Bulevardi i ri i Bashës, ose sindromi i Rrugës së Kombit

Grimshaw1

Veprat publike janë një hap në histori. Ndërtesat e ministrive që ngrihen në të dyja anët e bulevardit kryesor të Tiranës për shembull, të gjithë e dimë se janë ‘punë’ e italianëve. Shqiptarët nuk i ‘mohojnë’ ato edhe pse janë arkitektonikë ‘pushtuesi’. Në fakt, qytetet dhe njerëzit e ndërtojnë raportin me të shkuarën bazuar mbi shenjat që kanë lënë në vendbanime sundimtarët, qeveritarët apo benefaktorët, lokalë apo kombëtarë. Ka lagje apo ndërtime në kohë të Turqisë, në kohë të austriakëve, në kohë të italianëve, të Zogut, të Enver Hoxhës apo të Berishës. Madje vetë qeveritarët mundohen, me koshiencë ose jo, të komunikojnë me kohët dhe brezat pasardhës me anë të këtyre shenjave.

Ky komunikim arkitekturor merr kuptim të posaçëm sidomos në vende të vogla siç është Shqipëria. Aktualisht ai është shndërruar edhe në njëfarë marketingu politik, i dobishëm sidomos në prag të fushatave elektorale. Nuk është një fenomen shqiptar, pasi edhe në vende me demokraci dhe ekonomi të konsoliduara, teknika të tilla janë të pranishme dhe në përdorim të vazhdueshëm. Në ndryshim nga realiteti i këtushëm, për shkak se vende të tilla e kanë ‘mbyllur’ ciklin e infrastrukturës bazike, marketingu politik zhvendoset në çështje më efemere si biodiversiteti, të drejtat e homoseksualëve, energjia e rinovueshme, e të tjera. Kjo sa për të sqaruar se punët publike ose platformat e zhvillimit si marketing politik janë të përbotshme.

Edhe zgjatimi i Bulevardit të Madh të Tiranës drejt veriut është një hap në histori. Jo vetëm e qytetit në historinë e vet dhe atë të kombit, por edhe të njeriut që aktualisht menaxhon punët e Tiranës, kryebashkiakut Basha. Për ta kuptuar këtë ose për të marrë vesh se kjo punë do të përdoret për marketing politik, duhet ndalur e dëgjuar antimarketingu që po i bëhet zgjatimit të Bulevardit nga kundërshtarët politikë në të majtë të spektrit.

Kjo ndodh për disa arsye veç asaj se kjo vepër publike, ose më saktë kjo Tiranë 2 që i shtohet Tiranës së parë, hyn edhe si memorie edhe si fizikalitet në historinë e qyteti dhe të vendit.

Së pari, ky kapital në ndërtim shndërrohet shpejt dhe lehtësisht në kapital politik, jo vetëm për Bashën, por edhe për të djathtën. Do të thotë, është një armë dhe kalë beteje për ndeshjet e ardhme elektorale të kryetarit të Bashkisë.

Së dyti, Bulevardi i ri ia shton kreditet kombëtare Bashës, sidomos tani që atij i duhen më shumë të tilla për atë se është kryetar i Partisë Demokratike, një partie kombëtare e cila ndërron vendet në pushtet rregullisht me rivalen e saj, Partinë Socialiste.

Së treti, Bulevardi i ri ofron një mundësi kontrasti mes liderit të mazhorancës dhe liderit të opozitës. Më e fortë, më e kërkuar dhe më e ‘dëshiruar’ edhe për atë se përveçse liderë forcash politike kundërshtare, të dy ‘unifikohen’ nga një e përbashkët e madhe, ose një rivalitet i dytë edhe pse në kohë të ndryshme. Si Basha dhe Rama janë ose kanë qenë kryetarë të Bashkisë më të madhe në vend, asaj të Tiranës.

Kur pas 18 muajsh vepra e parë e madhe publike e z. Basha si kryebashkiak i Tiranës të përfundojë, krahasimet do të ngrenë krye. Trashëgimia e mandatit të parë të Bashës do të jetë një qendër e madhe, e re, moderne dhe bashkëkohore, aty ku dikur gëlonte informaliteti, qentë endacakë, mbeturinat dhe një lumë ndohti. Përpjekja e majtë për ‘trashëgimi’ do të jetë e njëjta: u lyen ndërtesat, u prishën kioskat, Rama, Rama, Rama. Të tjerë më cinikë do përmendin ‘Komunën e Parisit’, një geto me porosi. Nuk do të mjaftojë.

Kjo frikë nga krahasimi, gjithnjë e më shpesh, do ta detyrojë të majtën të sulmojë zgjatimin në histori dhe kokën e lartë në politikë të Bashës dhe të së djathtës. Për këtë, gjithnjë e më shpesh, do të dëgjoni elegji fortebraçe për Stacionin e trenit, vegjëlinë e shpronësuar, e të tjera. Të majtën e ka kapur sindromi i Durrës-Kukës. Mos u trembni nga gërvimë e vjetër. Thjesht po ndërtohet një vepër publike. Tirana po zgjatohet drejt veriut në kërkim të fizionomisë së vet si metropol i shekullit 21.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s