Berlin, Berlin…

1011847_10201217505373456_231334693_n

Berlini i ngjan Bostonit. Sigurisht, ky krahasim e kjo ndjesi ka vlerë për dikë që njeh Bostonin, sepse dikujt tjetër Berlini mund t’i ngjajë me një qytet tjetër, siç dhe mund të mos i ngjajë me asnjë. Ky ngjasim ndoshta vjen prej lumenjve që i përshkojnë të dy qytetet Charles-it e Spresë, apo ndoshta prej Donkin Donuts e Starbucks, që të befasojnë kur shfaqen aq shpesh në një qytet europian. Apo ndoshta një shi i imët dhe një gri e lehtë që i bën qytetet të duken si dy magji fshehur pas një mjegulle; dy diamante nën një qymyrgur të errët. Jemi në Berlin pra, me zemër të gëzuar e pa kurrfarë brenge, pa atë dëshpërimin e Fan Nolit ‘po vajtoj pa fund pa shpresë, anës Elbës, anës Spresë’.

Berlini është një miks i të vjetrës e të resë, i sagave gjermanike dhe kredove të rendit të ri botëror hyrë në histori ndër të tjera me ich bin ein Berliner të amerikanit John F. Kennedy. Ndërkohë Gjermania postmoderne ndërton përditë një tjetër epos, të llojit të industrisë teknologjike. Ky nuk është lajmi. Ky është një fakt ndërkohë prezent për ata që janë ndjekës të teknologjisë, por edhe që e pëlqejnë shpirtin kërkues gjerman. Që kthehet në zbatues të kreativitetit përmes punës dhe disiplinës. Lajmi është se Deutsche Telecom, kompania mëmë e T-mobile, rrjetit të telefonisë celulare, është gjithashtu aksionere kryesore e AMC-së. Ose më saktë, lajmi është se teknologjia dhe kreativiteti gjerman do të jenë konkurrues në tregun shqiptar të telefonisë mobile; që do të thotë përmirësim i tij.

Claudia Nemat, shefe për Teknologjinë dhe Europën në Deutsche Telecom nuk komenton, në një konferencë për shtyp në Berlin me gazetarë vendas dhe nga Ballkani mbi planet e zgjerimit. Pranon se AMC është një markë e fortë në Shqipëri dhe nuk e sheh nevojën e një logoje të re. Pra, jo T-Mobile në vend të AMC në ekranin e celularit tënd. Gjermanët e Deutsche Telecom-it kanë megjithatë surpriza. Për shembull, në partneritet me gjigantin e automobilave BMW për një periudhë 6-mujore po eksperimentojnë falas në makinat e kësaj marke një HotSpot interneti ose siç e quajnë ‘dhomën e ndenjes në makinë”. Shërbim që mund ta përdorësh ndërkohë që je në udhëtim dhe pa ndërprerje, siç është provuar në një test me një makinë BMW që përshkoi distancën Munich-Nurenberg. Një provë e suksesshme që më pas do të jetë opsion për trenat dhe avionët. Sipas Niek Jan van Damme, anëtar i Bordit të DT, 14 linja ajrore do të jenë të pajisura me internet Wi-Fi në vitin 2014. E me radhë të tjera habi të DT si TeraStream, fibra optike, shpejtësi që shkojnë në 150 megabit për sekondë në komunikime mobile, apo smart bagagge, bagazhi i avionit që i bën të gjitha vetë.

I gjithë ky informacion në një konferencë katërorëshe emetohet me një stil që e bën gjithçka të duket sikur zgjati vetëm gjysmë ore. Kjo falë organizimit perfekt (tipik gjerman) sipas një teknike të mbiquajtur speed dating. Sesionet zgjasin rreth 20 minuta dhe lektorët, anëtarë të Bordit të DT, ndërrojnë vendet nga grupi në grup duke folur secili për një subjekt të ndryshëm.

Gjithçka si me shpejtësinë e dritës. Një shpejtësi që e zvogëlon Europën dhe e bën Shqipërinë të pranishme në bisedat që gazetarë nga Tirana bëjnë me mikpritësit nga Berlini. Dikush e ka vizituar dhe është bërë amator i alpeve shqiptare; një tjetër e ka në plan, e një i tretë thotë se e njeh Shqipërinë nga emisionet e Radio Tiranës së para viteve ‘90.

Asokohe, njëra gjysmë e Berlinit, ajo lindorja e RDGJ-së komuniste, i ngjante sadopak Tiranës. A thua perëndimori të ngjante asokohe me Bostonin?

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s