flitet as për shtet Helen, as për shtet Romak, as për shtet Ilir ose Pellazg, as për shtet Otoman. Rikrijimet e nocioneve të tilla në botën moderne janë ëndrra në diell dhe shfrytëzohen vetëm nga segmente nacional-shoviniste ose për shkak të injorancës, ose për qëllime të caktuara. Ato asnjëherë nuk mund t’i shërbejnë popujve modernë.

Gage pretendon se pakicat greke në Shqipëri janë keqtrajtuar dhe vazhdojnë të keqtrajtohen. Ne shqiptarët kemi shumë kusure, politikanët tanë kanë shumë kusure, në shumë raste ne jemi shumë të këqij për veten. Por pakicat greke në Shqipëri nuk janë keqtrajtuar. Nëse ato kanë vuajtur gjatë komunizmit, vuajtjet e tyre kanë qenë pjesë e vuajtjeve të të gjithë popullit shqiptar. Unë nuk di që pakicat greke të jenë keqtrajtuar nga regjimi komunist më shumë se shumica shqiptare. Hoxha i urrente të gjithë njëlloj – me grekë e me shqiptarë.

Ne shqiptarët duhet të mësojmë se si të trajtojmë më mirë pakicat e romëve, evgjitëve e të tjerëve me të cilat jemi sjellë dhe vazhdojmë të sillemi me një racizëm të ndyrë. Me këta, e pranoj që ne tregohemi të paqytetëruar dhe të paarsyeshëm. Por me pakicat e grekëve ne jemi sjellë gjithmonë si me të barabartë.

Nga ana tjetër, Gage pretendon se komuniteti grek në Shqipëri është të paktën dhjetë herë më shumë nga ç’është në të vërtetë. Për shembull, Gage dhe shokë thonë se në Korçë mbizotëron një popullsi greke. Unë kam jetuar mbi 17 vjet në Korçë; kam kaluar aty rininë time dhe e njoh atë qytet shumë mirë. Familjet greke atje numëroheshin me gishtat e dorës.

Grekët dhe shqiptarët mund të jetojnë shumë mirë me njeri-tjetrin, në paqe dhe mirëkuptim. Ngatërrestarë si Gage apo Federata Panepirote e Amerikës vetëm sa u prishin punë atyre.

Nëse do përballeshit sërish me Gage në një debat tjetër, duke marrë parasysh mendimet e të dyve në debatin e vitit 1993 dhe zhvillimet e mëpasme në rajon, çfarë do t’i thoshit?

Unë do të përsërisja edhe një herë, pa hezitim, mesazhin tim: shqiptarët dhe grekët janë shumë të ngjashëm me njëri-tjetrin. Ata dinë të jetojnë, mund të jetojnë, kanë jetuar dhe, me siguri do të arrijnë të jetojnë në paqe, harmoni dhe respekt të ndërsjellë.

Zgjidhja e Gage në vitin ‘93: Autonomi për Kosovën dhe Epirin e Veriut*

Ashtu si Maqedonia, rajoni i Epirit të Veriut ka patur identitet grek për rreth 3 mijë vjet, por iu dha arbitrarisht Shqipërisë, kur ky komb u formua në vitin 1913 si investim i Austrisë dhe Italisë për të mbrojtur kontrollin e tyre mbi detin Adriatik. Nuk është për t’u habitur që kur banorët e Epirit të Veriut u zgjuan një ditë dhe e panë vetën pjesë të Shqipërisë dhe jo Greqisë, siç edhe prisnin, ata u revoltuan dhe shpallën pavarësinë e tyre. Ata u bindën të qëndronin nën Shqipërinë kur morën premtimin për autonomi nga Protokolli i Korfuzit në vitin 1914, që u firmos nga përfaqësuesit e qeverisë shqiptare. Ky status u forcua edhe nga pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Si rezultat, banorët e Epirit të Veriut janë e vetmja pakicë në Ballkan, e drejta për autonomi e të cilëve është garantuar nga një Pakt dhe mbështetur në ligje ndërkombëtare, një precedent që është përdorur nga grupe të tjera etnike për t’u shpallur autonome. Por Shqipëria nuk i implementoi kurrë detyrimet e saj ndaj Epirit të Veriut. Në vend të kësaj u përpoq të fshinte identitetin etnik të popullatës greke me brutalitet, sa në vitin 1946 senati amerikan kërkoi që rajoni t’i kalonte Greqisë, gjë që u bllokua nga Bashkimi Sovjetik në Konferencën e Parisit dhe më vonë në OKB.

