Sandër Lleshi: Shkarkuesit më kujtonin kandidat të PS dhe fondamentalist katolik

 

Sander-Lleshi

Gjeneral, lirimi juaj nga detyra ka hapur një spirale ku është futur politika, feja dhe ligji (kushtetutshmëria) apo dhe letërsia. A janë këto shtjella të ngritura prej jush për t’i dhënë potencë rastit tuaj, një mekanizëm sa mbrojtës aq dhe sulmues, pra një veprim prej strategu?

Së pari më lejoni t’ju them se vërtet profesioni im është strategjia, por jo kjo. Unë jam përgatitur të ndërtoj dhe të zbatoj strategji që i shërbejnë mbrojtjes së të tjerëve, vendit në tërësi. Strategjia që njoh unë, nuk më ndihmon në një situatë të tillë, që është përtej absurdes. Ajo që po ndodh, e që me sa duket nuk ka për të përfunduar shpejt, është një reagim i rrallë publik ndaj një skandali jo të rrallë.

Në thelb kemi parë një reagim serioz ndaj një fenomeni që, duke u shndërruar në modë, po e fut në letargji të thellë vendin tonë të përbashkët. Shkelja e ligjit, shpërfillja dhe shkujdesja alarmante e organeve të ngarkuara me zbatimin e tij. Kësaj radhe shkelja është realizuar nga kreu i shtetit në bashkëpunim me ministrin e Mbrojtjes e të tjerë. Unë mendoj se përballë kësaj shkeljeje pa ligj vlen vetëm një gjë, reagimi me ligj. Sa i përket pjesës së dytë të pyetjes suaj, asaj me shtjella e me strategji, dua të them se pjesën e parë të misionit e kam kryer prej kohësh, kur në rrugë zyrtare u kam paraqitur autoriteteve më të larta të vendit, duke filluar nga Presidenti, shqetësimet strategjike që lidhen me Forcat e Armatosura. Unë mendoj se reagimi i Presidentit për të më liruar nga detyra, pas paraqitjes së këtyre shqetësimeve, është në të vërtetë shtjella strategjike sulmuese, me besimin se zgjidhja më e mirë për problemet është fshehja e tyre përmes dekretesh të paligjshme lirimi për gjeneralët.

T’ia fillojmë me fenë, për t’u munduar t’i shpalosim të gjithë elementët e, le të themi enigmës: ju jeni shprehur në konferencën e shtypit se dyshoni të jeni shkarkuar edhe për atë se jeni katolik, duke përmendur një letër të Forumit Shqiptar të Kanadasë. Si erdhi kjo ‘përplasje’?

Më datë 8 prill, në gazetën “Sot” është botuar kërkesa e forumit që përmendët ju, në të cilën i kërkohej Presidentit të Republikës, Ministrit të Mbrojtjes e shumë autoriteteve të tjera të vendit që të dekretonin lirimin tim nga radhët e FA-së, si dhe të nisnin procedimin penal për kinse një artikulim ekstrem katolik që ata kishin konstatuar tek artikulli im NATO, Aleanca jonë, të botuar në gazetën “Panorama” po më datë 1 prill të këtij viti. Pas këtij propozimi të errët, unë i jam drejtuar zyrtarisht ministrit Imami dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Gjunkshi, me kërkesën që të urdhëronin investigimin e prapavijës së këtij sulmi provokues. Shkresa ime mbeti pa përgjigje. Në vend të saj mbërriti Dekreti i lirimit. Ndodhi ajo që kërkohej nga Kanadaja. Ky është fakt i njohur tashmë botërisht. Unë i jam drejtuar publikisht Ministrit të Mbrojtjes dhe Presidentit të Republikës që të shprehen rreth kësaj koincidence fatkeqe. Për çudi, ata vijojnë edhe sot të heshtin rreth kësaj pyetjeje, ndërkohë që faqe të shumta interneti, simotra me ato të forumit në Kanada, po festojnë suksesin e propozimit të tyre. Mendoj se është detyrim minimal që Ministri i Mbrojtjes dhe Presidenti të distancohen nga organizata të tilla të errëta dhe të mos lejojnë që në imazhet e institucioneve të shtetit shqiptar të dekorojnë faqe interneti me përmbajtje skandaloze.

