Mazhoranca që kërkon konsensus për të prishur konsensusin

kuvendi_i_ri

Ligji nuk duket shqetësimi i parë i mazhorancës së majtë, që ka marrë në dorë frerët e qeverisë. Legjenda urbane shëtit, e tillë dhe kryeneçe, dhe thotë se në krye të piramidës qarkullon si qesëndi dhe arrogancë shprehja “pse, ligjet do të na pengojnë ne për ta bërë Shqipërinë?”

Por nuk janë vetëm ligjet, të cilat në fakt hartohen shpesh, e jo rrallë miratohen në këtë vend, të cilat kanë filluar të anashkalohen apo nëpërkëmben në pushtetin e ri që ka filluar të imponohet me pretendimin ‘për të bërë Shqipërinë’. Apo konsensusi, që është një gjë fort e rrallë në këto anë, dhe për arritjen e të cilit duhen dhjetëra dërgata ndërkombëtarësh e qindra situata të brendshme, të cilat zhvillohen aq shpejt sa djegin njëra-tjetrën ende pa marrë formë.

Ligji dhe konsensusi për Nëpunësin civil, janë pushkatuar, për të përdorur pak nga leksiku i kryetarit të opozitës, me çiften dyshe të gjuetisë të çiftit qeverisës Rama-Meta. Opozita e ka braktisur parlamentin pa thënë se është bojkot dhe pa lajmëruar një afat: përkohësinë apo përhershmërinë. Pavarësisht se cili do të jetë vendimi i opozitës, ngjan hipokrite shtrirja e dorës për konsensus që mazhoranca e re arrogante duket se i bën opozitës së mpakur. Jo vetëm pasi ka trafikuar një prej deputetëve të saj duke siguruar numrin e artë 84, që ia bën komod kalimin me shumicë të cilësuar të një ligji që është miratuar me konsensus në maj. Por edhe se nuk mund të kërkosh konsensus për të prishur konsensusin.

Cilat janë në fakt implikimet e ndërhyrjes së mazhorancës në ligj? Një implikim i madh me dy degë të mëdha: zgjat tranzicionin në vend, sepse i vë shkelmin konsensusit duke rikthyer klimën e mosbesimit dhe rikthen amullinë në administratën publike. Nëse konsensusi mund të arrihet sërish, administrata publike është një realitet dhe koncept edhe më i brishtë. Administrata është, jo vetëm një prej kuptimeve të shtetit, por edhe vetë shteti. Filozofia e drejtimit të shtetit është diçka tjetër: ajo mund të jetë e majtë, e djathtë, e qendrës, liberale, konservatore, autoritariste etj, ndërsa administrata është struktura, ngrehina e shtetit. Kjo veshje me fjalë nuk do të thotë se shteti i prirë prej Demokratëve iu nënshtrua një procesi të qelibartë të trajtimit të administratës. Aspak kështu. Ka patur krahinarizma, ideologjizma, nepotizma e mediokritet gjatë emërimeve në administratë, por qeveria Berisha, në një stil konservator, e zvogëloi atë duke futur konceptin e shtetit të vogël. Këtij koncepti iu shtua një tjetër vlerë me kalimin konsensual të ligjit të Nëpunësit civil për të cilën ndihmuan me ekspertizë edhe partnerë ndërkombëtarë. Brenda kësaj kornize ideologjiko-ligjore duhej parë rikonceptimi i administratës, dhe jo përmbysja e saj të paraqitej si shpëtim.

Aktet nënligjore të Nëpunësit…mund ta kishin veshur ligjin me besueshmëri dhe jetëgjatësi duke futur testimet dhe ritestimet si shtesë e konkurseve të rregullta. Një punë në administratë nuk është një ‘vend pëllumbash’, por një konkurrencë e përhershme. Shteti është përherë në lëvizje, siç janë nën peshën e saj edhe teknologjia, shkenca, arsimimi dhe burimet njerëzore. Një nëpunës nuk është ndryshe nga një mjek që duhet t’i rifreskojë dhe shtojë njohuritë e tij për të mos u lënë pas nga dijet dhe tregu. Sepse edhe shteti duhet të futet në treg.

Ky me sa duket nuk është koncepti i shumicës së re. Nuk është në frymëzimin dhe shtetbërjen e së majtës, me sa kuptohet, as një administratë dy-nivelëshe si ajo amerikania. Njëri nivel si aset publik dhe tjetri si aset politik. Ky i fundit mund të zëvendësohet sa herë një mazhorancë e re krijohet, por jo e gjithë ose shumica e administratës. Ky rifillim i tranzicionitduket se ndodh jo vetëm si përpjekje për të plotësuar me ofertë kërkesën për punë të militantëve të PS-LSI. Duket se është edhe një psikologji për të mos e parë shtetin si kontinuitet por si fillim të ri. Është Skënderbeu i fjalëve të Fan Nolit, i kthyer kokëposhtë: lirinë (shtetin) nuk e gjeta mes jush, por jua solla unë.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s