Katër rreziqet e përmbysjes së Ligjit të Nëpunësit Civil

qeveria-mbledhja-e-pare

Në pamje të parë duket se ngulmi i mazhorancës së majtë për t’i futur stërkëmbësha ligjit të Nëpunësit Civil, tani kur nuk i intereson më neutraliteti i tij, duket si një histori e përsëritur. PD e PS e kanë bërë me radhë këtë lojë duke e kthyer administratën civile në një strehë militantësh, kryesisht të paaftë, talenti kryesor i të cilëve është përkushtimi partiak dhe roli permanent i mitingashit. Gjendemi megjithatë në një moment të veçantë i tillë për katër arsye, dhe zhbërja e ligjit të votuar në fund të majit është katërfish më implikuese dhe katërcipërisht më e gabuar.

Arsyeja e parë është konsensusi i cili është dashur për të arritur te ky ligj. Vetëm në fotofinish, kur u duk se nuk kishte më asnjë shpresë, Partia Socialiste dhe Rama edhe me një ndërhyrje ndërmjetësuese të Metës, tashmë i ikur nga qeveria në drejtim të opozitës, u arrit kalimi në parlament i ligjit që bashkë me gjykatën administrative dhe rregulloren e Kuvendit plotësoi kushtin e fundit të BE dhe i hapi rrugë mundësisë për statusin e vendit kandidat në dhjetor. Konsensusi ishte një shenjë e mirë nga dy palë që rrallë janë treguar lëshuese me njëra-tjetrën dhe kanë luftuar dhëmb për dhëmb për grimën e fundit të kapitalit politik. Në këtë rast, investimi negativ i Ramës është veçanërisht kryeneç. Ngulmimi i tij për të mos i kaluar ligjet edhe pa arsye të forta gjeti më në fund një gozhdë ku të varej, pikërisht te një përplasje për këshillin e qarkut të Fierit. Është e njohur tashmë aksioma e pakundërshtueshme socialiste e asokohe “Brukselin për Fierin”. Të kthyerit mbrapsht në gjurmë të rrahura përplasjesh flet jo vetëm për pretekstet dhe  situatat e vjetra të Ramës por edhe për një këmbëngulje në konfliktualitet të tij, sidomos tani kur numrat e mazhorancës ia lejojnë edhe zemërgjerësinë edhe galanterinë.

Arsyeja e dytë lidhet me të parën dhe madje kushtëzohet nga ajo. Kalimi i statusit të ligjit për Nëpunësin Civil nga ‘i miratuar’ në ‘pezull’ do të emëtojë sinjale alarmi në Bruksel. Jo vetëm se mund të shihet si dalje nga natyra e qetë e konsensusit dhe futja në konfliktualitet të panevojë, por edhe se BE nuk ka ndërmend të paguajë dy herë për të njëjtin trajnim, gjë që do të ndodhë nëse nëpunësit shqiptarë e shohin veten në rrugë për t’u zëvendësuar nga të tjerë në bazë të kritereve partiake. Shqipëria mund ta shohë veten edhe njëherë përballë një drite të kuqe nga Europa. Është ironike kjo ‘plagë e vetëshkaktuar’ nga Rama po të kujtosh deklaratën e tij se nën qeverisjen e majtë Shqipëria do të anëtarësohet në BE në vitin 2020. Një ‘Jo’ në dimrin e 2013-ës e sheh edhe më të ngushtuar këtë dritare duke i lënë vetëm 5 vjet, një fragment kohor që duket mikroskopik po të kesh parasysh zvjerdhjen që ka pushtuar vendet e BE në raport me zgjerimin.

Arsyeja e tretë është paniku social që përhap ideja e ndryshimit apo përmbysjes së ligjit aktual të Nëpunësit Civil. Mijëra vetë që presin bashkë me familjarët e tyre të dinë për fatin e punësimit të tyre, është një sizmikë e tepruar për shëndetin ekonomik të vendit. Paniku shoqërohet zakonisht me rënien e fuqisë blerëse. Heqja nga puna e nëpunësve të administratës vjen edhe me një implikim tjetër, që janë paditë në gjykatë. Edhe kjo ka koston e vet financiare dhe duket si një çmenduri që një shtet që ankohet për arkë të boshatisur është gati të paguajë dy herë për të njëjtin vend pune. Sepse gjasat janë që shumica e atyre që hiqen nga puna të fitojnë gjyqet dhe të dëmshpërblehen me rrogë të plotë për një vit.

Arsyeja e katërt është një frymë anti-reforme që fut anulimi i ligjit. Një hap mbrapa aty ku është arritur të ecet përpara në legjislacion që ka si pasaportë të vlerës pajtueshmërinë me normat europiane.

Duket i çuditshëm Akti normativ i qeverisë, i cili e shtyn me 6 muaj kohën e nxjerrjes së akteve nënligjore ndërkohë që ligji vetë parashikon 3 muaj për këtë. Një dyshim që ka të drejtë të lindë në këtë rast, dhe që është shpallur në fakt nga opozita, është se mazhoranca po lëviz në drejtim të pamundësimit të marrjes së statusit në dhjetor, në mënyrë që kreditet të mos fitohen nga Partia Demokratike dhe qeveria paraardhëse.

Edhe më i çuditshëm është nguti për ta zhbërë sistemin kur është më e lehtë ta shëndoshësh atë. Konkurset dhe ritestimet e administratës çdo një ose dy vjet janë një rrugë më e lehtë për të hequr nga puna të paaftët e punësuar të aftët. Pavarësisht se çfarë janë ata: socialistë apo demokratë. Gjithashtu, krijimi i një administrate dy-nivelëshe, e ngjashme me sistemin amerikan ku nëpunësit civilë kanë status tjetër e stafet politike tjetër.

Zëvendësimi kokë për kokë i kësaj administrate me enturazhin politik të radhës nuk bën gjë tjetër vetëm se e përforcon precedentin që ‘Rilindja’ ka shpallur se do të luftonte.

Një përgjigje ndaj “Katër rreziqet e përmbysjes së Ligjit të Nëpunësit Civil

  1. Pingback: Alfred Lela: Katër rreziqet e përmbysjes së ligjit të nëpunsit civil | Revista Drini·

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s