A jeni bolshevik ju z. Blair?

1383578_10151707402256523_1918294702_n

Partia Laburiste synon: Të sigurojë për punëtorët, me dorë ose me mendje, fryte të plota të punës së tyre dhe ndarjen më të barabartë të mundshme mbi bazat e pronësisë së përbashkët të mjeteve të prodhimit, shpërndarjen e këmbimin dhe sistemin më të mirë të mundshëm të administrimit popullor dhe kontrollin e çdo industrie apo shërbimi. 

Sa më sipër është Paragrafi 4 i Statutit të Partisë Laburiste Britanike, hartuar nga Sidnney Web në vitin 1917. Tony Blair e kritikoi këtë paragraf në vitin 1993 kur ai u bë kryetar i Laburistëve dhe si pjesë të Laburistes së Re (New Labour) ai arriti ta hiqte këtë atavizëm të majtë si kredo të partisë në vitin 1995.

Varianti i ndryshuar lexon:

Partia Laburiste është një parti demokratike socialiste. Beson se nëpërmjet fuqisë së përpjekjeve të përbashkëta ne arrijmë më shumë se sa më vete, në mënyrë që të krijojë për secilin prej nesh mjete për të realizuar potencialin tonë të njëmendtë dhe për të gjithë ne si bashkësi në të cilën pushteti, pasuria dhe mundësitë janë në duart e shumëve, jo të disave, kur të drejtat që ne gëzojmë pasqyrojnë detyrimet që kemi, dhe ku ne jetojmë bashkë, lirisht, në një shpirt solidariteti, tolerance dhe respekti. 

Këto dy variante që shpjegojnë një Parti Laburiste me dy mendësi dhe të ndryshme në kohë shpjegojnë gjithashtu edhe lëvizjen cilësore të shndërruar në sasi, në tri fitore radhaz për Laburistët pas 18 vitesh në opozitë. Pjesa më e madhe e këtij shndërrimi i takon sigurisht instinktit politik dhe stilit reformator të Tony Blair.

Nuk mundet ky respekt për rolin e tij në historinë e Britanisë apo dhe të botës, dhe as ndihmesa e madhe që ai i ka dhënë çështjes shqiptare, apo ai betimi i vjetër se miku në besë nuk pritet meqë mik të shtëpisë kombëtare e kemi, pa i bërë një pyetje të vetme. Pse z. Blair jeni duke i dhënë këshilla një partie socialiste si ajo shqiptare, fokusi dhe verbi politik i së cilës duket qartë është më i afërt me Paragrafin 4 të Laburistes britanike të vitit 1917, sesa me Laburisten tuaj të vitit 1993 e në vazhdim?

Pavarësisht pudrës britanike të shpërndarë pakursim, portreti i programit qeverisës të mazhorancës së majtë po shfaqet gjithnjë e më shumë etatist, gjithnjë e më shumë centralizues, gjithnjë e më shumë bolshevik. Shtetëzimi duket se është kryefjala e të gjithë aksioneve dhe përdorimi i termit publik janë një vend ku jo dhe aq larg sa kujtohet, edhe fryma që thithej i përkiste shtetit, njëfarë alarmi e bart. Apo njëfarë lehtësie për të parë te ligjet jo elastiken por fakultativen, njëfarë shkujdesje në raport me to të tipit “pse ligjet do të na pengojnë ne të revolucionarizojmë Shqipërinë?”. Apo njëfarë nonchalance ndaj kontratave, ndaj kontratës si të tillë, të lidhura më herët e nga të tjerë, kjo s’ka rëndësi.

Ka edhe një paradoks tjetër. Blair ka ardhur në Shqipëri katër vjet me vonesë. Sepse në fakt 2009-a do kish qenë triumfi gjenuin i Rrugës së Tretë të tij, të marrë nga Anthony Giddens, trupëzuar nga dishepulli i tij z. Rama në sloganin “përtej së majtës e të djathtës”. Tani deviza e re e qeverisë, politikat e së cilës do të këshillojë apo mbrojë z. Blair janë në fakt edhe përtej së majtës. Aq përtej, sa duken se shkojnë drejt Paragrafit 4 të paraardhësit të z. Blair në gjirin e Laburistëve britanikë në vitin 1917, ose ndryshe vitin e revolucionit bolshevik.

Edhe njëherë për kujtesë:

Partia Socialiste synon: Të sigurojë për punëtorët, me dorë ose me mendje, fryte të plota të punës së tyre dhe ndarjen më të barabartë të mundshme mbi bazat e pronësisë së përbashkët të mjeteve të prodhimit, shpërndarjes dhe këmbimit, dhe sistemin më të mirë të mundshëm të administrimit popullor dhe kontrollin e çdo industrie apo shërbimi. 

Se si në fakt do të shpërndahen frytet e dorës dhe mendjes pas vjeljes së tyre dhe pas administrimit popullor dhe kontrollit të çdo industrie apo shërbimi nuk është temë e këtij shkrimi.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s