Në Shqipëri nuk ndodhin shumë, por pak aksidente rrugore

aksidenti-100412_773928

Një scooter, një nga ata motorët e vegjël, bënte përpara me një zukamë përtace të shtunën e shkuar. Pak para mesditës, nën një diell përvëlues, në superstradën Tiranë-Durrës, ku dukej se nxitonin drejt plazhit ata më të ngeshmit ose më të zënët me punë. Një palë duar të vogla që sikur dalin nga barku i burrit që nget motorin, janë vendosur mbi peciglasin e ngushtë të kilometrazhit. Duket si një vegim, dhe të duhet edhe një kthim pak më i gjatë i kokës për të futur brenda habisë fizikun e një fëmije, ndoshta katërvjeçar, që as nuk është ulur e as është në këmbë; as mbahet e as është i shkëputur nga ndonjë trup. Graviteti i tij duket se është marrëzia e shqiptarit. I ati, që ka hapur duart në dy dorezat e motorit, është njëfarë Enea modern që do të çojë tribunë e tij të lagë këmbët e të freskohet në Adriatik. Ngjeshur pas tij e ëma e fëmijës; nuk sheh as rrugën, as të birin, por vetëm paskokën e të shoqit. Fakti që nuk kanë kokore ngjan i natyrshëm. Një scooter e tre shqiptarë në një rrugë me dy korsi që lidh dy qytetet më të mëdha të vendit, në zhegun e ditës së një fundkorriku, bëjnë përpara sikur asgjë e keqe të mos u kish ndodhur, kurrë, të pakujdesshmëve të kësaj bote.

Kjo është vetëm njëra nga pamjet absurde që sheh përditë në rrugët e Shqipërisë. Merreni si Skenën 1 dhe ndoshta, pa shpenzime, ashtu, edhe për të vrarë kohën, edhe për të kuptuar diçka nga antropologjia e së përditshmes së shqiptarit, bëni një sondazh gjatë një rrugëtimi nga qyteti N. në atë B. Numëroni të gjitha rastet e kundravajtjeve, që fare mirë mund të ishin shndërruar në aksidente, dhe vendosini përballë aksidenteve të raportuara në fund të asaj dite. Do të zbuloni se, në fakt kanë ndodhur shumë më pak aksidente se sa mund të kishin ndodhur. Se zhurma post-aksident është në fakt më e madhe, ku e ku më shumë e tillë, se sa kujdesi që bëhet nga shoferët për t’i shmangur aksidentet. Shkelësit dhe arrogantët janë të të gjitha llojeve. Mos kujto se do t’i shpëtosh sitës duke ia hedhur fajin ‘tjetrit’. Shpesh ‘tjetri’ je ti vetë.

Kundravajtësit janë të moshuar që kanë rënë në patentë dhe makinë në të pesëdhjetat dhe ecin sikur mes rrugës dhe gomave ka qelq. Sa ç’janë edhe djem të rinj që ‘trimërohen’ nga timoni ose shtohen në centimetra nga kuajfuqitë e makinës. Njëlloj në epsh për të bërë marrëzira në rrugë janë, si vajzukja me një makinë të vogël në variantin Flintstone, ashtu dhe emigranti me makinë me timon në krah të kundërt që kujton se bota dhe jo ai e makina e tij janë anapulla. I sheh të gjithë në inat me rregullat e qarkullimit rrugor, ligjin, etikën civile apo personale, teksa humorin e momentit e kujtojnë si kohë të botës, dhe me akrepat e tij shkaktojnë dhe masin zemërimin e gjithkujt.

Por, kur ajo që, njëherë e shmang shansi, një herë fizika, e njëherë Zoti, bëhet e pashmangshme, fillon logoria e ankimeve dhe identifikimit të tjetrit si përgjegjës. Kurrë të vetes. Tjetri është sidomos shteti. Cili shtet do mund të ndalte të pandalshmen e një parakalimi të gabuar me 120 km në orë për shembull? Vetëm një: ai koreano-verior. Ose dhe shteti i dikurshëm shqiptar i para ’90-ës. Për vetëm një arsye: në Korenë e tanishme dhe Shqipërinë e atëhershme rrallë bëheshin dy makina për të parakaluar njëra-tjetrën.

Bëj një sondazh me kundravajtjet e një dite të vetme në trafik, dhe do kuptosh se në Shqipëri ndodhin shumë më pak aksidente krahasuar me ‘kushtet’ që krijohen për to. Të shtunën e shkuar nuk u raportua për ndonjë aksident ku ishte përfshirë një scooter në bordin e të cilit ndodhej një fëmijë. Megjithëse ai fëmijë qe lënë në mëshirë të fatit nga prindërit, fati u tregua i mirë me të. Ndoshta edhe ‘shteti’ është treguar ‘i mirë’. Nëse ndonjë polic i ka pikasur rrugës do të jetë penguar prej kolegut. Lëri, ç’u bie në qafë, se nga halli e kanë.

Kështu të gjithë, hallexhinj që shkojmë në plazh, i prijnë jetës në koridën e vdekjes duke i treguar, si demit, cohën e kuqe të papërgjegjshmërisë.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s