Gara për kreun: Pse në PD do të fitojë berishizmi i Bashës

Lulzim-Basha-dhe-Sokol-Olldashi-1

Nëse rregullat e lojës përmbyseshin dhe për kreun e ri të Partisë Demokratike votonin të majtët, fitues do të ishte Sokol Olldashi. Kandidati tjetër, Lulzim Basha është i sulmuar, në kor dhe vazhdimisht, nga i gjithë spektri i gazetave të majta: që nga të moderuarat e deri te më radikalet. Antiberishizmit duket se po ia zë vendin antibashizmi. Arsyet e kësaj nuk janë të vështira për t’u kuptuar. Ky nuk është paradoksi i parë dhe as i vetmi i fushatës për kryetarin e Partisë Demokratike që mbyllet pas një jave me votimin e 22 korrikut. Një sfidë e hapur shpejt e shpejt pas dorëheqjes së Berishës e cila ishte gjithashtu gjëja më larg mendjes që ekzistonte, po sipas medias së majtë, u komentua në ditët e para si një garë pa garë, si një kontest i simuluar. Me kalimin e ditëve, edhe pse dy kandidatët, Basha e Olldashi, kanë qenë etikë me njëri-tjetrin, filloi të kristalizohej e vërteta e një gare të njëmendtë dhe të qenësishme. Basha e Olldashi ishin pra dy kandidatë konkurencialë dhe tipikë, dhe në këtë këndvështrim, duke qenë se Partia Demokratike është një ndër dy formacionet politike kryesore në vend dhe forca e parë opozitare, dy burrat që garojnë për postin më të lartë në PD duhen analizuar përballë njëri-tjetrit dhe si pjesë e kontekstit të përgjithshëm. Sepse, edhe pse zgjedhja e tyre është tagër i demokratëve, herët a vonë implikon të gjithë shqiptarët, të majtë a të djathtë.

Cili është më berishisti, Basha apo Olldashi? Ata që e njohin qoftë edhe përciptas historinë e PD, e dinë se të dy kandidatët janë investim direkt i Berishës: ata janë të shenjuarit e tij dhe në këtë sens të dy duhen parë si ‘berishistë’. (Kjo duket qartë edhe në qëndrimin që ata mbajnë në këtë fushatë: pozicionimi i tyre në raport me liderin historik demokrat.) Megjithatë ‘berishizmi’ duket se nuk do i mjaftojë asnjërit për të merituar rolin e të parit në PD. Një akselerim, qoftë edhe një dalje prej tij, po. Në këtë kuptim, duke gjykuar edhe impostimin gjatë kësaj fushate të brendshme, demokratëve u del detyra të pikasin një ndër dy ‘berishizmat’: atë të Bashës apo atë të Olldashit. Berishizmi i këtij të fundit është më shumë i llojit opozitar, i periudhës 1997-2003: në të dallohet komunikimi i ashpër, fjalët luftarake dhe gjuha gjithë thepa. Z. Olldashi duke ‘arkivuar’ jetën politike dhe historike të PD, e vendos në ‘indietro’ partinë e tij. E gjitha vjen me riskun e ekspozimit negativ, sepse me anë të kësaj ‘platforme’ ai pranon se historia e tij e suksesit shtrihet në opozitë. Kjo filozofi nuk është shpjeguese dhe ‘ngec’ kur ndeshet me faktin se ai ka qenë barabar në qeveri dhe opozitë: 8 vjet. Olldashi e ka formuluar ndërkohë si avantazh të vetin ‘njohjen e opozitarizmit’, duke shmangur kontekstin aktual: kohë të reja politike kërkojnë opozitarizëm të ri. Për ironi, PD nuk iu afrua pushtetit me opozitën e gjatë dhe të fortë, të tipit të ‘qëndrestarit’ që shtrihet në fragmentin ‘97-‘03, por kur ndërroi stil, kur u hap dhe u liberalizua në fragmentin e fundmë ‘04-‘05. Në këtë fragment fillon edhe jeta politike e Bashës, por kjo filozofi opozitare u përvijua edhe në fushatën për Tiranën në vitin 2011. Ky opozitarizëm i hapjes dhe pozitivitetit ka rezultuar fitues dy herë. Elementin fitues të liderit të radhës kërkojnë edhe demokratët më 22 korrik: një berishizëm të orës së mirë dhe jo të orës së keqe; mbi mesataren dhe jo nën të.

