Kadeli, një ngjarje që ka ndodhur apo që pritet të ndodhë?

gjovalin-kadeli

A i mban mend kush emrat e katër deputetëve socialistë që iu bashkuan mazhorancës së djathtë në vitin 2007, kur në Kuvendin e Shqipërisë luhej akti i fundit i melodramës së zgjedhjes president të nënkryetarit të Partisë Demokratike, Bamir Topi. Përveç ndonjëdie hard-i të kronikës politike apo reporterëve që mbulonin parlamentin, pakkush ka në kujtesë vend për emrat e tyre. Arsyet e kësaj amnezie janë të thjeshta, por shpjegimi i lëvizjeve bizare politike është po aq i thjeshtë: gjithkush e ka një çmim, sidomos ata që vijnë nga periferia drejt qendrës, më shumë kështu ata që qendrën nuk e kanë vokacion, por aksident. (Qendrën jo si gjeografi, por si kontribut publik).

Luan Duzha, deputeti republikan që kaloi me LSI pikërisht kur mazhorancës i duhej vota e 84 për Aktin Normativ, është gjithashtu shpjegim i kësaj. Por ka një gabim të madh te përpjekja për t’i demonizuar këta ikës të vegjël në “momente të mëdha”, këta kalimtarë të rastit në pedonalen e madhe të politikes dhe publikes. Promovuesit e tyre po, ata duhen filluar e gjykuar për zgjedhjet që bëjnë. Këta promovues janë kryetarët e partive politike shqiptare. Për rastin e fundit të një deputeti që përdori nënkalimin e radhës për të ndërruar kamp për shembull, atë të Gjovalin Kadelit, duhet gjykuar Sali Berisha, ish-kryetari i Partisë Demokratike. Duke i thënë që, sa mirë që në Parlament nuk u fut Asllan Dogjani, ish-deputeti socialist që u kandidua në listat e PD në Tiranë.

Sigurisht, një pjesë e gjykimit dhe qortimit i kalon edhe opinionistëve pranë të djathtës (përfshi autorin e këtyre radhëve) të cilët para zgjedhjeve i njatjetuan lëvizjet e Berishës në thithjen e elementëve ‘të huaj’ në lista e PD, si strategjike. Ndoshta duke thënë në publik atë që nuk ia pëshpërisnin vetes. Mea culpa.

Megjithatë, çka ndodhur ka ndodhur dhe jo domosdoshmërisht, sa mirë për këtë, e gjitha është histori. Por pyetja që ia vlen të bëhet pas lëvizjeve të fundit është: a ka më shumë kronikë të së sotmes apo histori të së nesërmes në dy blerjet e fundit të Klubit Politik Meta (lexo LSI)?

Në një lexim të parë e të shpejtë duket se konveniencat e Duzhës e Kadelit janë përputhur me ato të Metës. Dikush ka kërkuar një exit nga x gjendje dhe e ka marrë. Por, a është duke u luajtur exit pas exit-i një exit strategy finale e Metës? Shefi i LSI përtej qetësisë olimpike që reflekton nga podiumi mbi kryet e të gjithëve në Kuvendin e Shqipërisë, nuk është se nuk e mendon një Operacion Dimri, për të përdorur një simbolikë me LANÇ që një të majti do i pëlqente. Në këtë kuptim, kalimi i Gjovalin Kadelit dhe më parë i Luan Duzhës, janë paraprojekte për një kërcënim, përplasje apo ‘luftë finale’ në mazhorancë. Ajo mund të mos ndodhë kurrë, por rekuizitën politike për një luftë të mundshme është mirë ta kesh gati. Meta nuk është aq i qetë sa duket, dhe përtej fasadës e cila zbulon një Ramë që i lë ministrat e Metës të bëjnë ç’të duan, rri në pritë edhe rreziku më i madh. Ndoshta atë guxim që nuk e pati dot Berisha, atë besë të çuditshme që nuk e theu ai, mund të jetë i Ramës për ta patur dhe i tiji për ta thyer.

Shumë besojnë se teatri politik shqiptar sot do të ishte kryekreje ndryshe nëse Sali Berisha do të kish prishur koalicionin PD-LSI pas videos Meta-Prifti, duke i hapur rrugë një vendimi të pandikuar dhe një rrjedhe të lirë të ngjarjeve. Pak besojnë se në një rast të ngjashëm Edi Rama do të ishte sjellë njëlloj me Ilir Metën. A mund të shfaqet ky rast? A është liria e pakufizuar e Metës dhe të tijve, në qendër dhe në rrethe, pasaportë lirie apo një kufizim i rrezikshëm? Ngjarjet do të jenë më të guximshme se ne dhe do të na i tejkalojnë pritshmëritë. A nuk e kanë bërë gjithmonë këtë?

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s