Rënia e Shkodrës dhe e ardhmja e PD

14720850-medieval-top-hill-rozafa-fortress-near-shkodra

E majta është futur brenda tullumbaces së një gëzimi të përligjur për atë që duket, edhe pa u shpallur rezultati zyrtar, një fitore e dukshme. E djathta ndërkohë duhet ta kërkojë fitoren e saj te mundësimi i një procesi zgjedhor dukshëm të mirë dhe të tërhiqet sipas devizës së Berishës ‘e pranoj vullnetin e sovranit’. Te kjo tërheqje ama duhet të fillojë një komunikim me veten për të kuptuar se çfarë ishte kjo që ndodhi: alternativë fantastike e kundërshtarit apo votë kundër.

Që të majtët nuk kishin, as kanë një platformë koherente dhe të realizueshme, kjo do të duket shpejt. Shumë premtimeve të purpurta do t’u dalë boja e do të kthehen shpejt në të zbardhylta dhe z. Rama do e kuptojë se qeverisja nuk është një projekt pink ku estetika i sundon variablat e tjera. Jo te një dështim i kundërshtarit megjithatë, por te një ringritje e çiltër, e hapur dhe demokratike duhet të bazohet Partia Demokratike në mënyrë që herën tjetër shqiptarët të kenë mundësi ta zgjedhin si alternativë dhe jo si ‘votë inati’.

Shkodra duhet të shërbejë si simbol i këtij shndërrimi dhe në atë ‘qytet demokrat’ duhen kërkuar themelet e asaj që ka shkuar keq me të djathtën. ‘Rënia e Shkodrës’ shpjegon shumë nga humbja e PD në këto zgjedhje dhe gjetja e përligjes te ajo se ‘shkodranët e qytetit janë larguar’ është vetëm një element por jo e tëra.

Shkodra pat filluar të jepte shenja që në zgjedhjet lokale kur shumë komuna parapëlqyen  Partinë Socialiste. Diskutimi i radhës se ‘Zoja e Shkodrës’, d.m.th Jozefina Topalli, nuk pati shumë peshë në listën e fundit, të cilën thuhet se ishte ekskluzivitet i Berishës, gjithashtu nuk është një moment nga duhet të fillojë analiza.

Shkodra mbahet si një qytet antikomunist dhe kjo është klisheja e parë që duhet të bjerë te të djathtët. Antikomunizmi nuk mund të jetë më platformë. Jemi futur tashmë thellë në dekadën e dytë të mijëvjeçarit të tretë për të operuar me stilema të dekadës së fundit të mijëvjeçarit të dytë. Soft-i ideologjik i Partisë Demokratike duhet rikompozuar dhe antikomunizmi si program duhet zëvendësuar me diçka tjetër që takohet me gjeneratat e post-tranzicionit. Sigurisht, kjo nuk duhet lexuar gabim e kuptuar si nevojë që në PD të shtohen çiljetatgretat e kukulla të tjera që nuk e shpjegojnë as bartin konservatorizmin e ri shqiptar.

Ka një paradoks në raportin e PD me Shkodrën, i cili mundohet të shpjegohet ekskluzivisht me antikomunizmin. Një prej fondamenteve të komunizmit është centralizimi, d.m.th pushteti ose rrugët komunikuese për tek ai të përqendruar në një person. Automatikisht anti-komunizëm do të thotë edhe anti-centralizim. Në rastin tonë e gjithë marrëdhënia PD-Shkodër përqendrohej te zonja Topalli. Shkodra po kërkonte një exit nga ky centralizim, dhe ndoshta e ngopur në pritje e padurim, e gjeti te këto zgjedhje, këtë qershor.

Sigurisht, Shkodrën dhe Veriun, ose një rrëshqitje të tyre nga preferenca për demokratët nuk mund ta shpjegojë vetëm zonja Topalli. Partia Socialiste e Edi Ramës, dhe jo Fatos Nanos, në mënyrë cinike ka përllogaritur të futet në veri me forcë, siç bënë paraardhësit e saj në vitin 1944. Nëse u hedh një sy listave të veriut, sidomos Lezhës e Shkodrës, por tek-tuk edhe tjetërkund, ndesh elementë spektakolarë të asaj që shoqëritë përsëmbari mbajnë si anti-modele. Anti-modele që z. Rama do na i prezantojë në Kuvendin e radhës si modele. E vërtetë që nuk mund të gjesh kund ‘me figurë dhe zë’ që ai t’i ketë quajtur ‘shpellarë’ veriorët, por e ka bërë këtë duke u komanduar si përfaqësues anti-modelin. PD u gabua kur u mundua, edhe pse në përmasë modeste, ta luftonte anti-modelin me të barabartin e tij.

Se si sillet PD në raport me veten gjatë muajve në vazhdim do të përcaktojë se si do të shkojë ajo në zgjedhjet e radhës. Për të fituar duhet të shkojë e reformuar. Sepse me sa duket, diçka nuk shkon.

 

 

 

Një përgjigje ndaj “Rënia e Shkodrës dhe e ardhmja e PD

  1. Pingback: Duke kërkuar Shqipërinë time |·

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s