Basha si kryetar i Demokratëve: pesë argumente

97199basha per tiranen

Lulzim Basha mund ta gjejë veten më 23 korrik në një pozicion kundër të cilit ka luftuar në të shkuarën e re: kryetar partie, kryetar bashkie, por jo deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Thënë ndryshe, ai do të jetë një ediramë në Partinë Demokratike. Pra, i duhet të bëjë opozitë duke qenë pjesërisht në pushtet, dhe njëkohësisht jashtë një prej aulave kryesore të politikëbërjes, Kuvendit të Shqipërisë. Megjithatë, do na duhet të bëjmë një dallim mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, ose më saktë z. Basha do të na e japë ose jo të drejtën për ta bërë këtë dallim. Dallimi konturohet te vendimi i z. Basha për të konkuruar sërish për kreun e bashkisë së Tiranës, pra për ta vazhduar dualitetin e pushteteve, dhe ky është një vendim aspak i largët, sidomos matur me kohë politike, pra pas më pak se dy vjetësh. Njëlloj, e me të njëjtën logjikë, edhe vendimi i tij për t’u futur në listat e deputetëve pas katër vitesh. Me këto dy akte z. Basha do të arrijë të ndahet cilësisht nga z. Rama ose jo, dhe do na bëjë me dije nëse do të jetë në sindromën që vetë e pat luftuar, në edramizëm.

Deri këtu me hamendësime, dhe më poshtë me një kontekst politik që pranon profilin e Bashës si më në kohë dhe më në pozitë për t’u kurorëzuar me skeptrin e kreut të Partisë Demokratike. Pse?

Së pari, sepse z. Basha është një pozitivist; ai madje mund të konsiderohet pozitivisti i parë në politikën e lartë shqiptare; dikush që përmbyll një cikël politik 22-vjeçar ku sjellja e zakonshme dhe e pritshme ndaj kundërshtarit ishte linçimi dhe gjuha zhbërëse. Provë e madhe e një fushate të fituar me pozitivitet është ajo për bashkinë e Tiranës në vitin 2011. Për të zëvendësuar një ‘kundërshtar që nuk është armik’ si Edi Rama i cili mund të jetë sërish përballë Bashës, atëbotë të dy të ndryshëm, edhe pse të njëjtët në thelb.

Së dyti, z. Basha e rinon peizazhin politik shqiptar me rreth 20 vjet; ai hyn tek ata që konsiderohen fëmijë të viteve ‘80 dhe do të jetë ndoshta i pari politikan shqiptar i pacilësueshëm dhe i pakapshëm nga epitete që kanë përmbytur leksikun e dy dekadave të postkomunizmit shqiptar: spiun, kuisling, bllokmen, biri i atij apo këtij, nipi i asaj dhe kësaj… Lulzim Basha na ofron një tabula rasa sa i takon një të shkuare të dyshimtë. Pra, jo vetëm e rinon me moshë skenën politike shqiptare, por e natyralizon, e çliron nga peshat rënduese të së shkuarës; na fut në një Shqipëri ku realiteti i luftës së klasave të së shkuarës ka shansin të kthehet në një garë të hapur të së ardhmes. Demokracia kjo duhet të jetë: liria për të konkuruar dhe për të fituar si më i miri.

Së treti z. Basha vjen me atunë e një kozmopoliti. Ai është dikush i shkolluar jashtë, me njohje, miqësi dhe dashuri të huaja, me përvoja pune e jete, me një njohje të vlerave perëndimore. Në një botë që zvogëlohet përditë, në një Shqipëri që është gjithnjë e më afër Europës së bashkuar, një globalist në krye të partisë së parë opozitare është një lajm i mirë. Një politikan shqiptar që takohet me të huajt si i ngjashëm dhe jo si i huaj, gjithashtu.

Së katërti, z. Basha, edhe pse një investim direkt i Berishës, është në shumë mënyra e kundërta e tij. (Tri argumentet e lartshënuara e shpjegojnë këtë). Një ‘vrasje’ e Berishës, e një Berishe që ‘vrau’ ndër vite një shpurë demokratësh, të cilët megjithatë i sheh sot në krah të njëri-tjetrit, të rikthyer në PD, mund të spastrojë trazimet e errëta të nekrofilëve, por jo një parti politike. (PD nuk rinovohet me antiberishizëm, një viagra politike shpikur nga kundërshtarët e Berishës dhe që erekton po ata.) Basha ka dëshmuar sqimë politike duke shpallur Berishën, Hajdarin e Pashkon si ‘etër të PD’: jo vetëm duke përmendur tre emra, por edhe tri tipologji e rryma që e kanë përshkruar Partinë Demokratike këta 23 vjet. (Majtas kanë ‘varrosur’ Nanon, por skeletin e Enverit ende e mbajnë në dollap!).

Së pesti, Lulzim Basha ofron një premisë për një të djathtë kulturore në vend të një të djathte ideologjike. Rënia e ideologjisë dhe aksioni për ta zëvendësuar dogmën me kulturën u rimor nga Reagan-i në vitet ’80 pas një investimi paraprak të Richard Nixon-it. Për këtë nuk nevojitet një peshë e rëndë në punë të kulturës. Nuk bëhet fjalë për kulturën si të tillë, por për kulturën e punës, familjes, kombit, Zotit, lirisë, tjetrit e të tjera.

Basha mund të na surprizojë, për mirë ose për keq, me punët e tij në krye të PD nëse ai zgjidhet kryetar. Por, nëse guxojmë një krahasim nga mitologjia greke, me shfronësimin e Zeusit ai është i vetmi Atlas i cili mund të besohet me sferën çelestiale të PD. Nuk është një sferë si të tjerat, por edhe ai shfaqet si ndryshe nga të tjerët.

 

 

 

 

 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s