Shqipëria; e bukur dhe mesatare

46710_596204524901_3391636_n

Ka diçka mesatare të cilën nuk di si ta shpjegoj, më shkruante një miku im dje në një sms, kur e pyesja për ‘strehën’ ku po kalonte pushimet. Pavarësisht komoditetit diçka në këtë luks, diçka që s’i jepte dot emër, ia bënte gjërat t’i dukeshin mesatare. Nuk e di pse m’u kujtua fjala turke ‘salltanet’ dhe m’u duk se pikërisht kjo e shpjegonte ‘mesataren’ që miku kish ndërmend. Është një shtirje e luksit dhe jo luksi vetë, është një përpjekje për t’u dukur më shumë se një realitet. Ndoshta e vetmja gjë e njëmendtë në turizmin e Shqipërisë sonë, është natyra, diçka që ç’ka të bëjë me ne, por që na është dhënë. Gjithçka tjetër jashtë saj është një salltanet i yni, një shtirje, një medemek, një gjasme e madhe e shqiptarit të shtrirë në kurriz që kujton se bën pushime. Ka një pakënaqësi me pushimet shqiptare, që shoqërohet me një karfosje mbarëkombëtare, fryrë në internet sidomos nga ata që jetojnë jashtë, ngaqë vendi ka hyrë në këtë po atë renditje botërore si destinacion turistik i vitit. Pakënaqësisë, që vjen sidomos pas pritshmërive të parealizuara, i shtohet edhe kontrasti i thellë mes asaj që Shqipëria ofron: një peizazh që të merr frymën dhe asaj që shqiptari jep, një predispozitë (a)tregtare që të lë pa frymë. E njëjtë është kudo kjo babëzi për akulturë të shërbimit, higjienës apo kulinarisë: nga Saranda deri në Valbonë. Çdo veprim kryhet nën shenjën e ngutit dhe e gjitha i ngjan një akti ilegal. Duket sikur psikoza e ndërtimit të paligjshëm apo të pavend, ose edhe të së pamerituarës, e shpjegon amullinë e biznesit të turizmit shqiptar. Pronarët e lokaleve dhe hoteleve veprojnë nën nxitimin e ‘o sot o kurrë’, sikur dita dhe stina, apo dhe vetë jeta nuk u del për dizajnin që kanë hedhur ata në kokë për veten. (Ndoshta në ëndrrat e tyre e shohin veten më të pasur se sa ua lejon inteligjenca). Shqipëria superbe ndoshta ekziston, por u përket vetëm shumë të rinjve dhe shumë të pasurve dhe atyre në mes u është lënë Shqipëria mesatare. Kjo shtresë e mesme është zënë ngushtë si në sanduiç ndërmjet atyre që kanë iluzionin e rinisë së përjetshme dhe atyre që gjendja financiare u lejon një fluskë që i mban larg Shqipërisë mesatare, rrjedhimisht reale. Asaj në salltanet, por që kujton se është në luks; asaj të varaktës që kujton se është e arta; asaj lindores që shtiret si perëndimorja. Pushimet shqiptare janë përfundimisht më të shtrenjtat. Kjo, sepse ti nuk udhëton e as pushon dot i shkëputur nga fati yt kulturor e gjeografik. Vendi yt nuk ta lejon vetëm shullimin në diell. Ai të dhemb me pasionin e tij për të qenë i bukur dhe në të njëjtën kohë mesatar. Nuk mund të jesh aq i shkujdesur sa të pushosh në të, pa të bërë përshtypje asimetria e tij. Shqipëria mund të vazhdojë të jetë kjo që është, domethënë e bukur, por edhe mesatare nuk duhet t’ia lejojmë të jetë.

Një përgjigje ndaj “Shqipëria; e bukur dhe mesatare

  1. Kisha kohë që mendoja çfarë nuk shkon, ku qëndron mospërputhja ndërmjet dukjes dhe asaj çka merr, mirëpo s’i kisha dhënë një zgjidhje. Dhe, është pikërisht ajo që shkruani: “luks i shtirë”. Urime për artikullin

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s