22 marsi ’92 është një Big Bang historik, jo një gang bang politik (si 23 qershori)

Azem_Hajdari,_Sali_Berisha_and_Gramoz_Pashko_(12_december_1990)

Braktisja e sallës së Kuvendit nga demokratët, ndërkohë që kryeministri i ri, Edi Rama po lexonte fjalimin e tij të parë në detyrë, njëkohësisht atë që duhej të ishte programi i qeverisë, ka hasur në shumë habi e në po kaq pretendime. Shkaqet mund të kenë qenë emocionale apo personale, por meqë kryeministri Rama gjatë fjalës së tij, edhe njëherë tjetër, e ka dubluar 23 qershorin e të majtëve si 22 marsin e shqiptarëve, le të skicojmë një trajektore historike si shkak të ‘shpërnguljes’ së opozitës nga dita 2 e punimeve të Kuvendit.

Si fillim të konsiderojmë personazhet kryesore të përballjes: Sali Berishën dhe Edi Ramën. Nëse i zhvendosim mbrapa në kohë, më 22 të marsit të vitit 1992, i gjejmë njërin triumfator, një lloj liberatori me akses në masën popullore; njeriu tek i cili vareshin shpresat e mëdha demokratike, dhe tjetrin në margjinë të ngjarjeve, rrjedhimisht edhe të një ere të re që sapo kish filluar. Për njëmijë e një arsye, Edi Rama, megjithëse u përpoq, e megjithëse ndoshta edhe e ka merituar, nuk mundi të bëhej aktor kryesor në ato zhvillime. Këtu fillon edhe ‘problemi’ i tij sa me Berishën e sa me ‘92-in; një peng që është zgjatur deri në 2013, nëpër fije që vetëm pengjet e mëdha dinë t’i thurin. Shpjeguar kjo edhe te një intervistë e z. Rama për shtypin e huaj, nga e cila mbet në mendje fakti se ‘ai ka një problem me vdekjen’. Dhe, se veprimtarinë politike e sheh si mundësi për të lënë gjurmë duke mposhtur kështu këtë frikë nga vdekja.

‘I dorëzuar’ në ‘divanin e psikologut’ z. Rama na e ka rrëfyer këtë ‘të fshehtë’ që e vendos atë në raport me të djeshmen e tij. Edhe me 22 marsin 1992, ndër të tjera. Ndihej kjo edhe në fjalimin triumfant, mbushur me nota libertadore të së mërkurës mbrëma, kur ai e nxori edhe njëherë nga thileja e simbolikave krahasimin e 22 marsit me 23 qershorin. Asgjë më shumë se një përpjekje subkoshiente e Ramës për të kapur kohën e humbur, për të mundur vdekjen. Në rrafsh historik, 22 marsi 1992 e 23 qershori 2013 ngjajnë aq sa Big Bangu ngjan me një gang bang.

Sepse të tilla janë këto dy data: 22 marsi është një moment historik në të cilin mblidhen bashkë të gjitha momentet personale të atyre shqiptarëve që ato ditë, por edhe këto ditë, kanë patur njëfarë ndërgjegjeje politike e sociale. Është e jona pra, e të gjithëve kjo ndjesi për 22 marsin. Fakti që z. Rama mund të ketë qenë i pakënaqur më 22 mars, prej asaj se ai, për një arsye a një tjetër mbeti prapa derës së erës së re, nuk e bën historike këtëpersonale të tij. Do me thënë, nuk i jep të drejtën e një krahasimi të pashoq, të padrejtë, të pandershëm, të pamenduar, e kështu me radhë.

22 marsi është një Big Bang historik e social i Shqipërisë. Është një moment i pafajshëm që nuk mund të përshkruhet e as shoqërohet me asnjë njollë që historia e tranzicionit ka prodhuar më pas. Narrativat personale për të mund të jenë kujtime, por aspak verdikte historike. Aq më pak mund të shpjegohen ato nga hatërmbetjet me historinë, dhe as kundërvëniet personale.

Kur kësaj, në padijeni të fakteve e pandjesi të emocionit, i bashkohet edhe Aleksandër Arvizu, ambasadori amerikan, mik i shqiptarëve nga një vend mik i Shqipërisë, nuk do të thotë asgjë; nuk i shton asgjë personale që kërkon të bëhet me zor histori. Për inat të Berishës nuk janë të këshillueshme hoplatë me historinë. Të gjithë mund t’i bashkohen gang bang-ut emocional antiberishian, por kjo kala dibrançe të zemëruarish nuk e bën 23 qershorin një 22 mars, një Big Bang.

Personalja, as e Ramës dhe as e Arvizu-së, nuk mund të projektohet tehistorikja e shqiptarëve. Për më shumë, ardhja në pushtet e së majtës dhe kryeministrit të saj të ri, nuk e fillon historinë nga viti zero. Nëse këto do jenë përpjekjet e mazhorancës së re, më keq për të gjithë.

Opozita historike, e djathta, mund ta ketë braktisur parlamentin mbi këtë premisë: 22 marsin ’92 si moment historik të patjetërsueshëm nga narrativat zemërake personale. Nëse po, nuk na mbetet gjë tjetër vetëm ta përshëndesim këtë akt që në fillim u mor për gjest.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s