Shqipëria heroike që nuk mjafton

1000918_562612460463277_1035834254_n

Shqipëria, javën e parë të shtatorit, ka jetuar jetën e dyfishtë të realiteteve paralele: është gjendur një vend mes dy qeverive, një në ikje që hidhte firmat e fundit e lëshonte batutat e ‘amanetit’ dhe një tjetre në ardhje, që bënte xhiron e triumfit të 23 qershorit me mbledhje, konferenca, podiume. Si një teatër shëtitës që shpreson më në fund të bëhet Teatër Kombëtar.

Shtoji kësaj ethen e Shqipërisë tjetër, asaj të futbollit, një bote të ndarë më dysh mes shpresës së madhe për një vend në Botërorin Brazil 2014 dhe këllqeve ende me sa duket të brishta, për një përballje të madhe globale.

Mbrëmë në Slloveni u shfaq një Shqipëri heroike, sidomos në pjesën e dytë. Një formacion luftues që e ndërtonte lojën me ngulm por luhatej para portës, një grumbull djemsh pasionantë për lojën dhe ngjyrat e kombëtares, por të pamundur për të shtyrë drejt rrjetës dy topa në buzë të portës kundërshtare.

U shfaq gjithashtu mbrëmë para ndeshjes profili melankolik i italianit Gianni de Biazi, i cili pëshpëriste ose mundohej të vargëzonte fjalët e Himnit kombëtar të vendit përfaqësuesen e të cilit drejton. Një përpjekje që tregonte dashuri, një dashuri që nuk ia fitoi ndeshjen e mbrëmshme.

Të premten mbrëma u shfaqën në anësoret e stadiumit slloven, besnikët e përhershëm të kombëtares shqiptare, udhëhequr nga të zakonshmit Tifozat kuq e zi e të tjera grupe nga trevat shqiptare. Këta globbetroter të përhershëm me ngjyrat kombëtare në shpinë e në zemër u larguan mbrëmë të pikëlluar nga shkallët e stadiumit, por ndoshta me shpresa të rilindura nga performanca dinjitoze e përfaqësueses së tyre.

Të premten u shfaq në facebook, në këtë promenadë të përhershme virtuale të qytetit, edhe një status i ambasadës amerikane në Tiranë, shoqëruar nga një foto e kombëtares shqiptare, ku u urohej ‘fat i mirë’ djemve të ‘urdhrit të shqiponjës’.

Mbrëmjen e së premtes, Tirana e me siguri edhe qytetet e tjera e deri fshatrat u hepuan nën peshën e ah-eve të shqiptareve e shqiptarëve për kombëtaren e vendit të tyre. Çfarë mbrëmjeje do të kish qenë po të kishin fituar!

Por nuk ndodhi kështu dhe jeta vazhdon edhe kur ndodh kështu. Të gjithë do t’i kthehen të përditshmeve të tyre, edhe pse në fund të syrit do të ketë mbetur një shkëndijë pritjeje për ndeshjen e së martës, kur Shqipëria përballet me Islandën në veriun e fundmë të Europës.

Gjasat janë që edhe në rast fitoreje, shpresat për një kualifikim të Shqipërisë të jenë të pakta. Synimi dhe shpresa janë aty, por herozimi nuk mjafton. Duhet diçka më shumë, sekretin e së cilës do ta kuptojmë vetëm kur ta kemi gjetur. Kur të shqyejmë sytë në atë orë të papërmbajtshme të gëzimit me fatin tonë të mirë ose kulmimin e punës dhe talentit.

Deri atëherë. Ndoshta është më mirë që kësaj radhe kombëtarja jonë nuk fitoi. Është një shtator i keq dhe i ndarë më dysh. Dy palët pretendojnë se shtatori është i tyri dhe pas erës së re. Ndoshta kjo ka qenë shenja e keqe kundër djemve të kombëtares: dy qeveri do t’i prisnin në Tiranë për të ndukur nga lavdia e tyre.

 

 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s