Ilir meta, Playboy (politik) i trojeve tona

Meta-Naco-ne-Berat

Kur në mitingun e Beratit, një qark të cilin LSI e konsideron si mekën e saj, njëfarë zone operative e çliruar e para, Nasip Naço i kumtoi turmës se po u paraqiste kryeministrin e ardhshëm të Shqipërisë, Ilir Meta e rrotulloi kokën si një luledielli e mbarsur me fara dhe e kënaqur me mbërritjen e diellit. Kishte në atë lëvizje koke njëfarë shendi që të shkakton një hile e vogël ose një gudulisje e madhe e llojit: siç toka rrotullohet rreth diellit, ashtu dhe karrigia e kryeministrit rreth meje. Në këtë gjithësi heliocentrike rrotullohet edhe Shqipëria metocentrike, besojnë në sektin e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Ndërkohë në Tiranë zhvillohej Konventa e Partisë Socialiste të Shqipërisë, formacionit që udhëheq Aleancën për Shqipërinë Europiane, ku bën pjesë edhe LSI. Para se të ngjitej në Berat, edhe Meta ishte shfaqur në skenën e purpurt të Konventës bashkë me Ramën dhe krerët e tjerë të partive të koalicionit. Në një rresht që zgjatej nga një krah i skenës në tjetrin, Ilir Meta nuk ishte më shumë se një emër mes shokësh. Lideri i PS, i gjatë dhe imponues, filloi t’i nxirrte me gisht nga rreshti aleatët e vegjël për t’u dhënë fjalën në Koncertin për Ramë dhe Orkestër. Meta, pak pas Ramës në rresht, përvijonte në portret një siklet të lehtë që i lexohej te sytë e hapur pak më shumë se normalisht.

Meta nuk mund ta kalonte këtë shkujdesje të Ramës, e tillë në rastin më të mirë, pa një shkundje puplash, një kujtesë për palloin e çmuar të koalicionit, të kuqen e fitores në të purpurtën e pasigurt të Partisë Socialiste. Kështu, sedërprekur, ai u kthye në zonën  e vet operative, dhe ndoshta me një nënqeshje si ajo e fiksuar nga kamerat pas kumtit të Nasip Naços, i kërkoi lejtnantëve të tij të hapnin konkursin për kryeministër në radhët e koalicionit të majtë.

Ishte një shaka në llojin e një të vjetre, ngjasimin e së cilës ia kish përplasur dikur në fytyrë ish-shefi i tij në PS, Fatos Nano. Mjeshtri i qesëndive publike e të holla, Nano në fillim të viteve 2000, në cilësinë e kryetarit të partisë fituese të zgjedhjeve pat shpallur një konkurs për vendin e kryeministrit, duke u kërkuar kandidatëve të sillnin cv-të në zyrën e tij. Meta, kokulur qe shfaqur në oborrin e PS si aplikant për një vend pune. Erdh’ radha e presë për t’u bërë agresori, për të përdorur pikërisht një ironi të repertorit të Nanos kundër, kujt tjetër veç atij që vetë ish-kryeministri e kish promovuar në PS. Kjo nanoiadë që shtrihej mbi fatin e së majtës si ajo era e zotave që pengonte dikur anijet greke të linin Aulidën, po u luante një rreng të dy lejtnantëve të dikurshëm të Fatosit të parë në PS. Me lejtnantë, e zgjidhën nyjën edhe Meta e Rama.

I pari me Nasip Naçon, i cili e shpalli kryeministër nga Berati, dhe i dyti me të gjithë ata që morën fjalën atë pasdite në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ku zhvillohej Konventa Kombëtare e partisë më të madhe të opozitës, e cila në rast fitoreje të së majtës, nuk kish pse ta ndante me askënd karrigen e shefit të qeverisë. Megjithatë, një duzinë burrash e grash i mbyllën fjalimet e tyre, që edhe ashtu nuk dallonin nga njëri-tjetri, me thuajse parullën “Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.”

Por Ilir Meta i di mirë punët e veta, për të cituar një pasazh të Artur Zhejit. Një qeveritar i kthyer në opozitar dy muaj para zgjedhjeve të radhës, pasi kishte shërbyer pothuajse gjatë gjithë mandatit të dytë të mazhorancës si targeti i preferuar i opozitës socialiste, Meta filloi ta marketonte lëvizjen e tij si interes të opinionit publik, siç pati bërë edhe pas aleancës së pagjasë me Berishën në vitin 2009. Atëherë shpalli se futej në një koalicion joideologjik me kundërshtarin e vet, të cilin qe përbetuar ta rrëzonte, për hir të integrimit europian të Shqipërisë. Katër vjet më vonë, kur integrimi është kapur në rrjetën e tri ligjeve, Meta kaloi në anën e partisë, sipas tij penguese të integrimit, duke shpallur sërish se e bënte për hir, të Integrimit.

I palodhur nga pushteti, pushteti lodh vetëm ata që nuk e kanë thoshte, Andreoti, Ilir Meta ka gjasë të bëhet një përhershmëri e pushtetit, një politikan që është aty pavarësisht se cili krah i fiton zgjedhjet; një xhuvel i glorifikuar që ambientalizmin dhe agrikulturën e zëvendëson me integrimin, në të gjitha rastet kopertura për tundimin eternal të pushtetit.

Tundim të cilit i shtohet edhe gudulisja në sedër prej epitetit të ri, që bujarisht i mveshin të gjithë: mbretëpërcaktuesiKing maker-i i trojeve tona. Ilir Meta në lojën e fortë për pushtet, nxemjen e së cilës mund ta ketë nisur si një hakmarrje të vogël e qesëndi të madhe nga Berati, ku lejoi ose cyti ta shpallnin kryeministër, mundet që, në epsh e sipër, ta marrë seriozisht gjithë çka në fillim e nisi si mahi. Të kërkojë të jetë kryeministër i Shqipërisë.

Ka ekzistuar gjithmonë, në të gjitha kohët e anembanë oborreve përvëlimi i mëkëmbësit për t’u bërë mbreti. Edhe Metës mund t’i bjerë ngushtë stolia ekingmaker-it e të kërkojë të bëhet the King. Në këtë rast, ai do ta shndërrojë falangën e tij të deputetëve nga pakicë zhbllokuese në bllokuese, duke kushtëzuar formimin e qeverisë së re me postin e kryeministrit për vete.

Më mirë të mbajmë Berishën, u shpreh Skënder Gjinushi, një prej aleatëve të koalicionit të majtë, i pyetur rreth idesë ‘Ilir Meta kryeministër’.

Një përgjigje ndaj “Ilir meta, Playboy (politik) i trojeve tona

  1. Pingback: Duke kërkuar Shqipërinë time |·

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s