Por të duash që vetëm njëra anë të mos veprojë në Kosovë, jo vetëm që nuk do ta shmangë konfliktin në rajon, por mund të jetë shtysë që përplasjet të fillojnë në gjithë rajonin, sepse popullata shqiptare në rajon mund të mendojë se mbrojtja nga amerikanët mund t’i ndihmojë për të shpallur pavarësinë dhe të fillojnë konfliktin. Kështu lind nevoja për një politikë efektive që u mbyll shtigjet ambicieve etnike të të gjitha palëve në Ballkanin e jugut. Çelësi i një politike të tillë, sipas pikëpamjes sime, është që qeveria amerikane të kërkojë statusin e autonomisë si për Kosovën, ashtu dhe për Epirin e Veriut. Nëse kjo ndodh, shqiptarët do t’i reduktojnë kërkesat e tyre në Kosovë, sepse do t’u duhet t’u japin të njëjtat të drejta grekëve të Epirit të Veriut. Në të njëjtën kohë, serbët nuk mund të refuzojnë t’u japin të njëjtat të drejta politike shqiptarëve muslimanë në Kosovë, nëse këto të drejta u ofrohen edhe sivëllezërve të tyre ortodoksë në Epirin e Veriut. Ky status nuk mund t’u lejojë këtyre pakicave të drejtën për t’u bashkuar me vendet fqinjë Shqipërinë dhe Greqinë, sepse çdo ndërrim kufijsh në Ballkan do të krijonte konflikt në rajon për vitet në vazhdim. Çdo plan që do të injoronte të drejtat e pakicës greke në Shqipëri, por do të njihte të drejtat e pakicës shqiptare në Serbi, është i mallkuar me dështim. Në fakt, do të fuste të gjithë Ballkanin në fund të shekullit në një konflikt më të madh se ai i fillimit të shekullit.

*Pjesë nga kumtesa e Nicholas Gage gjatë debatit me Arben Kallamatën në JFK School of Government-Harvard University.

 

Shqiptarët e ekzagjerojnë me Nicholas Gage

Mark Kosmo*

Herën e parë që dëgjova për Nicholas Gage ishte kur shkova në kinema dhe pashë filmin ‘Eleni’ në mesvitet ’80. Filmi ishte shumë, shumë i fuqishëm dhe unë dola nga kinemaja më i emocionuar se kurrë. Kaq shumë sa bleva edhe librin me të njëjtin titull. Pa dyshim, për vetë faktin se isha rritur si shqiptaro-amerikan, bëri që të ndieja njëfarë lidhjeje me filmin, ngjarjet e të cilit zhvilloheshin në Ballkan.

Kur e rimendoj, them se filmi dhe libri ishte pjesë e rizgjimit tim shqiptar, i cili filloi në fillim të viteve ’90, kur Shqipëria u hap dhe unë kuptova se duhej të përfshihesha, në një mënyrë a tjetër, në ndryshimet e atjeshme. E kuptoj se filmi dhe libri nuk kishin të bënin me Shqipërinë, natyrisht, por për mua ata ishin pjesë e një procesi subkoshient dhe të gjatë që më lidhnin mua me rrënjët e mia shqiptare.

Nuk kam ndonjë mendim për Nicholas Gage, apo edhe për politikën ku janë përfshirë ai, Berisha dhe të tjerë. Nuk e ndjek dhe aq. Nuk është e pazakontë në politikë që njerëzit dhe aleancat të ndryshojnë-Leka Zogu dhe Gage janë shembuj njerëzish të trajtuar krejt ndryshe nga i njëjti person (Berisha) përgjatë kohës. Kjo s’është më shumë se politikë pragmatiste e ngjashme me koalicionet politike (Berisha dhe Meta nuk ishin dhe aq miq 10 vjet më parë).

