Koço Kokëdhima, dështim i biznesit, triumf i politikës?

kokedhima

Kur gazeta Shekulli filloi të botohej në vitin 1997, askush nuk u zhvendos me një dekadë përpara për të shquar te kjo logo e re nevojën e shtypit për t’u zhvilluar nëpërmjet akteve ‘modelvrasëse’. Shekulli do të vriste gazetën Koha Jonë për t’u përcjellë vetë më vonë nga Panorama, edhe kjo duke pritur, pavarësisht krenisë së momentit, që të mbështesë kokën në pëqi të gijotinës së pamjaftueshmërisë së modelit që, si revolucioni, ha bijtë e vet. Asokohe, të gjithë u magjepsën pas redaksisë dhe mjeteve luksoze për kohën të Shekullit, logos gotike, rrogave të mira, formatit berliner që kontrastonte fort me gazetat e tjera, të cilat krahasuar me Shekullin, filluan të dukeshin të shkurtra, e të vrazhdta. Sigurisht, pjesën e vet të habisë e mori edhe emri i botuesit. Koço Kokëdhima ishte një dikush që vinte nga bota e biznesit, pa lidhje me shtypin. Bashkë me precedentë të tjerë, Shekulli hodhi në treg edhe biznesmenin botues. Kopje të zbehta ose të forta të Kokëdhimës vazhduan për një dekadë, e nuk reshtin as sot. Ai e ndau më dysh kohën e shtypit, duke filluar nga inovacioni për të kaluar te një betejë e gjatë me botuesin rival Nikollë Lesi, përplasje që shkoi deri në aulat e parlamentit. Kokëdhimës i voliste që çmimi i Shekullit të mbeste 100 lek sepse donte të futej në treg, ndërkohë që Lesit i duhej një marsh tjetër, i gjetur në stere pas spazmës së suksesit të Koha Jonë, reagim i lexuesit ndaj pozicionit të saj ekstrem antiqeveritar në kaosin e ’96-‘97.

Kokëdhima, duke gërshetuar instinktin e biznesmenit me një shije populiste (le të jetë Shekulli një gazetë për vegjëlinë) në fakt kreu një atentat kundër konkurrencës. I tillë ishte Koço Kokëdhima. Ai kish dalë nga komunizmi me nuhatje dhe shije të mjaftueshme dhe ish futur në tranzicion, një semisistem që, ashtu si fati, shpërblen më të guximshmit.

Botimi i Shekullit, dhe jo kandidimi si deputet në listën e Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, ka qenë akti i parë politik i Koço Kokëdhimës. Hyrja e pritshme në parlament është vetëm një kompensim i humbjes së Shekullit, një gazete aktualisht të rrudhur në kopje dhe impakt. Shenjë e kësaj është edhe fakti se kryeredaktor i gazetës është vetë botuesi, pa ndonjë lidhje të posaçme me gazetarinë, përveç subvencionimit të saj. Kokëdhima futet fizikisht në parlamentin e Shqipërisë, aty ku vite më parë të tjerë patën luftuar në emër të tij për ta mbajtur Shekullin në një treg të pabarabartë. Kjo, veç të tjerash, e ‘varrosi’ epokën e Nikollë Lesit si botues dhe i hapi rrugë dominimit për gati një dekadë të Shekullit në shtypin e shkruar.

Në aulat e parlamentit shqiptar, hijet e Kokëdhimës dhe Lesit do të përballen edhe njëherë si njëherë e një kohë. Njëri me Kohën e tjetri me Shekullin në mendje, do të ndeshen dërrmueshëm, siç bëjnë në mite dy personazhe që kërkojnë historinë. Qoftë edhe pa e ditur. Me instinktin e guximtarit, i cili ndërkohë që ndeshet për të sotmen, është duke jetuar të nesërmen.

TE KJO LUFTË E PASHMANGSHME PËR TË NESËRMEN mund ta gjeje Koço Kokëdhimën në fund të viteve ’90, te Vilat e Reja te “Don Bosko”. Mbyllur brenda një okre pa dritë, tri vilat e Kokëdhimës ku bënte strehë edhe ishulli i tij mediatik, gazeta Shekulli, revista Spektër dhe Radio + 2, ishin një lloj sanktuari mbrëmjesor për baronin e lodhur nga biznesi i ditës. Bareste ai me një përhumbje ndonjëher edhe të kërkuar në sheshin e vilave, kryet lart dhe kufjet e telefonit ‘Motorola’ në vesh, duke dhënë e marrë me një botë që asokohe dukej më e madhe edhe se vetë Shqipëria. Kokëdhima ishte një biznesmen par excellence me prona, shoferë, sekretare, njerëz që punonin për të, dhe sigurisht lidhje politike. Edhe më tundues e bënin profilin e tij mediat në zotërim. Ai ishte njëfarë Berlusconi i tranzicionit shqiptar. Dhe asgjë më shumë nuk i gicilonte biznesmenët shqiptarë të asaj e kësaj kohe se ky krahasim ku përzihej sex appeal-i i burrit që mundet, sepse do.

Kokëdhima, si të gjithë ata që diçka arrijnë në jetë, nuk ia lejon askujt neutralitetin. Edhe sot sikur dje janë ata që e duan dhe ata që e urrejnë. Ata që janë përkrahur apo ndihmuar prej tij hyjnë te të parët, ndërsa të tjerë që janë dërrmuar, apo qoftë dhe gazetarët e mediave të 2K që kanë patur rroga të vonuara, hyjnë te të dytët. Të mos gabohemi nga dualiteti i një bardhe-e-zie të rrejshme për të kuptuar e thënë se, janë edhe ata, sidomos në Shqipëri, që nuk e honepsin Kokëdhimën thjesht e shkurt se ai është i famshëm dhe i pasur. Është ai zemërimi i verbër për atë që ndahet nga turma dhe bëhet i zi, jo se domosdoshmërisht është i tillë, por se është atje tej ose atje lart.

Dritëhijet megjithatë janë. Një Koço në dritë dhe një Kokëdhimë në hije mund ta gjesh sa herë. Në fillim të viteve 2000, për shembull, ai haptas i ofronte mbështetje liderit të opozitës së asokohe, Berisha, pas alarmit të mikut të vet Preç Zogaj për një përpjekje të socialistëve në pushtet për ta lënë Shqipërinë pa opozitë. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, Kokëdhima ishte për rotacion: ikjen e Fatos Nanos dhe ardhjen në pushtet të Demokratëve të Berishës. Rotacion kërkon edhe tani, por në krah të kundërt: tani i ikuri duhet të jetë Berisha dhe ardhësi Rama. Sigurisht, kësaj here qëndrimi i tij nuk e ka besueshmërinë e radhë së parë. Ndryshe nga 8 vjet më parë, tani ai ka vetë mëtime politike. Të paragjykuarit nuk mund të gjykohen, megjithatë. Kokëdhima na e ka hequr këtë mundësi. Sigurisht, me çmimin e madh të një humbjeje. Biznesi ka rënë përballë politikës. Sido që të jetë, ‘rasti Kokëdhima’ nuk është ‘rasti Romney’ ose biznesmeni i suksesshëm që futet në politikë për një legacy (trashëgimi). Ky i fundit, me firmën Bain Capital blinte biznese në prag të falimentimit dhe i kthente në fitimprurëse. Kokëdhima me lëvizjen e tij, nga biznesi në politikë, po na bën me dije një fakt të dhimbshëm: politika është i vetmi biznes fitimprurës në Shqipëri.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s