Tirana si shpjegim i dyshes Basha-Olldashi. Nuk është numri i votave të marra nga secili (megjithëse ka një hendek të madh në votëbesimin e dy kandidatëve demokratë) në garën për t’u futur në Bashkinë e Tiranës si përfaqësues të demokratëve, dallimi kryesor mes Bashës e Olldashit. Është viti kur ata kanë hyrë në garë, janë përpjekur për të fituar Bashkinë dhe për të rrëzuar ‘mitin e pathyeshmërisë’ së Edi Ramës në kryeqytet. Viti i z. Olldashi është 2007; dy vjet pasi demokratët kishin marrë pushtetin dhe kur e djathta ndodhej në pikun e vet: ende e besuar, ende e freskët në imazh dhe me shumë reforma e punë të mira të nisura. M’anë tjetër dhe në të gjitha kuptimet, 2011-a ishte vit i vështirë. Mazhoranca që paraqiste si kandidat të vetin Lulzim Bashën, ishte në gjysmën e mandatit të dytë; e dobësuar nga bojkoti i gjatë opozitar në parlament, aty ku numrat vareshin nga një aleancë me LSI, dhe një radhë goditjesh në imazh ku futet edhe 21 janari. Edhe pse përballë një Rame të pavendosur, në fund të mandatit të tretë, i mbërthyer në disa beteja njëherësh, fitorja e Tiranës nga demokratët, pas tri përpjekjesh të dështuara, edhe pse me pesha të rënda (Mustafaj, Ngjela dhe Olldashi), ishte kryesisht vepër e talentit të ri politik, Lulzim Bashës. Ai zhvilloi një garë të tijën duke u bërë themelues i fushatës pozitiviste në Shqipëri.

Po Berisha kë do? Që kur e ka hapur zyrtarisht garën me tagrin e kryetarit në detyrë të Partisë Demokratike te Berisha, të paktën publikisht, nuk është vërejtur asnjë shenjë e animit për kah njëri kandidat. Ai madje ka qenë i prerë, me ‘qarkore’ të ndryshme, të shpërndara me sms ose me facebook, se do të mbetej i tërhequr dhe këtë gjë kërkonte edhe nga funksionarë të tjerë të PD ose të shtetit. Nëse ata donin të shpallnin lobimin publik për njërin nga kandidatët, duhej të tërhiqeshin nga funksionet publike apo partiake, udhëzonte Berisha. Por disa shenja të parapëlqimit Berisha i pat dhënë gjatë fushatës së 23 qershorit, kur Bashës iu dha një rol qendror në Tiranë e më tej. Me fjalime dhe kohë që konkurronin me të shefit të qeverisë, kryebashkiaku u pa nga shumë në media si ‘pasardhësi’. Edhe pak para se të dorëhiqej, në një takim blitz me Presidentin, në ato orë të para dramatike të pas-humbjes së 23 qershorit, pas Berishës u shfaq Basha. Për një kafe, u tha. Animi i Berishës megjithatë duhet kërkuar më herët, sidomos te fushata e zgjedhjeve vendore e vitit 2011, kur Basha ishte i vetmi lojtar që u la në fushën e tij me moduset e veta të veprimit. Tek ajo tërheqje ndoshta duhet lexuar ‘mbështetja’ që Berisha, lideri historik i demokratëve i bëri pasardhësit të tij në PD. Përpjekjet e segmenteve të ndryshme të së majtës, sigurisht kanë qenë denigruese dhe e kanë lidhur këtë parapëlqim me motive ekstra politike. Ata që kapen pas një logjike jo konspirative lexojnë te ky parapëlqim i Berishës për Bashën, një arsye të vetme: me të në krye e sheh PD një parti konkurruese dhe të suksesshme.

Analiza e munguar e humbjes? Të majtë e të djathtë, që për një arsye a një tjetër janë në zemërim me PD dhe Berishën, kanë komentuar gjatë mbi kotësinë e një gare për kreun e ri të partisë pa analizuar në fillim humbjen. Lulzim Basha është në thelb analiza e humbjes: ai është rruga e tretë, një urë që mban në kupolën e PD trashëgiminë e ‘qëndrestarit’ dhe i hap rrugën frymës së politikanit të ri modern. Ai ruan statusin e një partie popullore, siç është PD, por i bën vend një neokonservatorizmi liberal që e pranon antikomunizmin si qasje kulturore, por nuk e sheh të tejkaluar si platformë politike që të çon në fitore elektorale.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s