Crown Agents nuk është rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë

CA_LOGO_RGB1

E kemi pranuar prej kohësh që pothuajse s’mbahen mend patronazhin ndërkombëtar në punët e Shqipërisë. Sa herë ka ngërç, krizë, kaos apo dhe luftë si ajo e 1997-ës, sytë e shpresës drejtohen nga Roma, Vjena, Berlini, Londra, e sidomos Uashingtoni. Ky ‘partneritet’ nevoje, ky patronazh dhe paternalitet në daç është herë-herë edhe arbitrar, por të shpëtojmë prej tij ose s’kemi ditur, ose s’kemi dashur ose edhe mundur nuk kemi.

Një rast patronazhi, kësaj here i paguar me një shumë (të majme duhet thënë) financiare është edhe ky i agjencisë britanike ‘Crown Agents’ që do të mbikëqyrë punët e doganave shqiptare. Doganat, edhe kjo ashtu si patronazhi është dije e përgjithshme në Shqipëri, nuk janë nga ata sektorë të administratës apo ekonomisë me të cilin mund të krenohemi. Aq pak të tilla sa një doganier është edhe njëfarë personazh i folkut dhe legjendave urbane pezhorative. Njëfarë Robin Hood-i në kahje të kundërt. Pra ardhja e një agjencie të huaj, më shumë kështu kur ajo është britanike, është një lajm i mirë. Crown Agents është një sigël e njohur britanike, madje ajo ka qenë pjesë e shërbimit publik deri në vitin 1997 kur u privatizua, me sa duket kapur nga bishti i përpjekjeve thatcheriste të kryeministrit Laburist, Tony Blair.

Këtij kredibiliteti i është bërë mbështetje edhe ambasada britanike dje, kur me anë të një deklarate për mediat ka kundërshtuar akuzat ndaj kompanisë në fjalë duke u shprehur se ajo është shumë e respektuar në Britaninë e Madhe dhe duke numëruar edhe disa suksese ndërkombëtare të saj. Akuzat ndaj Crown Agents i ka quajtur të pabaza.

Megjithatë ka momente kur mbi pajtimin e kompanisë britanike për të shërbyer si rregullator apo mbikqyrës i administratës doganore shqiptare lëshon hijet e veta dyshimi. Kryetari i opozitës Basha për shembull, me të drejtë, vërente dje një kontradiktë në ‘tejkalimin e planit’ nga shefja e re e doganave E. Spiropali dhe një procedure të përshpejtuar të qeverisë për të sjellë në Shqipëri Crown Agents. Cili është nxitimi nëse punët po shkokan mirë dhe plani po tejkalohet?- ishte ideja e z. Basha.

Një tjetër fundnotë (ose*) e marrëveshjes qeveri shqiptare- Crown Agents ka të bëjë me përjashtimin nga taksat të kësaj të fundit. Sidomos bie në sy një ‘mbyllje syri’ nga ana e qeverisë së majtë, kur një prej kuajve të betejës elektorale të saj si opozitë e djeshme ka qenë premtimi për taksë progresive: pra, kush fiton më shumë taksohet më shumë. Biem dakord besoj se 4.5 milionë euro herë 2 janë të barabarta me 9 milionë euro dhe ky është një fitim që klasifikohet si shumë, dhe po shumë duhet paguar në taksa? Pse ky precedent që shkon përtej taksës së sheshtë apo asaj progresive duke futur kështu në përdorim një ‘taksë të re’, atë zero?

Ky precedent i përjashtimit nga taksat të një kompanie të huaj mund të ketë predispozita dëmtuese për klimën e biznesit në raport me investitorë apo rregullatorë të tjerë që vijnë nga jashtë. Si mund t’u shpjegohet të interesuarve të tjerë për prani biznesi në Shqipëri ky përjashtim nga rregulli i Crown Agents nëse edhe ata e kërkojnë një ‘favor’ të tillë? Mund të ketë pikëpyetje dhe vërejtje të tjera të cilat ia zbehin rëndësinë pajtimit të Crown Agents si mbikqyrëse e doganave shqiptare, e megjithatë një dorë dhe sy i huaj, një ekspertizë britanike te doganat është një lajm i mirë dhe aspakrreziku anglo-amerikan për Shqipërinë. Variablat mund të jenë të diskutueshme, siç edhe gjithmonë janë, por thelbi mbetet i njëjtë: ende jemi në nevojë të patronazhit ndërkombëtar. Na pëlqen ose jo.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s