Pse Rama ka të drejtë për importin e plehrave

plehra-importi

Vendimi i tretë i qeverisë Rama në ditën e parë të punës, ka qenë edhe më pak i debatuari. Dy të parët, heqja e fotos së presidentit Nishani dhe zëvendësimi i saj me portretin e themeluesit të shtetit modern shqiptar, Ismail Qemal Vlorës, por edhe Kodi i Etikës i cili rregullon raportet e ministrave me detyrën dhe me mediat, ende sot vazhdojnë të kenë epiqendrën e vëmendjes, të paktën të qarqeve mediatike dhe forumeve të debatit. Vendimi i tretë, që është në fakt edhe më i rëndësishmi ka marrë më pak fjali, më pak bojë, më pak letër dhe rrjedhimisht më pak vëmendje.

Me pak cinizëm, psetë e këtij ‘mbulimi me heshtje’ të vendimit aq shumë të rëndësishëm të ndalimit të importit të plehrave, ka të bëjë ndoshta me afinitetin që shqiptarët kanë me plehrat. Ne ndajmë me mbeturinat hapësirën mes banesave tona, plazhin, rrugën e gjithçka tjetër. Me plehrat jemi, si të thuash, në shoqëri të mirë.

Megjithatë, mbi heshtjen e përgjithshme ngritën krye të përditshmet Panorama dhe MAPO, e para me një mbulim të zgjeruar ku përfshihej edhe një intervistë me një prej industrialistëve të riciklimit të plehrave, dhe e dyta me një ‘speciale’ në numrin e së shtunës, ku jepej një pasqyrë e zgjeruar e kësaj industrie. Panorama e djeshme ‘zgjerohej’ edhe me një opinion të ish-zv/ministres së Integrimit, zonjës Grida Duma, e cila mbante anën e tregut në një opinion të ndërthurur me analizë. E pritshme po të kujtosh rolin e saj si titullare në një institucion që merrej me Integrimin, pjesë e të cilit është edhe legjislacioni përkatës mbi import/eksportin e plehrave që përputhet me udhëzimet e BE.

Duma e quante masë antitreg vendimin e qeverisë Rama ndërkohë që ndalimi i importit të plehrave nga kryeministri i ri ka qenë në fakt e vetmja punë e bërë që prej ardhjes në pushtet. Sigurisht, që në konceptin konservator apo liberal të djathtë, ‘tregu i rregullon të gjitha’ dhe mbi këtë tezë mbështetej edhe analiza e zonjës Duma. Por konservatorizmi, ai që i beson traditës, atdheut, Zotit, tregut dhe lirisë, herë pas here ripozicionohet në raport me veten. Si për shembull ai që njihet si neokonservatorizëm dhe që i dha vetes etiketën e commpassionate conservatism. Bushi i ri me të tijtë qenë bartës të këtij lloji të konservatorizmit me ideolog historianin dhe politikanin amerikan Doug Wead, por futur në mainstream nga Karl Rove, për t’u marrë më pas edhe nga kryeministri aktual britanik, David Cameron.

Jemi pra te tregu që i rregullon të gjitha i mendimit tradicional liberal të djathtë dhe te konservatorizmi i dhembshur i së djathtës amerikane. Cili mund t’i brendashkruhet më mirë dilemës sonë import plehrash a jo? Cinizmit të fillimit se ne jemi një shoqëri në shoqëri me plehrat, nuk e kemi luksin t’i përgjigjemi po me cinizëm se ‘tregu i rregullon të gjitha”. Në fakt, jo. Tregu i përgjegjshëm i rregullon të gjitha, por jo tregu kaotik. A e ka rregulluar ‘tregu i lirë i ndërtimit në Shqipëri” peizazhin urbanistik në vend, apo e ka shtrembëruar atë? Dil në ballkon dhe prite përgjigjen nga qyteti që kuis si qen i rrahur. Pra laissez faire nuk ka funksionuar në këtë rast.

Ka një poezi Dritëro Agolli, për kurvat, ku shpreh habinë e tij, tipike agolliane, se si ne i importojmë ato kur ka sa të duash mall vendi. E njëjta vlen edhe për argumentin e plehrave. Është cinike të importosh diçka që ngado të kthesh kokën e ndesh me tepri. Nuk pi ujë argumenti që i jepte Panoramës një prej eksponentëve të industrisë së përpunimit se me plehrat e vendit nuk përmbushin kërkesat e përpunuesve shqiptarë. Plehrat që na zënë sytë përditë nuk do të ishin dakord. Në rastin e mospërmbushjes së kërkesave, kjo industri duhej ta ridrejtonte fokusin e saj. Ta rishpikte veten në raport me gjendjen e re.

Sa për shqetësimin e zonjës Duma se vendimi i qeverisë Rama është antitreg duke e bërë Tregun më të rëndësishmin e parimeve të së djathtës, në një pikëpamje neokonservatore Atdheu me gjithë njerëzit në të do të vinin të parët. Ose të paktën Tregu duhet të punojë me dhembshuri për ta.

 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s