Një portret i artistit (Ramës) në nxitim

edirama11

Çfarë kishte alarmante në vendimin e kryeministrit të ri Rama për të hequr fotografinë e Presidentit legjitim të Republikës, Bujar Nishani, dhe për ta zëvendësuar me kryeministrin e parë legjitim të qeverisë shqiptare, gjithashtu At Themelues i Shqipërisë, Ismail Qemal Vlora? Më shumë se alarmant, në fakt gjesti ishte flagrant. I tillë sepse u aktivizua apo ndodhi as një orë pasi kryeministri i ri qe takuar në Presidencë me kreun e shtetit. Ai iu përgjigj me një gjest joshpërblyes e jonjerëzor të parit njeri në botë që i shtrëngoi dorën si kryeministër i dekretuar. Ishte, siç thuhet në folklorin tonë: një thikë pas shpie. Ose një biçak, le të themi.

Se pse ky nxitim, ndoshta duhet kërkuar më shumë se te shkaqe politike, te një mënyrë të qeni e z. Rama. Ai është transgresiv, i tillë ka qenë që herët dhe kjo është një cilësi, apo një e metë, për disa, që herë vlerësohet e herët të tjera zhvlerësohet.

Por na duhet të kujtojmë se ishte një prej premtimeve të tij elektorale. Ai e pat shpallur me të madhe se me të ardhur në fuqi do të fuste në zyrat e shtetit portretin e Ismail Qemalit duke nxjerrë prej andej atë të Presidentit të Republikës. Duket se z. Rama pati një nxitim kolerik  për të përmbushur të parin e premtimeve të shumta e fantastike që ka bërë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit.

Ndoshta subkoshienca, ose një teknikë marketingu politik i ka cytur ngutin për të përmbushur një premtim sado të vogël e sado simbolik, i trembur prejBabelit të premtive të cilin ndoshta tani e sheh pothuajse në memecëri nga pozicioni i ëndërruar i kryeministrit që më në fund e ka.

Është një gjest simbolik për të treguar se e ka patur seriozisht, apo paniku se shumë prej premtimeve të bëra ishin ndoshta gabim, prandaj, oburrrani! t’ia fillojmë nga më joseriozi? Mund të jenë të dyja, por asnjëra nuk i heq gjestit/vendimit të parë kryeministror shijen e një padurimi për një veprim që me pak durim mund të ishte, as alarmant dhe aspak flagrant.

Ndoshta Rama gjithnjë e më shpesh do të na kapë në flagrancë, apo në fakt e ka të kërkuar këtë teknikë. Ndoshta atij i pëlqen kukamfshefti me ‘të tjerët’: mund të jetë edhe ky një trill që ia bën interesante lojën me vdekjen.

Pavarësisht të gjithave, Rama ka hedhur mbi Shqipëri penelin e parë të shijes dhe ekzigjencës së vet. Për ata që kanë qëlluar të papërgatitur, ky është vetëm fillimi i marramendthit në këtë karusel. Por, nuk do të zgjasë shumë. Bota ideale e Piktorit do të hetohet shpejt nën barrën e rëndë të realitetit. ‘Gjestet brutale’ si ato të heqjes së rrethimit të Kryeministrisë, ridizajnimi i zyrës apo heqja e portretit të Presidentit, kanë gjasa të kthehen shpejt në njolla vetëkënaqësie apo limontie.

Shembulli i qeverisjes së Bashkisë së Tiranës e ka dëshmuar këtë. Vrulli i kryeherës ia la vendin shpërndarjes së çelësave të Tiranës; mbjellja e kumbullave të kuqe pallateve konformiste dhe lirimi i Lanës, pushtimit të ‘Komunës së Parisit’. (Gjëra që mund të kenë ndodhur edhe njëkohësisht, sigurisht)

Vrulli i jakobinit zgjat sa ç’zgjat iluzioni i revolucionit. Nëse Renaissance mane shohim të shndërruar në leader ottoman style, ky nuk është një lajm i mirë për ne, ‘popullin që kemi pushtetin’.

Sa i takon rënies simbolike të Presidentit Nishani dhe ngjitjes së Ismail Qemalit, mos u dëshpëroni. Kjo do të parandalojë portrete antipatike të së ardhmes presidenciale të këtij vendi; portrete që, prej kohësh tashmë, prodhohen në prapadhomë dhe jo në skenë. Duke na zënë edhe ato në flagrancë.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s