Bojkoti, për të cilin PD nuk ka folur

kuvendi_i_ri

Një gjë e dimë si bukën që hamë: opozita shqiptare nuk e ka shpallur as edhe njëherë të vetme, madje as me nënkuptim, togfjalëshin bojkot parlamentit. Si mundet atëherë që e ka bërë xhiron e botës dhe është futur në përditësim, sa nga gazetarët, sa nga komentatorët politikë, duke rrjedhur edhe anash, poshtë e lart në opinion? Përgjigja e kësaj vjen gjithashtu me një siguri të rendit të lartë, të llojit si uji që pimë: është një prodhim bruto i mazhorancës.

E cila duhet thënë është e marinuar mirë në punë të bojkotit. Aq shumë sa, për një kohë të gjatë, e bëri braktisjen e parlamentit të vetmin stil politik. Duket se ende është në inercinë e bojkotit të djeshëm, e bashkë me të edhe të të parit të vetes si opozitë, sepse i ka transferuar pakicës së re parlamentare një teknikë opozitarizmi të cilën ajo vetë, me anë të përfaqësuesve të saj zyrtarë, nuk e ka artikuluar ende.

Nëse opozita nuk e ka shpallur publikisht bojkotin, edhe pse të paktën në një rast, atë të kalimit me arbitraritet dhe trafikim deputetësh të Aktit normativ, i cili zhbëri jo vetëm ligjin e Nëpunësit civil por edhe konsensusin, ajo as nuk do ta shpallë. Dhe kjo për disa arsye. Kryesorja është rëndësia që ka aula e Kuvendit të Shqipërisë, jo vetëm në paraqitjen e kundravajtjeve të mazhorancës, por edhe të argumenteve të opozitës. Opozita, edhe pse nuk mund të pengojë kalime ligjesh në parlament për mungesë numrash, mund t’i diskreditojë ato dhe qëllimet e qeverisë duke i përimtuar me anë të ekspertëve të cilët nuk i mungojnë. Partia Demokratike, nuk mund të ikë nga Kuvendi duke i lënë hapësirë një loje të mundshme Mickey mouse me grupëza politike të cilat mund të tundohen për të simuluar rolin e opozitës. Edhe nëse në këtë kurth nuk bien Shpëtimi Idrizi me të tijtë, apo Nard Ndoka me veten, makiavelizmi i Ilir Metës do të prodhojë herë pas here centrifuga të vogla opozitarizmi me anë të grupit lësëist, ose qoftë edhe një pjese të tij. Kjo nuk rrezikon vetëm forcën tërheqëse të PD si opozitë, por edhe parlamentarizmin. Nëse PS pas bolshevikëzimit të parlamentarizmit në legjislaturën e shkuar do të tentojë edhe parlamentarizëm të simuluar kjo e kthen historinë në aksin famëkeq ‘45-‘91.

Një arsye tjetër se pse PD, as nuk do të bojkotojë e as nuk duhet ta bëjë këtë, është momenti psikologjik ku do e fuste grigjën e vet opozitare. Më shumë se si akt force bojkoti do shihej si akt dobësie. Shumë do të mendonin se ç’rëndësi ka nëse jemi apo jo në parlament: nuk ndryshon asgjë, ata i kanë numrat për të vendosur diktatin. Një përballje, edhe pse e pabarabartë numerikisht, i shton kredibilitet opozitës, përveç empatisë: kjo sepse salla e Kuvendit është në njëfarë kuptimi edhe një arenë sportive. Njerëzit bëhen me atë, që në gjuhën e sportit njihet si underdog, me lojtarin apo skuadrën më të dobët. Kjo sepse përveçse një ndeshjeje të mirë, ata shpresojnë te fitorja e më të voglit duke qenë se i vogli janë vetë. Por, dhe kjo përbën një tjetër arsye të mosarsyes së bojkotit: te kjo ‘vogëlsi’ dhe ‘dobësi’ qëndron paradoksalisht edhe forca e Partisë Demokratike dhe grupit të saj parlamentar. Edhe pse i rrudhur grupi parlamentar demokrat është, të paktën më vokal se ai socialisto-lësëist. Rreth gjysma e deputetëve të mazhorancës janë figurina, i vetmi kontribut politiko-logjistik i të cilëve do të jetë ngritja e kartonit kur ta kërkojë lidershipi. Ata nuk njihen as si profesionistë të fushës, as si demagogë. Më shumë se ligjbërës një grusht prej tyre janë ligjzhbërës. Më shumë se diskutantë, një grusht tjetër janë debutantë.

Një bojkot gjithashtu do të zhbënte profilin e pozitivistit tek i cili ka investuar kryetari i demokratëve, Basha. Pa pikë dyshimi, te ky portret i qetë, edhe pse vetë hyn dhe preferon rolin e skifterit, ka investuar edhe ish-kryetari i PD, Berisha. Një ndërrim kursi tani është shenjë se PD zgjedh të bëjë zhurmë për asgjë, në një kohë kur kjo mazhorancë premton një babel me skizofreni politike të cilat mund të shndërrohen në gjuhë opozitarizmi.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s