Kundra kryebashkiakut në fushatë apo anti-Bashë?

basha

Rasti i Lulzim Bashës, kryetar i Bashkisë së Tiranës që nguli në majën e garës elektorale flamurin e fitores, aty ku më parë tre kandidatë të tjerë kishin dështuar, për njëqind e një arsye, kundër një kryebashkiaku si Edi Rama, i cili dukej sikur e kish marrë me tapi atë karrige dhe do e lëshonte vetëm në këmbim të postit të kryeministrit. Rasti Basha megjithatë nuk është unik për mundësimin e rikthimit të PD në qytetin ku ajo kish turpëruar shefin komunist Alia, por për atë se nxjerr zbuluar një mëtim të pasinqertë të së majtës e cila ka platformë, sot e prej vitesh anti-berishizmin. Madje së fundmi duke i ngjitur kësaj formule të vjetër edhe bishtin e ri se, kur të ikë Berisha, do të rilindë edhe Partia Demokratike.

Në fakt, nëse me ikjen e Berishës bie anti-berishizmi, shpejt të majtët do t’ia zënë vendin me një anti- tjetër. Nga anti-Berishë do të bëhen anti-Bashë, për shembull. Flama e këtij pozicionimi potencial ka nisur ndërkohë. Sigurisht ky blog është pak në hapësirë dhe qëllim për t’u marrë me një temë të tillë komplekse, por nuk mund të mos e vësh re se e majta e ka pikasur, nuhatur apo dhe dizajnuar sipas shijeve të veta atë që vjen pas Berishës dhe e ka filluar ndërkohë fushatën anti.

Kjo fushatë në miniaturë anti-Bashë, në kuadër të një fushate gjigante anti-Berishë, brenda një fushate tjetër të fundbotshme, asaj elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit. Kryetarit të Bashkisë po i kujtohet slogani i fushatës së tij në zgjedhjet lokale të para dy viteve ‘i pari është qytetari’. Kjo kujtesë për t’i thënë se ç’do ai në këtë fushatë elektorale. Angazhimi i z. Basha në fakt është lokal. Ai nuk i ka kaluar kufijtë e qarkut të Tiranës, por për rastësi ose qëllimisht, ai ia ka nisur një turi përurimesh, kryesisht rrugësh në lagjet e brendshme të qytetit, apo projekte të tjera që janë kryesisht të rrafshit estetik. Në disa rrugica lagjesh për shembull janë shembur avllitë gri të blloqeve të përzishme të betonit për t’u zëvendësuar me kangjella prej nga ku ajrosen në dritën e lumnueme të diellit trëndafilë oborresh tiranase, pemë apo veranda shtëpish. Kjo nismë është ndoshta një nga momentet e vogla, por që do të bartë simbolikë të madhe në fund të mandatit të parë të Bashës. Ka të bëjë me hapjen e qytetit ndaj vetes; me komunikimin e oborreve me rrugët; të pemëve me asfaltin; të njerëzve me njerëzit.

Është një gjë e bukur ku s’ka më, dhe e hedh pas atyre mureve të vjetra me blloqe betoni argumentin se Basha po përfshihet në fushatë duke u larguar prej qytetarit. Punët e fundit publike shkojnë pikërisht për qytetarët dhe ua çelin atyre pamjen. Sa për lëvizjen anti-Berishë që mund të zëvendësohet me një anti-Bashë, do të ketë një të tillë të gjitha herët, pavarësisht asaj se kush do jetë në krye të PD. Në thelb qëndrimet e forta kundër nuk janë anti individ por, antiPD. Në fund të fundit është partia që i dha fund hegjemonisë së Partisë së Punës në krye të shtetit. Parti që, e Rinovuar dhe bashkë me shoqet, kërkon të rilindë më 23 qershor.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s