E di se ka kontroversialitet dhe hamendësimi im është se shqiptarët e zmadhojnë anti-shqiptarizmin e Gage. Mendoj se kjo është ndjesia ime, për vetë faktin se jam rritur në Amerikë, ku krenaria etnike dhe paragjykimet nuk janë dhe aq të forta sa në Ballkan, kështu që e kam të vështirë të imagjinoj që Gage është aq fort antishqiptar sa njerëzit thonë që është-por kjo është thjesht përshtypja ime dhe nuk është bazuar në ndonjë dokument apo ndonjë bisedë me dikë. Gjithashtu mendoj se konteksti historik dhe politik në vitet ’90 është krejt i ndryshëm nga i sotmi dhe tensionet greko-shqiptare janë më të pakta tani se 15 apo 20 vjet më parë.

 *Ekonomist, ish-zyrtar i Bankës Botërore në Tiranë në vitet ’90. Jeton në Boston, ku drejton, si bashkëkryetar, shoqatën shqiptaro-amerikane ‘Mass-Besa’.

 

speaker-300x234

Pakica greke, më e persekutuara në botë*

Nicholas Gage

Asnjë pakicë etnike në botë nuk është persekutuar më shumë gjatë dekadave të shkuara se sa grekët në Shqipëri. Dhe asnjë minoritet tjetër nuk ka vuajtur kaq shumë që nga rënia e komunizmit sesa minoriteti grek në Epirin e Veriut. Epiri i Veriut është një copë strategjike territoresh me përmasat e Delaware përballë fundit të çizmes italiane në pikën më të ngushtë të detit Adriatik. Për shkak të këtij pozicioni si portë e Adriatikut, arbitrarisht u bë pjesë e Shqipërisë kur u çlirua nga sundimi osman në vitin 1913. Italia e Austria këmbëngulën që t’i jepej Shqipërisë, për të shmangur kontrollin  e Adriatikut nga Serbia ose Greqia. Megjithëse banorët e Epirit të Veriut ishin me gjuhë e ndjenja kombëtare grekë, siç ka thënë vetë Ismail Qemali, themeluesi i Shqipërisë moderne në një letër të tij të vitit 1907, ata e panë veten pakicë pas vitit 1913. Ata u panë me dyshim dhe u persekutuan për pjesën e mbetur të shekullit. Persekucioni kapi nivele të paimagjinueshme gjatë sundimit komunist të Shqipërisë nën diktatorin brutal Enver Hoxha. Dhjetëra mijëra grekë etnikë u shpërngulën drejt pjesëve të tjera të vendit në veri, ku ata u ndanë krejtësisht nga patriotët e tyre dhe nga kultura e tyre. Mijëra të tjerë u ekzekutuan dhe disa mijëra të tjerë u dënuan me burgime të gjata punë të detyruar. Në vitin 1989 gazetari amerikan Robert Kaplan vizitoi Shqipërinë. Ai ofron një pamje të plotë të asaj që ka hequr komuniteti grek në Shqipëri. Ja edhe rrëfimi i tij: “Pesë anëtarë të një familjeje ishin grumbulluar rreth një televizori prodhim rus për të parë Dinastinë apo CNN. Si e kaloni këtu, i pyeta. Shumë mirë, më tha i zoti i shtëpisë, por fëmijët heshtën. Djali i madh më shoqëroi në hotel. ‘Unë jam pagëzuar në fshehtësi’, më rrëfeu. Unë jam grek, e ç’mund të jem tjetër. Unë besoj në Zot. Ne të gjithë jemi fukarenj’. Katër ditë më vonë në një fshat aty pranë dy grekë u vranë teksa përpiqeshin të kalonin kufirin drejt Greqisë. Trupat e tyre u varën me këmbë përpjetë në një shesh publik”.

