SHQUP, Shtëpia e Ushtrisë Popullore apo shtëpia e lirisë?

58_big

Në fillim duhet t‘i hedhim një sy akronimit. Ç’do me thënë SHQUP? Do të thotë, Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore, e kjo nga ana e vet është njëfarë celule, le të themi rekreative, e krijuar në kohë të komunizmit për aktivitetet sociale e kulturore të oficerëve të forcave të armatosura.

Për ata që e kanë të vështirë të piketojnë SHQUP-in në hartën urbane të Tiranës, (për shkak të mungesës së shenjave apo aktiviteteve publike që e bëjnë të zëshëm këtë institucion), ai ndodhet në të djathtë të urës së rrugës së Elbasanit (kur zbret nga Brryli) pak pa shkuar te BKT dhe Kisha Katolike. Nuk ka ndonjë tregues të tij përveç kulprës përherë të gjelbër që shtrihet mbi rrethim: pas këtij gardhi mund të ndodhej gjithçka, por ja që qëllon të jetë ajo që disa, këto ditë e kanë quajtur njëfarë ‘supernove artistike të ushtrisë shqiptare’. Rrethimi me mure e kulpër, ky të jetuar ‘si në rrethim’ duhet të jetë bartur si psikologji nga koha që kjo ngrehinë dhe fryma e saj mëshiron: komunizmi. Shkurt, qyteti nuk ka akses te kjo ndërtesë e ky institucion dhe as institucioni nuk ka akses dhe lidhje me qytetin.

Por, një vendim i qeverisë për shndërrimin e SHQUP në seli të Partisë Demokratike ka ngritur peshë dy segmente: eksponentë të Partisë Socialiste dhe ish-ushtarakët. Të dy grupet i lidh me godinën dhe historinë e saj një fill nostalgjik, dhe kjo ndoshta ua përligj zulmën e deklaratave dhe protestave, por jo aq sa të bien në grotesk. Të bëhen qesharakë, me fjalë të tjera.

Është e trashë dhe e pavend përpjekja për të krijuar një lidhje mes trashëgimisë së ‘ushtrisë popullore shqiptare’ me ‘Shqipërinë vend anëtar të NATO-s’. Dy gjëra krejt të kundërta. Ato portrete të thinjura ish-ushtarakësh aktualë kanë qenë dikur profile idhnake oficerësh thatimë, retorikës anti-NATO të të cilëve sot mund t’i gjendet shoqja në Kubë, Korenë e Veriut apo Iran. 

Trashëgiminë e asaj që quhej ‘ushtria popullore’ e dinë të gjithë: bunkerizim i vendit, heqje e gradave të ushtarakut; vrasjet në kufi; retorikë idiote anti-amerikane. SHQUP është në fakt një nga outpostet e fundit të kujtimit të kësaj trashëgimie dhe ndoshta bash për këtë ish-ushtarakët e duan aty dhe të pacenuar: si shenjë të një kohe që kthim mund të mos ketë, por simbolikën dhe nostalgji prodhon ende.

Përkundër kësaj qëndron një propozim dhe një fakt postmodern: të shndërruarit e SHQUP në seli të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Këmbimi i Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë Popullore me shtëpinë e lirisë. Simbolikisht zgjidhja është e gjetur. Sidomos për atë se Partia Demokratike ka qenë forca e parë politike që ka kërkuar me gjenuinitet anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, një lëvizje e pritur ftohtë nga Partia Socialiste, dhe sigurisht nga ata që sot janë nën statusin e ish- ushtarakut.

Por, edhe fizikisht godina do t’i hapej qytetit; do rrëzoheshin gardhiqet bashkë me kulprën, dhe një ndër rrugët kryesore të Tiranës do të pajosej me bardh-e-blunë e selisë së demokratëve. Qyteti do të bëhej me një ‘zemër’ të re dhe në oborrin e SHQUP-it të vjetër do të plazmohej jeta opozitare e pakicës parlamentare dhe alternativës së saj politike.

SHQUP, as si simbolikë, as si arkitekturë, as si estetikë nuk i thotë gjë Tiranës apo banorëve të saj. Segmenteve nostalgjike të ‘ushtrisë popullore’, apo atyre që duan ta përdorin për kapital politik, patjetër. Por zgjedhja është aty, e thjeshtë dhe postmoderne: Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë Popullore apo shtëpinë e lirisë?

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s