Pesë teza dhe kundrateza që e legjitimojnë garën Basha-Olldashi

 

Capture Lulzim-Basha-dhe-Sokol-Olldashi-1

Gara për kryetarin e ri të Partisë Demokratike mund të konsiderohet ende në fazë fillestare; në atë fragment të kohës dhe veprimit kur kandidatët kryesorë, Lulzim Basha e Sokol Olldashi, duket se kanë dalë në nxemje, po testojnë njëri-tjetrin e janë ende në marsh të parë ose të dytë. Por, dy elementë e tejkalojnë këtë stad fillestar të garës; ato tregojnë ndër të tjera rëndësinë e saj, brenda rëndësisë së Partisë Demokratike: vendi që gara zë në media, ku trajtohet në pothuajse të gjitha kronikat si lajm kryesor, por edhe pozicioni kryesor i saj në emisionet e debatit ku kritizerët, kryesisht opinionistë të majtë, ose të djathtë anash e në mëri me Partinë Demokratike, për një arsye a tjetër, i kanë gjetur sfidës për kreun e demokratëve një numër të metash. Ato më shpesh të përsëriturat, të cilave u mëshohet edhe me qëllimin për t’i bërë pika reference në marketingun anti-PD, kanë të bëjnë me cilësinë dhe demokracinë e garës. Të tilla si: gara është e mbyllur; gara u hap shumë shpejt; nuk pati analizë të humbjes; nuk ka ende platforma të kandidatëve; gara është e rrejshme (e simuluar). Apo ndonjë tjetër. Për t’i marrë një nga një e sa më shkurt këto pretendime apo interpretime, jo për t’i zhvlerësuar si të pavërteta, por për të kuptuar se nuk janë krejt e vërteta.

Gara është e mbyllur: Gara do të kish qenë e mbyllur edhe nëse kryesia e Partisë Demokratike nuk do të kish vendosur të mbështeste zyrtarisht dy kandidatë. Media gjithsesi do të përqendrohej te kandidatët, pesha e të cilëve barabitet deri diku me seriozitetin e postit për të cilin bëhet. I vetmi rast kur gara do ‘hapej’ do ishte diversioni i shtypit të majtë me kandidatë të margjinalizuar dhe anonimë në PD, me synimin e vetëm, banalizimin e garës për kreun e demokratëve.

Gara u hap shumë shpejt: Një garë e shtyrë për më vonë do të thoshte mpiksje e divergjencave që ekzistojnë në Partinë Demokratike, si në çdo formacion tjetër të madh politik. Berisha, me mençuri, zbatoi teorinë e rrahjes së hekurit në të nxehtë duke shfrytëzuar një lloj mpirjeje që vjen nga humbja, por edhe duke e marrë mbi vete përgjegjësinë e dështimit. Gara e zhvilluar menjëherë pas dorëheqjes së kryetarit ishte valvula e sigurisë kundër mundësisë së fraksioneve në PD.

Nuk pati analizë të humbjes: E kundërta është e vërtetë. Analiza kryesore është bërë: kryetari i Partisë Demokratike dhe boshti rreth të cilit u soll fushata demokrate dha dorëheqjen duke marrë mbi vete përgjegjësitë e humbjes. Analiza duhet bërë nga lidershipi i ri, pasi të jetë siguruar një distancë e shëndetshme nga humbja, dhe jo nga lidershipi aktual i cili, si ngërç njerëzor, do të mundohej pashmangshëm të krijonte alibi për humbjen duke gjetur shkaqe objektive për të. Analiza është proces dhe jo një pikë, dhe procesi ka filluar me dorëheqjen e zotit Berisha.

Nuk ka platforma të kandidatëve: Por duhet të ketë një grup pune në kampin e secilit kandidat, të cilët do farkëtojnë një platformë, edhe në përshtatje me ndjeshmëritë e hasura në takimet me bazën, por edhe në pajtim me profilin e kandidatit. Platforma është gjithashtu proces, i cili ashtu si vetë gara, nuk ka prekur ende as gjysmën e rrugës.

Gara është e rrejshme (e simuluar): të dy protagonistët e garës, Basha dhe Olldashi, edhe para se të ndodhte humbja, edhe para se Berisha të jepte dorëheqjen, janë përfolur si dy kandidatët kryesorë potencialë. Nëse dikush tjetër jashtë kësaj dysheje do të ishte vënë përballë njërit ose tjetrit, kjo do të qe një mungesë që do përligjte dyshimin e një gare të simuluar. Më konsensuali në opinionin publik dhe më skifteri në gjirin e PD, janë një dyshe shumë e gjetur për një përballje të fortë, shumë brenda tipologjisë së garës për të mos qenë e vërtetë.

 

 

 

 

 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s