Të gjithë shpresuan se me rrëzimin e komunizmit në Shqipëri dhe me zgjedhjen e një qeverie demokratike në pranverë të vitit ‘92 këto abuzime do të merrnin fund dhe të drejtat e plota të pakicës greke do të riktheheshin. Por qeveria e re në Tiranë ka vazhduar me politikat opresive të së shkuarës. Në vitin 1993, për shembull, ministri shqiptar i Arsimit urdhëroi mbylljen e të gjitha klasave në gjuhën greke në tre qytetet më të rëndësishme të Epirit të Veriut, në zona ku grekët përbëjnë 45-60 për qind të popullatës. Aksione të tilla u dënuan nga Parlamenti Europian. Edhe në zona të tjera klasat janë shkurtuar, shkollat janë mbyllur ose djegur. Nëse para lutës kishte 35 shkolla që mësonin greqisht, tani ka vetëm 62 të tilla. Ndërsa nxënësit që duan të mësojnë anglisht apo frëngjisht mund ta bëjnë këtë fare lehtë, ata që duan të mësojnë greqisht në klasë duhet të dëshmojnë se të dy prindërit janë grekë etnikë. Këto janë raste të qarta të shënjestrimit dhe diskriminimit. Synimi i këtyre masave është sinjalizimi e grekëve etnikë në Shqipëri se fëmijët e tyre nuk do të jenë në gjendje të mësojnë greqisht nëse rrinë në Shqipëri dhe për t’i shtyrë që të shpërngulen drejt jugut për në Greqi. Është një formë e butë spastrimi etnik dhe dhunon të gjitha normat ekzistuese ndërkombëtare Ndërkohë që qeveria shqiptare ka bërë zhurmë të madhe për lejimin e fesë në vend kishat, manastiret, shkollat-kisha apo tokat nuk janë kthyer. Artefakte dhe ikona të çmuara të marra nga kishat nuk janë kthyer gjithashtu dhe qeveria nuk jep asnjë shenjë të rikthimit të tyre te komunitetet të cilave u përkasin. Qeveria refuzoi të kalonte një ligj që njihte Arkipeshkvin Anastas si primat të Kishës Ortodokse. Diskriminimi ndaj grekëve në të gjitha fushat e jetës publike është galopant. Zyrtarët e shtetit përdorin pozicionet e tyre për të ngacmuar, kërcënuar apo shfrytëzuar grekët etnikë, të cilët nuk kanë akses në sistemin e gjykatave. Kur grekët etnikë dhunohen, përdhunohen apo plaçkiten; apo kur shtëpitë, kishat apo bizneset u digjen nga banda kriminelësh, autoritetet tregojnë pak interes. Kjo sjellje e qeverisë padyshim tregon se ka një përpjekje për të mos lejuar që grekët të mbajnë poste. Përgjatë viteve të fundit ushtria shqiptare, sistematikisht ka ushtruar trusni mbi oficerët grekë për të dhënë dorëheqjen. Si rezultat, nuk ka asnjë oficer të vetëm mbi gradën toger në ushtrinë shqiptare, megjithëse ka patur më shumë se 1 mijë të tilla para se qeveria aktuale të vinte në pushtet. Qeveria aktuale udhëhiqet nga Sali Berisha, i pajisur me inteligjencë dhe karizmë të konsiderueshme, i cili është përpjekur ta fshehë rekordin e keq të tij sa u takon të drejtave të njeriut, duke e portretizuar veten si lideri që do të ndërtojë demokracinë e vërtetë në vend dhe duke i treguar gjithkujt që shpreh interes për pakicën greke se është i gatshëm të zgjidhë të gjitha problemet e tyre. Por në realitet ai vazhdimisht i ka pakësuar të drejtat e tyre. Në mbështetje të këtij skenari është edhe thirrja e Berishës për vetëvendosje për shqiptarët e Kosovës dhe shkëputje për enklavën shqiptare në Maqedoni. Sa kohë që pakica greke vazhdon të ekzistojë në Shqipëri, kjo do të sfidojë ëndrrën e nacionalistëve shqiptarë për të krijuar Shqipërinë e Madhe, sepse çdo rebelim në enklavat shqiptare në ish-Jugosllavi mund të detyrojë Greqinë të futet në Epirin e Veriut për të mbrojtur grekët. Por nëse grekët dëbohen, në Ballkanin jugor do të pasojnë konflikte që do kërkojnë përfshirjen e forcave amerikane, të cilat do të rrezikojnë edhe jetën. Për hir të stabiliteti në Ballkanin jugor, për hir të mijëra jetëve amerikane që do të humbasin në konfliktin e atjeshëm, por më shumë se gjithçka për dinjitetin themelor njerëzor, duhet të bëjmë ç’të mundemi për t’u siguruar që grekët etnikë në Epirin e Veriut të mbijetojnë si komunitet. Shpëtojini ata!