Unë vetë lutem që mes propozimit për lirimin tim të ardhur nga Kanadaja dhe propozimit të ministrit Imami me të njëjtin objekt, Presidenti Nishani të jetë vënë në lëvizje vetëm nga Imami, anipse kundër ligjit. Gjithashtu jam i bindur të pohoj se faktori vendimtar që ka motivuar ministrin Imami për të propozuar dhe Presidentin Nishani për të dekretuar lirimin tim, kanë qenë në radhë të parë qëndrimet e mia shumë kritike lidhur me kursin dhe praktikat e drejtimit të FA-së nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjunkshi dhe ministri Imami. Profili im profesional e kulturor dhe të gjitha tiparet identitare që sendërtohen aty, kanë luajtur një rol të dorës së dytë në këtë vendim krejtësisht të paligjshëm.

Ka edhe një moment kadarean në shkarkimin tuaj. Emri juaj fitoi njëfarë statusi publik pas propozimit të gjeneralit Sandër Lleshi si kandidat për President të Republikës nga shkrimtari Ismail Kadare. A u krijua një ‘inat’ apo ‘smirë’ për ju, ngaqë Kadare u ofroi si kandidat për president nëpërmjet opozitës?

Duke dashur ta kaloj shpejt këtë pyetje, pasi nuk dua aspak të spekuloj me emrin e një shqiptari të madh e të rrallë si Kadareja, më duhet t’ju them se propozimin e ka pasuar një periudhë izolimi progresiv ndaj meje, e cila u përmbyll nga dekreti i Nishanit. Duket se edhe kjo histori është vijim i mosmarrëveshjes sonë me ……vetveten.

Si jeni njohur me Kadarenë? Pse ai zgjodhi emrin e një gjenerali dhe pse e shtyu atë emër drejt Presidencës nëpërmjet opozitës e jo mazhorancës?

Se si jam njohur me Kadarenë, jam shprehur unë. Se përse Kadare propozoi emrin tim për postin e Presidentit, është shprehur ai vetë. Nuk është e vërtetë se Kadare përdori vetëm kanalin e opozitës. Ai iu drejtua të gjithë faktorëve politikë në vend. Fakti se përse propozimi i tij gjeti rezonancën e opozitës dhe refuzimin e pozitës, është pjesë e rebusit të politikës shqiptare. Përpara votimit të Presidentit, unë do të kisha humbur çdo bast rreth kësaj. Si mbështetja e opozitës ashtu edhe refuzimi i pozitës, kanë qenë dy të papritura të mëdha, të shoqëruara nga habia ime për të dyja.

Ka patur, në fakt, një fërkim të mëparshëm mes jush dhe krerëve tuaj në Ministri. Një gazetë e futi emrin tuaj në listën e kandidatëve të PS për deputetë dhe ju latë të kuptohej, edhe me një shkrim në MAPO për një shtysë politike, duke e mohuar se ju do të ishit në listën e opozitës, siç edhe rezultoi më pas

Në mars të këtij viti, nga autorët e aktit të sotëm të lirimit tim, është iniciuar një sulm mediatik i kombinuar. Nga njëra anë, autorët e tij synonin të krijonin idenë se unë isha të paktën kandidat për socialist. Në anën tjetër, ata përpiqeshin të krijonin idenë se, nëse në fushën politike isha ende një kandidat për socialist, në një fushë tjetër isha shumë larg. Ata mendonin se isha edhe një fondamentalist katolik, një kryqtar, një…Më kujtohen tash përshkrimet e mrekullueshme të Pater Zef Pllumit për ato gjyqet komuniste kur në Shqipërinë e shekullit 20, dënoheshin njerëz, për…krimet e inkuizicionit në Mesjetë.

