Një ftesë për Tarifën: Analyse This

Many Hats

Republika e Katërt, e cila pritet të konturohet në Shqipëri në fillim të shtatorit, kur të mblidhet Kuvendi i ri, të formohet qeveria etj, duket se po paraprihet nga një revansh i cili mund të jetë frustrim ideologjik, politik, kulturor ose personal. Një shtjellë e kësaj shihet në ditët pas 24 qershorit, kur fitorja e së majtës filloi të formësohej, te reagimet e forta, përçmuese, tëhuajëzuese, zhbërëse ndaj atyre që ashtuquhen, vetëquhen apo janë analistë politikë.

Në shumicë, ky zemërim është derdhur nga psika e tekste anonimësh të internetit, të cilët me sa duket pjesëmarrjen e të tjerëve e përbuzin pikërisht prej paguximit të vet për të marrë pjesë. I gjen këta dallkaukë të virtualitetit sajt më sajt e degë më degë, duke e mbjellë verbërinë e zemërimit të tyre, sikur duan të shartojnë shejtanin që kanë brenda me botën jashtë tyre.

Analistët janë, kryesisht, gazetarë të vjetër të medias, pra kolegë të mitë, dhe unë, sigurisht nuk po marr përsipër t’i mbroj ngaqë ata kanë nevojë për mbrojtjen time, por se te kjo zulmë maoiste me ngjyra të revolucionit kulturor kinez kundër tyre shquaj një precedent të rrezikshëm që ka të bëjë me kufijtë. Ata shoqërorë dhe profesionalë. Kulturorë gjithashtu.

E kam fjalën për kufijtë mes llojeve, mes punëve që ne bëjmë në këtë botë e në këtë jetë. Gazetari gazetarin, bukëpjekësi bukëpjekësin, akademiku akademikun, e kështu me radhë. Le të flasim për analistin politik.

Së pari, termi është një shenjë e vendosur dikur e nga dikush, ndoshta arbitrarisht, por që nuk shpreh domosdoshmërisht thelbin e asaj që analistët bëjnë. Mund edhe të jetë një gabim në përkthim, si pasojë e dëshirës për imitim, siç ndodh për shembull kur përkthehet publicist nga anglishtja në publicist në shqip, për dy gjëra që janë krejt të ndryshme. (Publicist, sipas terminologjisë sonë është dikush që lëvron publicistikën në shtyp, ndërkohë që kuptimi amerikan i publicist është: dikush që merret me imazhin mediatik të një star-i të filmit apo këngës).

Këtu te ne pra, një analist mund të jetë edhe një publicist, siç mund të jetë ai gazetar, komentator, opinionist, kolumnist; të gjitha terma që shpjegojnë një person që militon në media. Një fragment të zinxhirit të punëtorëve të medias.

Nuk është ky kuptimi i pranuar nga dallkaukët e internetit, por në këtë gabim bie edhe një njeri fort i lexuar si Fatos Tarifa, diplomat, autor librash, dhe pse jo në kuptimin shqiptar të fjalës edhe publicist e analist. Profesor Tarifa, në një shkrim të para dy ditëve te MAPO, gazetë analistësh kjo, që pa komplekse i lejon hapësirë një shkrimi kundër analistëve, i bashkohej konceptit të vegjëlisë internautike për analistët duke argumentuar përçmimin e tij me akademizëm dhe me shembuj ilustrues amerikanë. Ai përmendte se analistët e përtej Atlantikut janë autorë librash bestseller si Zakaria, Woodward e të tjerë. Profesor Tarifa harronte për shembull, që një gazetar dhe analist si Blendi Fevziu është gjithashtu një bestseller në përmasën shqiptare të këtij koncepti. Ai ka botuar disa libra dhe dy të fundit kanë thyer çdo rekord shitjeje. Analistë-gazetarë të tjerë janë gjithashtu autorë librash: Mustafa Nano, Sokol Balla, Fatos Lubonja. Sidomos i tillë është Preç Zogaj, që shpesh shihet në rolin e analistit, por që me katër-pesë libra të tij mund të konsiderohet një antropolog politik.