*Pjesë të fjalës së Gage në Konferencën e Politikave Legjislative të American Hellenic Institute, 27 janar, 1997.
IMG_0169

 Kush është Nicholas Gage*

Nicholas Gage (i lindur Nikolaos Gatzoyiannis më 23 korrik 1939 në fshatin Lia të Filatit (Thesproti) në Greqi) është gazetar dhe shkrimtar greko-amerikan. Jeton së bashku me të shoqen Joan në North Grafton të shtetit Massachusetts. Është baba i tre fëmijëve Christos, Eleni dhe Marina. Ai u bë i famshëm kryesisht për dy autobiografitë e tij ‘Eleni’ dhe ‘A place for us’ (‘Një vend për ne’). ‘Eleni’ përshkruan jetën e familjes së tij në Greqi gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës Civile Greke. Nëna e Gage, Eleni, u ekzekutua për shkak se mundësoi arratisjen e fëmijëve të saj nga fshati i pushtuar nga komunistët. Dekada më vonë, Gage u vu në kërkim të përgjegjësve për vdekjen e saj. ‘A place for us’ rrëfen përvojat e familjes së Gage si emigrantë në Amerikën e viteve ’50 në qytetin e Worcester-it, në shtetin e Massachusetts-it.

Në vitin 1985 ‘Eleni’ u bë film ku rolin kryesor, Gage, e luajti aktori John Malkovich. Në vitin 1987 ‘Eleni’ u përmend nga presidenti Ronald Reagan si frymëzim për takimet e tij për t’i dhënë fund garës së armatimeve me Bashkimin Sovjetik.

Gage u bë i famshëm fillimisht si reporter investigativ për Wall Street Jorunal dhe New York Times. Pasqyrimi që i bëri veprimtarisë së mafias në ShBA çoi në dy libra që u bënë bestseller The Mafia Is Not An Equal Opportunity Employer dhe Mafia, USA

Hetimet e tij ishin gjithashtu pjesë e ekspozimit të korrupsionit në të shkuarën e zëvendëspresidentit Spiro Agnew, gjë që çoi në dorëheqjen e tij. Gjatë skandalit Watergate, Gage ishte i pari gazetar që dëgjoi Regjistrimet e Nixon-it.

Gage ishte producent ekzekutiv i filmit ‘Kumbari III’ (The Godfather III), duke shkruar bashkë me Mario Puzo-n një draft të skenarit. Libri i tij ‘Eleni’ është përkthyer në 32 gjuhë dhe ka fituar çmimin e parë nga Royal Society of Literature e Britanisë së Madhe dhe duke u kandiduar si një ndër biografitë më të mira nga National Book Critics Circle.

Libri i tij i fundit është ‘Greek Fire’ (‘Zjarr grek’), një dëshmi e lidhjes mes Aristotle Onassis dhe këngëtares operistike Maria Calla, i cili u bë film dhe u dha në kinema gjatë vitit 2011.

Gage është president nderi i organizatës Bota e Epirotëve. Ai vazhdon të jetë aktiv me kumtesa e aktivitete dhe shkruan për mediat, si p.sh. New York Times dhe Vanity Fair.

*Sipas Wikipedia.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s