Por e gjitha kjo ka një parahistori. Ka patur një divergjencë shumëplanëshe parimore me Imamin dhe Gjunkshin, në thelbin e të cilave ka qëndruar apeli për më shumë seriozitet dhe profesionalizëm në raportet me NATO-n, më shumë respekt dhe përgjegjësi ndaj personelit të Forcave të Armatosura, më shumë kujdes dhe maturi në përdorimin e burimeve të mbrojtjes, si dhe më shumë ekzigjencë dhe ligjshmëri në angazhimin e Forcave të Armatosura. Kur këto divergjenca mbërritën në Presidencë, në Qeveri dhe në Parlament, dikush shpiku kandidimin tim. Në të njëjtën kohë u kujtua edhe Kanadaja. Kishte ardhur koha për përdorimin e paketës tymuese toksike. Më tej erdhi Dekreti.

Duket sikur ka, një traditë shqiptare kjo, një shtysë drejt ekstremit në ligjërimin e motiveve të shkarkimit tuaj. Ka patur shkrime që kanë lajmëruar një synim të pushtetit për të marrë zgjedhjet me forcat e ushtrisë. Pak e tepruar, apo jo, sidomos në kontekstin kur ushtria është jo vetëm e Shqipërisë, por edhe e NATO-s në njëfarë mënyre?

Dekreti i Presidentit për dy lirime, për lirim nga detyra dhe lirim nga ushtria, përveç fyerjes dhe ndëshkimit të rëndë, më ka dhuruar edhe dy liri të munguara. E megjithatë, unë kam vendosur që këto liri të mos i shfrytëzoj gjatë kësaj fushate. Pra do të vijoj inercinë dhe do të mbetem vullnetarisht ushtarak edhe për disa kohë. Në respekt të këtij vendimi mundet t’i lejoj vetes vetëm konstatimin se lirimi i 30 për qind të gjeneralëve të Forcave të Armatosura është bërë në mes të fushatës elektorale, duke thyer hapur edhe Kodin Zgjedhor. Arsyet e kësaj ngutjeje dhe të këtij rrisku të lartë që autorët e vendimit kanë marrë mbi vete pikërisht tani, mundet vetëm të merren me mend. Nëse do të keqpërdoren Forcat e Armatosura në zgjedhje, unë nuk mund ta di. Ajo që unë di dhe që prej kohësh e kam kundërshtuar, është përdorimi i Forcave të Armatosura jashtë misionit të tyre në kryerje punimesh civile. Megjithatë duket se Imami nuk e ka ndërmend ta vlerësojë këtë apel.

Ju flisni për një predispozitë fetare ndaj jush, por nuk mund të mos vësh re një predispozitë fetare në krahun tuaj gjithashtu. Dy katolikë kanë reaguar për shkarkimin tuaj: Ardian Ndreca e Mark Marku. Të mos harrojmë se janë shkarkuar edhe dy gjeneralë të tjerë: Abaz Lleshi dhe Dhori Spirollari…

Unë nuk kam folur për ndonjë predispozitë fetare ndaj meje, për arsyen e thjeshtë se unë jetoj si pjesë integrale e një shoqërie ku bashkëjetojnë mrekullisht qytetarë të besimeve të ndryshme nën diellin e përbashkët të shqiptarisë së vërtetë. Unë kam privilegjin e një jete të kaluar mes miqsh të rrallë të të gjitha besimeve. Ajo që unë kam vënë në dyshim publik është koincidenca fatkeqe mes një propozimi ilegal dhe të një vendimi ilegal. U takon autorëve të shpërndajnë terrin që qëndron pas këtij vendimi. Fakti që kundër këtij vendimi kanë reaguar edhe dy katolikë duket mëse normal. Më shumë se për gjeneral Sandër Lleshin është folur për tre gjeneralët. Media e shkruar dhe ajo vizive kanë pasqyruar me dhjetëra reagime të forta nga autorë, që me sa duket nuk janë katolikë. Janë edhe disa mijëra reagime të tjera nga të gjitha anët në rrjetet sociale. Edhe në fushën e reagimeve katolikët duket se janë në pakicë.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s