Të tjerë, edhe pse mund të mos jenë autorë librash janë gazetarë të vjetër të shtypit të shkruar, themelues të gazetarisë së re shqiptare të paskomunizmit. Më tej ka nga ata që mbajnë doktoratura në komunikim apo shkenca politike.

Të gjithë këta plotësojnë një nevojë të shtypit dhe televizionit për interpretim të ngjarjeve. Sepse publiku, edhe kur ankohet nga kjo, kërkon më shumë se sa lajmi i raportuar që e gjen në faqe gazetash dhe edicione lajmesh. Ai kërkon pikëpamje mbi to, edhe kur ato janë të kundërta me të tijat. Gazetari-analist nuk është falltar, as shortar; ai nuk parashikon fatin e ngjarjeve se sa interpreton faktet me anë të një sinteze që herë është logjike e here emocionale. Profesori, kur qorton për një kudogjendje të tyre dhe kudoekspertizë ngatërron, nuk ka faj, nuk është fushë e tij, të gjithë jemi injorantë në më shumë fusha se sa jemi të ditur, gjininë mediatike të emisionit ku ata paraqiten. Media e kohës sonë, Tarifa si studiues duhet ta dijë e ta pranojë këtë, është një miks i informacionit me argëtimin, ajo që quhet, paradigmë amerikane kjo për ngushëllim të tij, infotainment, kështu që një pjesë e mirë e emisioneve që quhen talk show janë shpesh show më shumë se talk. Opinioni për shembull, ndoshta salloni kryesor televiziv në vend, shpesh ndërtohet mbi tema të argëtimit si dashuria, seksi, futbolli, falli. Këto tema të lehta, kur debatohet nga një panel ku bëjnë pjesë edhe gazetarët-analistë, nuk duhen marrë si përpjekje për të afishuar kredenciale, se sa për të ndërtuar një miks interesant debatuesish.

Media e tillë është: në kërkim të audiencës. Ne nuk mund t’i kërkojmë një industrie joakademike të operojë me terma dhe stil ‘akademik’. Siç nuk mund të shpresojmë që ata që përpjekin idetë e tyre me të tjerëve nëpër studio televizive të duhen nga populli në masë. Përpjekja për të kërkuar ‘gazetarin e vegjëlisë’ si në kohën e Zërit të Popullit duket joakademike. Sepse, në demokraci mund të ketë dy ose tre vegjëli, dy ose tre realitete, jo vetëm një të vërtetë, njëqind projeksione, një mijë e katërqind parashikime. Ata që qesin pushkë nga vrima e internetit; ata që shpikin një Gavrosh për çdo realitet, apo Profesor Tarifa të cilit i bëhet ferra Brahim dhe analistët brahmanë, e bëjnë këtë brenda një profili të caktuar, personal apo kolektiv. Brenda tij janë edhe të shumëqortuarit analistë. Remzi Lanit, drejtor i Institutit të Medias, i pëlqen të thotë se media është sektori që ka ecur më shpejt se çdo tjetër në Shqipëri. Ritmi i këtij sektori është i dukshëm. Protagonistët e saj janë të tillë gjithashtu. Është edhe një profil në kurajo, për të cituar titullin e një libri të presidentit Kennedy, i këtyre protagonistëve; dëshira e tyre për të ndërmarrë një risk, to speak their mind, për të përdorur një term të anglishtes meqë Profesori, si filoamerikan, e kupton.

Në fund, kjo dëshirë pafund për t’i anatemuar gazetarët-analistë, për t’i fajësuar ata për parashikim të papërmbushur, duhet të ndalet. Deri ditën kur ata të mos quhen analistë, por falltarë.

Përndryshe sulmet ndaj tyre nuk duhen kuptuar veçse si pjesë e sindromës së provincialit permanent shqiptar, që paradoksalisht e di veten kozmopolit, u bo ky!

 

P.S. Meqë jemi te falli dhe parashikimet, dua ta ftoj Profesor Tarifën, që në vend të një replike mbi këtë temë, të përgjigjet mbi atë se a e kish parashikuar rezultatin e LSI më 23 qershor. Nëse jo, me akademizëm, që të mos ua lëmë analistëve këtë punë, se ata nuk dinë ç’flasin, a mund të na e shpjegojë, edhe pse post factum, pse ndodhi ky katërfishim.

 

 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s