A është gjallë Ben Blushi?

ben-blushi

“Mapo”e së martës hapej me një titull që mbërthente në vetvete jo vetëm mungesën e zhvillimeve në gusht, por edhe projeksionin e zhvillimeve të ardhshme në shtator e përtej. “Rama mbledh ekspertët e huaj, mungojnë ‘senatorët’ e PS”, qëmtonte e përditshmja dhe, për atë që i ndjek me vëmendje episodet dhe ngjarjet politike, e kupton se qeveria e re, edhe pse në heshtje, i ka bërë ca të huaj në PS. Sidomos ndër ata që kjo gazetë i mbiquante “senatorë”. A do të kthehen “të huajt” në “armiq”? – është pyetja.

“I huaji i madh”, i cili potencialisht mund të bëhet “armiku i madh” në një përplasje eventuale në PS është Ben Blushi. Ata që e mbajnë mend një kafe të papritur, të gjatë e të shkujdesur, në një restorant ngjitur me selinë e PS-së, kanë pandehur se mes tyre ishte vendosur, edhe pse i pashpallur, më në fund, armëpushimi.

Një lloj “lufte e ftohtë” me më shumë taktikë se strategji ishte luajtur mes tyre; me deklarata idhnake, Lëvizjen për Mendim Ndryshe dhe sidomos një përpjekje jo e pafrytshme e Blushit për t’u potencuar si faktor intelektual, shprehur nëpërmjet tri romaneve që bënë vend në publikun e gjerë dhe një radhë artikujsh shtetues në shtypin e përditshëm.

U duk se ajo kafe pasditeje të ngeshme tiranase i mbylli plagët e dualitetit, dhe për të shenjuar këtë ndokujt i prodhoi mendja një krahasim anglo-sakson. Edhe Tony Blair qe ulur me Gordon Brown dhe patën bërë një pakt, për t’i lënë radhë njëri-tjetrit si kryetar partie dhe njëkohësisht kryeministra, u pëshpërit. Ndërkohë që dimë se ç’është biseduar mes dy britanikëve, e zbardhur kjo në memuarin e Tony Blair, ende është i errët dhe i pamjaftueshëm informacioni i bisedës apo “paktit” mes Ramës e Blushit.

Gjurmët e saj tashmë janë shndërruar në gjurmë të tjera, ndjekja e të cilave mund të na çojë te situata të reja, në pole të tjera në gjirin e mazhorancës së majtë që pritet të fillojë jetën e saj si e tillë javën e dytë të shtatorit. Një shenjë na është dhënë ndërkohë me anë të heshtjes. As Blushi e as ndonjë tjetër në “zhganin e të pakënaqurve” nuk kanë pipëtirë që prej formimit të qeverisë së re, ku edhe ata, edhe lobet, por ndoshta edhe interesat e tyre janë përjashtuar. Sa do të jetojnë ata në këtë azil politik? – është pyetja.

Një përgjigje spekulative është e lehtë të imagjinohet, por afër mendjes janë disa përgjigje ngjitur me të vërtetën ose të paktën silueta të saj.

Mërgata e senatorëve të PS-së, fati i saj duket se është mbërthyer nga një lëvizje diabolike, dhe prandaj mjeshtërore, e Ramës: ndarja e mandatit të deputetit nga ai i ministrit. Nëse lexon listën e qeverisë së re, kupton se në asnjë rast prej saj nuk mund të dalë një kundërshtar apo kritik i kryeministrit (përjashto eksponentët e LSI-së, cytur nga Meta). “Trimat” gjenden të gjithë në “qeverinë hije” të PS-së që ka mbetur në parlament, e tulatur në dilemën pa zgjidhje: nëse bëhemi ministra jemi të ekspozuar para tekave të kryeministrit, nëse rrimë në Kuvend a jemi pjesë e vendimmarrjeve?

Por, si çdo e keqe që ka një të mirë, Blushi & CO (nëse mundet të ngjizë një vllazni kritikësh e pasuesish) janë të çliruar prej të paktën një ngërçi. Askush nuk mund t’i qortojë se po i bëjnë opozitën opozitës. Nëse sendërtohet një LMN-2 në gjirin e kësaj mazhorance të madhe, kundërshtimi mund të shihet si reagim ndaj arrogancës. Paradoksalisht, kjo madhësi e mazhorancës është edhe rreziku i saj më i madh. Për faktin se në të gjallojnë më shumë se dy vektorë interesash e pushteti, më shumë se dy variante përplasjesh, dhe të paktën një fuqi që mund ta çojë në knock down.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s