Dy autobusët e Përmetit dhe një problem i Kishës Ortodokse

PERMET-KISHA-19-GUSHT-2013-28

Diçka e ka tradhtuar priftin ortodoks gjatë një daljeje publike para medias dje në Përmet, pak pasi, i ndërkryer në krye të dy autobusëve me të ndërkryer kish ripushtuar kishën në qendër të qytetit. Në përpjekje për të përligjur veprimin e vet, aspak priftëror dhe aspak të përunjur të ndjekësve të tij, priftit i shpëtoi vjen një polici private këtu…me njëfarë përçmimi te fjala private. Nëse përllogarit edhe atë se priftërinjtë dhe grigja kishin ‘ngritur dorë’ edhe kundër shtetit, saktësisht ndaj vendimit të një gjykate të Republikës së Shqipërisë, prifti i mirë ortodoks, me ose pa dashje, ra në atë mëtimin e vjetër të para Rilindjes europiane ku Kisha ishte edhe Zoti, edhe privati dhe shkolla, edhe shteti. Domethënë edhe dhuna.

Ka qenë ndoshta një fjalë e subkoshiencës, por për të cituar Brian Aldiss-in, ato gjëra që vijnë nga subkoshienca kanë njëfarë të vërtete në to. Mund të mos jetë një e vërtetë shkencore, por është një e vërtetë psikologjike. Kjo e vërtetë psikologjike duket se ka pluskuar në nënndërgjegjen e fjalës privat pak pasi njerëzit e fesë ishin rebeluar ndaj shtetit. Sigurisht që çka ka ndodhur e çka do të vazhdojë të ndodhë në Përmet sa i takon rastit në fjalë ka edhe përmasën e saj të pandashme e të pandalshme politike, e gjeopolitike në daç, element që nyjëtohet te qeveria greke, e cila nuk është kursyer në deklarata, të cilat kanë qenë, le të themi joortodokse në mbrojtje të ortodoksisë. Shumë do të shqetësohen pikërisht nga kjo përmasë e realitetit: ndërhyrja e pavend greke në punët, jo vetëm të shtetit shqiptar, por edhe të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Në të kundërt, ndoshta është vendi dhe koha për të shtjelluar sadopak fetaren e skenave që kemi parë, më shumë se politiken.

Fetaren, sepse opinionistë të ndryshëm, por në të rrallë edhe njerëz të fesë, ankohen për mungesën e religjiozes, shpirtërores, përvujtnisë ndër shqiptarë. Me të drejtë. Liria nuk ka qenë një komoditet të cilin shqiptarët e paskomunizmit kanë ditur ta dashurojnë. Më shumë e kanë përdhunuar, dhe psetë e kësaj e kalojnë shqetësimin apo fokusin e këtij shkrimi. Megjithatë nuk mund të mos vëresh se përdhunues të lirisë kanë qenë edhe priftërinj dhe ndjekësit e tyre dje në Përmet. Përfaqësuesit e kishës ortodokse janë dëshmuar më pak të krishterë se sa ua lejon, edhe rroba edhe besimi. Nuk ka patur një kthim të faqes tjetër ndaj shuplakës së dhënë, por në vend të kësaj kemi parë ‘dhëmb për dhëmb e sy për sy’.

Përvujtnia dhe fisnikëria e ditës së parë ‘passhpronësim’ të kishës, pra mesha publike në sheshin qendror të qytetit, është njollosur një të nesërme më vonë me një demonstrim qesharak force. Po, e vërtetë, policët (privatë) kanë vënë dorë mbi njerëzit e kishës, por nuk pritej që me të njëjtën monedhë të përgjigjeshin edhe priftërinjtë. Njëra rrobë, uniforma e policit është, në njëfarë mënyre, simbol ‘i dhunës’, kurse tjetra, rasa e zezë e priftit, e mëshirës dhe faljes.

Kisha Ortodokse ka përligjur përdorimin e dhunës, dhe dhunën si simbolikë e ka futur te atutë e fesë. Krejt pavend. Siç ishte i tillë edhe ekzaltimi i shoqëruar me rrëzim panelesh metalike dhe këngë përdëllimi që e bënë atë turmë priftërinjsh e besimtarësh të ngjanin më shumë me një sekt sesa ndjekës të një dogme të madhe e serioze të krishterimit. A në këtë farë feje është katandisur ajo fe, zjarri i së cilës u mblodh dhe u bë Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare nga Imzot Fan Noli? Në atë pikë të vdekur të ndërgjegjes, sa vjen për të rimarrë me forcë atë që ka humbur në disa shkallë gjykate, me njerëz të hipur në autobusë, duke imituar kështu mitingjet e partive politike në këtë vend?

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s