Një gjeneral kapet…socialist

Sander-Lleshi

Para pak muajsh, në një intervistë të gjatë dyfaqëshe dhënë autorit të këtyre radhëve, gjeneral Sandër Lleshi argumentonte refuzimin e tij për padrejtësinë që i ish bërë me shkarkimin nga posti i lartë që mbante në strukturat e ushtrisë. Një prej shkaqeve që citonte gjenerali, ishte se në Ministrinë e Mbrojtjes atë e pandehnin ‘fondamentalist katolik dhe socialist’. Dje, emri i ish-gjeneralit është referuar si këshilltar i kryeministrit socialist, Edi Rama për Mbrojtjen. Pra, të paktën njërin rrafsh të akuzës, që sipas tij i bëhej si socialist, e ka pohuar me anë të zgjedhjes së tij. Gjeneral Lleshi është kapur rob si…socialist.

Sigurisht, të qenët socialist nuk e bën më pak virtuoz z. Lleshi, ish-gjeneral, tashmë këshilltar i kryeministrit për Mbrojtjen. Asokohe, si ushtarak në një ushtri të depolitizuar, po: e vendoste në një raport të zhbalancuar me postin, ndërsa tani, jo; tani ai është përsosurisht në linjë me detyrën e re. Pasi një detyrë e tillë, ajo e këshilltarit për Mbrojtjen i kryeministrit është një post politik.

Sigurisht që z. Lleshi, në të drejtën e tij, i është dashur të marrë një vendim për karrierën, por edhe në raport me detyrime të tjera që ai ka ndaj të tretëve, familjes së vet, apo komunitetit qoftë. Por nuk mund të shmanget nguti i tij për të pranuar një post të tillë kaq publik e kaq politik. Ai do të jetë një ndër njerëzit e paradhomës së kryeministrit, sidomos kur shefi i ekzekutivit përfaqëson një qeveri që udhëheq një vend anëtar të NATO-s. Duket sikur ka në këtë pranim detyre edhe një gjest sfide ndaj shkarkuesve të tij, por paradoksalisht shkarkuesit e tij marrin me vete si triumfalistë, dyshimin e tyre të vërtetuar. Një dyshim ndaj të cilit vetë ish-gjenerali kish qenë kategorik në intervistën për gazetën Mapo të paradokohësh.

Gjest sfide qoftë, apo hipokrizi, mbetet gjithsesi në ‘fushën’ e z. Lleshi dhe përcakton raportet që ai kërkon të vendosë me opinionin publik. Të jesh në enturazhin e Ramës ndoshta është një lloj shpagimi mirënjohës për faktin se kreu socialist e kish paraqitur emrin e tij si kandidat të së majtës për postin e Presidentit të Republikës. Ndoshta te ky moment ka lindur feeling-u me Ramën dhe ftohja me të djathtën, e cila e përfaqësuar nga kryeministri Berisha në ‘takimet presidenciale’ e pat refuzuar kandidaturën e tij edhe pse ‘propozimi për të vinte nga ‘fare lart’, nga shkrimtari Ismail Kadare.

Është mbyllur megjithatë një pandehmë: ish-gjenerali Lleshi ka pranuar një post politik në ekipin e kryeministrit të ardhshëm dhe të gjithë kanë më pak se ç’kanë dashur nga kjo histori e nisur një vit më parë me ‘ëndrra presidenciale’.

Histori të ngjashme kemi parë edhe më parë megjithatë. I famshëm qe debati i pak para zgjedhjeve me dy anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilët dhanë dorëheqje nga posti për cenim parimesh, dhe duke u përbetuar për depolitizim personal dhe sigurisht edhe të postit që mbanin. Megjithëse ishin votuar si kandidatura politike nga partitë përkatëse: PS dhe LSI.

Pa kaluar as një muaj si i depolitizuar, njëri prej tyre, Ilirjan Muho, për të cilin u bë edhe zhurma më e madhe, u shfaq i rilindur politik teksa u dha në mjediset e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si përfaqësues politik i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Mbetet për t’u parë se ç’post do t’i afrohet së afërmi të depolitizuarit tjetër, përfaqësuesit të dorëhequr të PS në KQZ. Apo ndonjë ish-kryeprokurori. E kështu me radhë.

 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s