Dyzet ditët e Partisë së Propagandës

Saimir-Tahiri

Kur Saimir Tahiri ishte deputet i Partisë Socialiste dhe aspirant për Ministër të Brendshëm, përgjatë një muaji si gushti të mbushur me vrasje, aksidente e të tjera,nuk pushoi së shpalluri se gjendja e rëndë dhe mungesa e rendit në vend lidhej drejtpërdrejt me mangësitë e ministrit në detyrë asokohe, Flamur Noka. Tani rolet kanë ndryshuar. Ish-ministri Noka ka bërë vetëm një dalje publike, ndërkohë që numri i atentateve, vrasjeve, aksidenteve dhe amullisë në trafik vazhdon të jetë kërcënues, sikur asgjë të mos kish ndryshuar në drejtimin e vendit. Sikur asnjë ministër të mos ish ndërruar.

Dyzet ditë ndoshta janë pak për të profilizuar një qeveri ende të re. Le të themi megjithatë, me anë të një parabole cinike se të dyzetat e qeverisë së kaluar dhe dyzet ditët e nusërimit të qeverisë së re të lënë shijen e një karamboli të madh në një prej rrugëve të çmendura të Shqipërisë. Më shumë se sa të një serie shenjash që na japin të kuptojmë se si do të udhëheqë kabineti i ri. Kjo sepse lëvizjet e deritanishme kanë qenë spektakolare, por fillestare; zhurmëmëdha, por selektive.

Rendi dhe siguria nuk janë përmirësuar në dyzet ditë. Madje nuk është përmirësuar as imazhi apo besimi, i cili nëse ekziston, shërben edhe si njëfarë pararendësi apo gardiani i gjendjes. Ministria e Brendshme u vu në siklet pas një shpërthimi të dalë huq që u skicua për të prodhuar forcë dhe magjepsje, por kërkoi një ndërhyrje mekanike kur teknologjia e dinamitit nuk e bëri punën.

Këmbanave të ekonomisë u është rënë më fort se të gjithave dhe qeveria ka kaluar në parlament me anë të një akti normativ një shtesë në buxhet, gjithashtu të kundërshtuar nga opozita me arsyetimin se po merret borxh shtesë për shpenzime qeveritare dhe jo për punë publike apo shërbime ndaj publikut. Qeveria e re ka kundërshtuar veten kur e ka shtyrë borxhin publik në kufijtë e 70 përqindëshit nga kufijtë e 60-tëshit ku e gjeti, duke harruar edhe një deklarim gjatë fushatës elektorale sipas të cilit, borxhi publik i qeverisë Berisha shkonte në 100 për qind të PBB, por ky fakt po fshihej.

Në planin politik të brendshëm mazhoranca, sidomos me aktin normativ me të cilin përmbysi ligjin e Nëpunësit civil, sinjalizoi riciklimin e klimës së mosbesimit dhe përplasjeve me opozitën. Përveçse prishi votën unanime të majit për Nëpunësin…ftoi opozitën që të ulej me të për t’u pajtuar për minimin e konsensusit, dhe në përmbyllje të këtij cinizmi i shkëputi pakicës edhe një deputet republikan duke i siguruar vetes 84 votat e një shumice të cilësuar, e megjithatë antikonsensus.

Gjeopolitikisht shefi i qeverisë së re ka hapur një love affair provokues me Turqinë dhe kryeministrin Erdogan, pavarësisht imazhit ndërkombëtar prej autoritaristi të këtij të fundit. Rama e ka shpallur partner strategjik Turqinë, por pa dhënë ende arsyen apo arsyet, madje i kompleksuar për të pranuar se diplomacia ekonomike është një prej mjeteve të politikës së jashtme, dhe asgjë për t’u qortuar. Me Greqinë dhe Italinë, të dyja në sizmikat e tyre të telasheve ekonomike, ka zgjedhur politikën e deklaratave ‘të ngrohta’. Me Athinën ka krijuar një kordon diplomatik reciprociteti. Ndoshta me vend e me mend.

Punë, në kuptimin e një gjëje që është filluar e mbaruar, ka shkuar nga një vend në tjetrin, është bitisur, kur i thonë, nuk kemi parë. Po të përjashtojmë ndoshta një të ministrit të Punës(!) Erion Veliaj, i cili u ka bërë strehë romëve të mbetur peng të katër rrugëve, diku mes Lanës e Pallatit me Shigjeta. Por, 40 ditë ndoshta janë shumë pak për punë. Puna, ashtu si harrimi, fillon e ndodh pas të dyzetave.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s