Kasetat, KQZ dhe partitë hapin Zyrat e Censurës dhe Propagandës

 

free_press

Nëse kjo fushatë zgjedhore që u vjen nëpërmjet televizioneve orë pas ore, e nganjëherë edhe minutë pas minute, ju duket film i vjetër tashmë, kjo e ka një shpjegim. Televizionet kombëtarë apo lokale, nuk dërgojnë më gazetarë apo korrespondentë në mitingjet dhe takimet e partive politike, por marrin një sinjal, frekuencën e të cilit ua bëjnë me dije zyrat e PR-it të partive politike. Pra, në fushatë nuk është ‘syri i medias’ por ‘syri i partisë’. Kjo është arsyeja që kamerat, të cilat zakonisht janë të pamëshirshme me të pamësuarit me to, duket sikur ‘bëjnë dashuri’ me portretet e shqiptarëve të thjeshtë që dalin në mitingjet e Berishës apo ‘këndet e fjalës’ të Ramës. Ndoshta u kanë bërë përshtypje portrete vajzash të reja simpatike në fushatat e të dy krahëve, pleq të mbarë e të fismë a thua se kanë zbritur nga skicat e Eposit të Kreshnikëve, mesoburra që dëgjojnë me vëmendje, e gjëra të ngjashme të llojit ‘shumë të bukura për të qenë të vërteta’.

Partitë pra, janë në gjendje, që jo vetëm ta prodhojnë mesazhin, por edhe ta përcjellin atë dhe kjo përbën një problem të madh: zhduk ndërmjetësin. Ndërmjetësi në këtë rast është media, e cila nuk është më një aparat selektues dhe kritik, por thjesht një konvejer (bartës).

Një goditje tjetër e ka dhënë të hënën edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili me anë të një vendimi të ri ka mandatuar rolin e medias si apendiks dhe jo si ndërmjetës. Kështu, vendimi i KQZ parashikon dhe mbron të drejtën e partive që t’u japin televizioneve aktivitetet e tyre elektorale në kaseta të parapërgatitura. E reja është se shtabet politike fitojnë tashmë të drejtën për të kthyer në neto materialet filmike që deri dje jepeshin bruto, gjë që u lejonte redaksive të lajmeve të zgjidhnin fragmente të cilat, në gjykimin e tyre, përbënin lajm.

Me vendimin e KQZ, lajmi përfundimisht vdes për të sjellë në jetë një kafshëz të re, të cilën le ta quajmë silazh politik.

Kjo i kthen gropat mediatike të fushatës elektorale në gjinj të plotë politikë, silikonin e të cilave e siguron KQZ, (një rast i rrallë ku opozita e mazhoranca nuk janë përplasur), duke i hequr të drejtën opinionit publik për t’i gjykuar partitë, kandidatët, apo liderët edhe për të metat e tyre. Duke mbërritur në shtëpitë e shqiptarëve, përmes ekraneve, të përpunuar, politikanët dhe mesazhi i tyre ‘ngrin’. Arsyetimi kundërshtues mund të jetë: ç’rëndësi ka, kur, me sistemin proporcional, votohen sigla dhe lideri. Por kjo shijen e censurës nuk e heq gjithsesi.

Është sigurisht një guxim në liri vendimi i shtabeve politike, por edhe i komisionerëve të zgjedhjeve për t’u shndërruar në Zyra të Censurës dhe Propagandës. Politika ka marrë përsipër të bëjë lajmësin, dhe për një moment le të shkojmë me atë rregullin e vjetër dhe të artë lajmësi nuk vritet. Por edhe ndërmjetësin kërkon ta bëjë?!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s