Emisionet politike, ethet e së enjtes mbrëma

foreign-critics-shield-politicians.si

Mbrëmë për apolitikët nuk ka patur alternativë. Në orën e pikut të shikueshmërisë televizive në atë që njihet në anglisht si prime-time, të gjitha stacionet televizive, që nga kombëtaret e deri te lokalet, nga të vjetrat e deri te të sapohapurit, i shërbenin shikuesit një menu të mbushur vetëm me…politikë. Opinioni i Fevziut kish kreun socialist Rama dhe shpurën e tij të programit; Top Story i Ballës, me rrugët dhe eksponentë të dy krahëve që mbronin tezat e tyre; Zheji me 360 gradë, gjithashtu me një brerje politike ‘rotacion apo vazhdimësi’. Për të vazhduar me Ilva Taren dhe një panel analistësh, që gjithashtu kapej fort pas asaj se ç’do të ndodhë më 23 qershor. Mira Kazhani te A1 Report ‘hahej’ me ‘të mëdhenjtë’ me një të ftuar kontroversial si ish-ambasadori amerikan Withers.

Në të njëjtën shtjellë, edhe emisione të tjera më pak të njohura apo me panele më pak të zëshme i kishin zënë pritë ndërrimit të kanaleve, duke e bërë telekomandën të pafuqishme para dëshirës për të parë të paktën dy a tre prej tyre.

Kjo mund të jetë e vërteta, pra dëshira për t’i parë, për një gazetar të politikës apo për ndonjë amator të zhvillimeve politike ata që në anglisht njihen si political junkie. Për të tjerët, shumicën ndoshta, ka qenë shumë i gjithë ky sulm i emisioneve politike, por pa shpëtim. Njihet dhe është kthyer në klishe një shprehje e Churchill-it për Ballkanin, rajonin e botës që prodhon më shumë konflikt sesa mund të konsumojë. Nëse do ta përdornim përkufizimin për Shqipërinë, ky vend i yni prodhon më shumë politikë sesa mund të konsumojë.

Nuk është mirë as keq, është ajo që është. Është një fakt pra, një fakt që e ka lindur ose një dëshirë ose një nevojë, ose një trill. Nuk ka rëndësi. Por droja është se kjo baticë politike shpjegon edhe një gjendje sociale të shqiptarit. Një dorëzim para një zhurme të madhe të makinës së politikës që vjen edhe me një lektisje, një paralizë që na nxjerr nga mjerimi duke na krijuar iluzionin e pjesëmarrjes, të angazhimit, të një rëndësie të vetëprojektuar të vetes.

Mund të jetë edhe ajo tjetra: cirku që vjen pas bukës, një eglendisje e ‘institucionalizuar’ nga romakët dhe e bartur në kohë ndoshta nga vetë koha e brendshme e njeriut; një prirje për spektakël me shpenzimet e tjetrit. Kjo sepse debati politik vjen edhe me një përplasje verbale, stërpika pështyme që përshkojnë studion, shkopinj që ndërrojnë duar dhe që nuk janë dhe aq keq në një kulturë fallike si njerëzorja; kërcënime nën zë, fyerje të shkëmbyera, e të tjera.

Sidoqë të jetë, edhe në teprinë e tyre në qofshin, ato emisione janë një mjet demokratik. Do të jemi të dënuar me të gjithë derikur matja e audiencës të na shpëtojë nga ca prej tyre. Apo derikur jo çdo televizion të imitojë tjetrin.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s