Berisha & Rama, një gju më gju (i pafund) me popullin

988659_10151467251656523_1169753710_n

Henry David Thoreau kur fliste për town meetings, takimet e qytetarëve, i konsideronte ato dhe ‘verdiktin’ e dalë prej tyre, edhe më të rëndësishëm se Kongresin e Shteteve të Bashkuara. Te ky vox populi, te nevoja ose dëshira për të dëgjuar ose dhënë jehonë atij, supozohet se u mbështet edhe vendimi i politikanëve modernë amerikanë për ta marrë këtë praktikë të fshatrave apo qyteteve të New England-it në verilindje të ShBA, dhe për ta shndërruar në një prej mënyrave më përfaqësuese, për të mos thënë më efikase të komunikimit politik.

Ky mjet komunikimi i përdorur nga Bush e Kerry, McCain, Obama dhe Romney, është bërë ‘i shtëpisë’ edhe në Shqipëri; sidomos në fushatën e zgjedhjeve të 23 qershorit. Hera e parë kur termi town hall u dëgjua, por edhe u përdor praktikisht ishte në zgjedhjet vendore të majit 2011, kur Lulzim Basha filloi ta përdorte rëndom dhe me efikasitet sa detyroi rivalin e tij Rama, që pas shpërfilljes së parë për ‘Lulin e Saliut’, të futej në fushatë, të cilën eventualisht e humbi bashkë me zgjedhjet.

Ky amerikanizëm në komunikimin politik në Shqipëri mbeti, dhe tani e shohim të përdorur thuajse çdo ditë nga lideri i mazhorancës Berisha, dhe të kapur pak më vonë, ashtu si në zgjedhjet lokale, edhe nga Rama. Shefi i opozitës ka futur në punë një tjetër amerikanizëm tour bus-in politik. Nëse Shqipëria do të kishte një sistem hekurudhor për të qenë, edhe trenat do të lëshonin nëpër atdhe çu-çu-të politike, një praktikë gjithashtu e përdorur në Amerikë që në fillimet e shekullit të shkuar.

Përtej një përkufizimi të asaj se ç’është një town hall dhe pse përdoret, duhet pyetur se pse Berisha e Rama i përqafuan këto mjete të komunikimit politik. Në krye duhet thënë se ato nuk janë dhe aq të panjohura për antropologjinë e shqiptarit. Madje janë rimishërim i asaj që në veri njihen si logu i burraveapo Kuvendi, ndërsa në jug, si sheshi i fshatit. Ashtu si dikur mblidhej bashkësia për të marrë një vendim apo diskutuar një dert të përbashkët, edhe sot, pavarësisht manipulimeve të stafeve politike, komunitetet mblidhen për një hall me të parët e vendit, Berishën e Ramën. Është pak a shumë një kthim në identitet, i futur nën pajën moderne të amerikanes.

Së dyti, duhet thënë se, si Berishës ashtu edhe Ramës, u ka dalë në shteg ky rast. Ka njëfarë padurimi te të dy ata me elitat e Tiranës: të dalë pikërisht prej andej, dy shefat politikë janë trysnuar vazhdimisht nga lufta brenda llojit. Më herët, kur kreu i opozitës pat ndërmarrë turinpërtej të majtës e të djathtësduke bredhur Shqipërisë, i ndeshur me njëfarë snobimi (qesëndie) të elitave të Tiranës, u kujtoi jetën e tyre që fillonte e mbaronte në Bulevard. Të njëjtën gjë, disa herë, e ka bërë edhe shefi i mazhorancës. Së fundmi, Berisha ka përfituar nga rasti për të kryer një hakmarrje, njëkohësisht të hollë e bërtitëse, ndaj komentatorëve politikë të Tiranës, kërkesat e të cilëve për një ballafaqim i ka shpërfillur. Berisha prej muajsh nuk viziton asnjë studio televizive, nuk jep intervistë për asnjë gazetë, ndërkohë që takohet disa herë në javë me korrespondentët e rretheve.

Ka vend sigurisht në antropologjinë politike për të kujtuar edhe një kohë që shtrihet ndërmjet logut të burrave dhe town hall-eve: takimet e udhëheqësit komunist të llojit gju më gju me popullin. Më shumë se kaq, përtej çdo diversioni, personalizimi i takimeve është dëshmi e asaj se politika është lokale. Se politikanit modern i duhet të mendojë globalisht, por të veprojë lokalisht. Mbetet sigurisht detyrë e një diskutimi tjetër fakti se udhëheqësit tanë bëhen lokalë një herë në katër vjet.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s