Elhaida Dani Albania Veneta në Itali

Elhaida Dani

Ah, po të kisha ikur është motivi dhe brerja e një poezie të spanjollit Migel de Unamuno. Është brenga e të gjithë atyre që ëndërrojnë dhe besojnë se do të ishin bërë dikush, veç sikur të kishin ikur diku tjetër. T’u ishte dhënë shansi për t’i shpëtuar provincës, mbytëses së mundësive, pellgut të limontisë. Ikja është një horizont që nuk vdes kurrë, me sa duket.

Epo, Elhaida Dani ka ikur dhe ah, sikur të kisha ikur është një brengë, të cilën ajo më nuk mund ta ketë. Ka ikur, ka parë, ka fituar, dhe kthehet në provincën e saj me trofeun e The Voice of Italy, por edhe me një idhull të shqiptarëve, sidomos të atyre me rininë e kaluar në vitet ’80, Riccardo Cocciante-n. Elhaida kthehet me një Margerita dhe me një veni, vidi, vici.

Ajo nuk është vokali i parë shqiptar që e magjeps Perëndimin: Inva Mula, Ermonela Jaho, Saimir Pirgu apo dhe Rita Ora janë pararendës të saj. Elhaida, thjesht i bashkohet një rrethi magjepsës, sigurisht me ngjyrat, dritën dhe shijen e vet. Rasti i saj është megjithatë i tjetërllojtë. Ajo është më e reja ndër ta, por edhe më e mediatizuara, të paktën në Itali dhe Shqipëri. Mediatizimi i rrufeshëm ka ndodhur jo vetëm për atë se kush është Elhaida, por edhe se ku e paraqiste apo interpretonte veten. Është fjala për një ndryshim, për një inkursion të një kulture në një tjetër, ose me thënë më mirë, për një përputhshmëri të një kulture në një tjetër. Të shqiptares përballë italianes, të shqiptares në italianen, të shqiptares brenda italianes. E ardhur në studiot e Rai 2 nga Shkodra, një qytet që dikur ishte pjesë e një rripi gjeografik në perëndim të Shqipërisë që njihej si Albania Veneta(Shqipëria venedikase) zonjusha Dani ishte e huaja nga bregu përballë. Më shumë se një këngëtare, një konkurrente, ajo ishte një rast, një shenjë, një kulturë. Në teh të provës ishte ajo, por edhe Italia, vendi pritës. Sfidën, siç e tha edhe babai i saj në një intervistë për Panorama-n, Elhaida e kish kapur që në gjenezë. Nuk donte të fitonte, i trembej trusnisë së paragjykimeve që janë, në fakt të përhapura për shqiptarët në Itali.

Fati i ndihmoi të dy palët: të sinqertët dhe të brishtët nën shenjën e Elhaidës, por edhe të fortët, domethënë opinionin publik italian dhe elitën e tij muzikore e televizive.

Nëse juria vendoste për vajzën nga Shqipëria, por përmbysej nga verdikti i publikut, pra profesionistët nuk takoheshin me amatorët, Elhaida nuk do të ishte The Voice of Italy, por gjithsesi ajo do të mbetej The Voice. Mungesa në fitore e Elhaidës do të ishte triumfi i munguar i Italisë.

Italia, vendi që ndoshta më shumë se çdo tjetër, i ka dhënë emrin dhe formën magjepsjes artistike, nuk e humbi rastin për ta pranuar Elhaida Danin, për t’u mrekulluar prej vokalit të saj. Pa harruar modestinë e vajzës, që zakonisht nuk është atu e enfant terrible të artit.

ELHAIDA DANI MBËRRITI DJE NË TIRANË bashkë me Riccardo Cocciante-n, trajnerin e saj në The Voice of Italy. Një ditë e papërshtatshme ndoshta për rikthimin në atdhe, për faktin se një tjetër betejë internacionale kish thithur vëmendjen e opinionit publik shqiptar: ndeshja me Norvegjinë. Shqipëria e obsesuar për pak vëmendje të mirë ndërkombëtare, pasi ka zbarkuar qytetarisht dhe kulturalisht në Itali me Elhaida Danin, kërkon të jetë edhe në Brazil 2014, me Kombëtaren e futbollit verën që vjen. E renditur e 38-ta në botë, një rekord i të gjitha kohërave në rankimin futbollistik, Kombëtarja e drejtuar nga një italian, Gianni de Biazi, i ka bërë të ëndërrojnë shqiptarët. Por, nëse një ngjarje sfumon tjetrën, të dyja bashkohen në një pikë thelbësore: në ballafaqimin e shqiptarit me botën: talenti dhe puna. Ky është çelësi i kombinimit të numrave të fatit. Elhaida më shumë sesa ngashnjim e eksitim i çastit, u shërben shqiptarëve për këtë.

Ndërkohë ata janë krenuar me të. Në rrjetet sociale nirvana e zërit të saj është përcjellë me statuse të panumërta në Facebook e cicërima në Twitter. Shqiptarja tek ajo, më shumë se artistja, ka qenë sigurisht shtysa kryesore e këtij stadiumi virtual brohoritës.

Mediat kryesore të Tiranës e gjurmuan gjithashtu trajektoren ngjitëse të yllit të Elhaidës. Pati edhe njëfarë gare mes mediumeve për statusin e vendit të lindjes së artistes. Në gazeta pena të zhdërvjellëta u morën, më shumë se me Elhaidën, me fenomenin dhe sjelljen e publikut ndaj tij. Te MAPO, Çapajev Gjokutaj argumentonte se Elhaida, veç të tjerash, ishte në njëfarë mënyre zëri që përfaqësonte një frustrim të shqiptarit emigrant dhe kjo e përligjte tifon e madhe në internet. Ardian Vehbiu, në blogun e tij Peizazhe të fjalës kërkonte kujdes që këngëtarja e re të mos bëhej dikush që këndontecover-a të Whitney Houston apo Beyonce, por zëri që e fut Shqipërinë në hartën e botës, njëfarë Cezaria Evora shqiptare.

Duket se Italia është e vetmja që e ka mbyllur me triumfin e saj: Shqipërisë dhe Elhaidës u mbetet të menaxhojnë të tyrin.

Elhaida e ka dëshmuar modestinë e mjaftueshme për këtë ‘detyrë’. Por, sipas fjalëve të mentorit të saj Cocciante, edhe bazamentin mendor. “Elhaida ka fituar jo vetëm me zë por edhe me mendim”, tha dje këngëtari i njohur italian në deklaratën e parë pas mbërritjes në atdheun e protezhesë së tij. Shqipëria (në kuptimin e njësisë etno-psikike, ka vetëm një talent ose një kulturë: emocionalitetin.

Triumfi i Elhaidës, por edhe kultura e Italisë, ndoshta kësaj here na nxjerrin nga zona e nxehtë e emocioneve, megjithëse aty banojmë prej shekujsh.

 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s