Schengen, fshati që lindi Europën

Schengen322

Fshati Schengen duket sikur është krijuar për të personifikuar atë lidhjen e pabarabartë mes famës së madhe dhe shtatshkurtësisë gjeografike. Ciceroni i Europa Centre, muzeut të Marrëveshjes Schengen, si për të ilustruar këtë, kujton një keqkuptim të kryeministrit të Sllovakisë kur pyeti për popullsinë e Schengen-it. Pesëqind e gjashtëdhjetë ishte përgjigja. Oh, kaq është edhe popullsia e Bratislavës! Bëhej fjalë në fakt për një fshat në kufirin mes Luksemburgut, Francës e Gjermanisë me, as më pak e as më shumë, por 560 frymë. Popullata e Bratislavës m’anë tjetër matet me njëmijëfishin. Schengen-i me një shëtitore anash lumit dhe një rrugë automobilistike në anët e së cilës shtrihen shtëpi dy a trekatëshe në uniforma bardhegri, nuk ka një hotel ku mund të qëndrosh. Por ka një kështjellë, ku poeti francez Viktor Hygo qëndroi në vitin 1871. Këtu ngre krye edhe një tjetër shenjë fati e fshatit piktoresk luksemburgas. Viktor Hygo mbahet si ndër të parët personalitete që kanë ëndërruar dhe artikuluar idenë e Europës së bashkuar. Më shumë se 100 vjet pas kalimit të tij në Schengen, po aty, krerët e pesë shteteve europiane nënshkruan marrëveshjen që u bë baza e një Europe pa kufij.

Schengen-i pra, nuk është më shumë se një ‘shprehje gjeografike’, për të përdorur një frazë të Bismarck-ut, por fshati doli jashtë kufijve të vet kur, në vitin 1985, në një anije mbi lumin Mozel që shënon edhe kufirin mes dy superfuqive europiane, Francës e Gjermanisë e një quasi-shteti, Luksemburgut, u nënshkrua Marrëveshja e Schengen-it. Ishin pesë nga dhjetë vendet e Komunitetit Ekonomik Europian që e nënshkruan Marrëveshjen më 14 qershor 1985. Pakti ishte hapi i parë për një Europë pa kufij ose rikthimi në rendin normal të gjërave në kontinentin e vjetër të para Luftës së Parë Botërore, ku mund të udhëtoje pa pasaportë nga Parisi në Shën Petërburg.

Schengen_Agreement_place

Marrëveshja u nënshkrua në anijen Princess Marie-Astrid në një pikë të lumit Mozel, ku takoheshin territoret e Francës, Gjermanisë dhe Luksemburgut. Firmëtarët ishin Belgjika, Franca, Luksemburgu, Holanda e Gjermania Perëndimore. Si rezultat, pikat kufitare mes pesë vendeve nuk kërkonin pasaporta, duke lejuar kështu lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. Ky ishte një moment kyç në zhvillimin e idesë së integrimit europian. Dhjetë vjet më vonë, Spanja dhe Portugalia iu bashkuan këtij projekti dhe kontrollet kufitare u hoqën plotësisht. Tani zona ‘Schengen’ përfshin 25 vende europiane, ku bëjnë pjesë 22 vende të BE-së plus Norvegjinë, Islandën dhe Zvicrën. Britania dhe Irlanda kanë mbetur jashtë zonës ‘Schengen’. Vendet anëtare lejohen të ushtrojnë kontrolle në kufi vetëm kur ekziston një kërcënim për rendin publik.

-Superstrada që lidh qytetin e Luksemburgut me Schengen-in i ngjan një rruge qumështi në tokë. E mbrothëta e stinës shtrihet anembanë dhe bëhet rend i gjërave: zhurmë nuk ka, a thua se jeta jetohet vetëm së brendshmi. Është fund tetori, por e blerta vazhdon të jetë ngjyra sunduese, që hahet e s’ndahet me të artën e një vjeshte që këtej pari mbërrin, si çdo gjë tjetër, sikur është në anët e veta. Në të majtë duken vreshta ku baraslargësia mes hardhive të bën të dyshosh se anërruga nuk është reale, por një billboard i stërmadh me një shajni supreme europiane.

Rruga diku vjen e bëhet e teposhtë dhe përballë shfaqet Mozeli. Një lumë që i shkon një vendi europian: nuk është impozant si një lumë i Amerikës së Veriut, por as i egër e i pasistemuar si një lumë afrikan. Kjo thjeshtësi e bën të pabukur. Është i sistemuar si një kanal i madh vaditës dhe duket sikur e gjithë historia e tij shtrihet brenda shtratit të cilin nuk e lë kurrë. Ndanë tij është rruga automobilistike, e sipër kësaj shtëpi gjermanike, pullazet e të cilave kanë një mbulojë gri të përshtatshme për dimrat e ashpër të Europës Qendrore. Në kodrat e buta hardhitë e rrushit të varieteteve të ndryshme ndjekin njëra- tjetrën në rresht. Gati sa nuk pyet veten: Ç’do një element dionisiak si vreshtat, kantinat e vera në këtë pjesë të botës, ku rregulli dhe përkora janë këmisha e hekurt zeusiane mbi çdo gjë?

19042211

E hekurt si ajo kolonada e përbërë nga tri shtylla, shtatin e të cilave e ndërpresin zgavra yjesh. Çeliku i ndryshkur nga shiu dhe ndërrimi i stinëve ngjan me tri gryka topash të kthyer nga qielli. Këtu e kupton simbolikën e çelikut: Luksemburgu është një prej prodhuesve më të mëdhenj të çelikut në Europë dhe te ky mineral qëndron edhe sekreti i rolit të këtij minishteti në punët e Europës. Bashkimi Europian erdhi së pari si ESCC (European Steel and Coal Community) dhe Luksemburgu ishte ndër shtetet themeluese të paktit të parë kontinental, duke u bërë në vazhdim një protagonist i përhershëm i projektit të bashkimit. Çeliku, tani bekimi i Luksemburgut, dikur ishte mallkimi i tij. Gjermania naziste, ndër lëvizjet e para hegjemoniste pati pushtimin e Luksemburgut, pikërisht për shkak të nëntokës së pasur. Çeliku përdorej në fabrikat e prodhimit të armëve dhe tankeve. Këtë dualitet duket se shprehin edhe tri kolonat e hekurit në breg të Mozelit: ato janë gryka topi nga e shkuara dhe pemë të paqes së të ardhmes.

Nën këtë shenjë e këtë emër, fshati i vogël në pikëtakimin e shteteve, vazhdon jetën e tij. Aty mund të gjesh deri edhe verëra që janë pagëzuar ‘Marrëveshja e Schengen-it’, por edhe kujtimin e keq të kalimit të nazistëve.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s