Daullet e shiut në konventën e PS-së

trommel

Konventa e djeshme kombëtare e Partisë Socialiste ra në një humnerë, ku për hir të së vërtetës, gjërat që bën Edi Rama bien rrallë ose kurrë: atë të mungesës së estetikës. Për të cituar një ‘estet’ tjetër në radhët dje të munduara për estetikë të socialistëve, Artan Lamen, konventa e djeshme ishte një ‘amerikanizëm me brekushe Kavaje’. Daullet e shiut, sipas Kadaresë, binin si dikur para portave të Krujës për të shoqëruar, sa e pagjasë kjo, emra zanoret e të cilëve zgjateshin mundimshëm, por mbyteshin nga prania e bashkëtingëlloreve për të krijuar efektin e çmimeve Grammy apo Oscar. Ose, për një asosacion pak më lokal Dancing with the stars, varianti i të cilit vjen shtatoreve edhe në Shqipëri.

Emrat e një pjese të mirë të të ftuarve në skenë, jo për faj të atyre që kanë këta emra sigurisht, tingëllojnë qesharakë kur zgjaten e stërzgjaten me qëllim krijimin e një emfaze elektorale. Kur u shton edhe një dëngëdëng daullesh, e gjitha kthehet në një teatër alternativ që për një event politik është pak si shumë.

Këto dy elementë, daullet dhe emrat e thirrur hollivudshëm, ndeshen jo vetëm me veshin por edhe ngjyrën e cila u krijon sfondin. E purpurta që kundërshtarët politikë të Ramës kanë zgjedhur ta quajnë mavia. E purpurta, një zgjedhje personale e Edi Ramës, është më pak se sa thërret në logun e burrave apo në sheshin e betejës, daullja. I rri shkurt së gjithës kur dihet që harmonia kjo është në fund të fundit: bashkëjetesë moskërcitëse e elementëve. Për përputhshmërinë e emrave të thirrur në stilin sa-të-hajë-gabzherri me ngjyrën në fjalë nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Stili i thirrjes dhe ngjyra nuk stonojnë në raport me njëri-tjetrin, por emrat e bërtitur prishin punë, ama. Veshi i mësuar me Russell, Rihana, Nicole, apo Katy, e ka të vështirë të ëmbëlsohet me ta zëmë Baftjar, Gramoz e të tjerë.

Ky sigurisht është një vështrim estetik, quaje sipërfaqësor, i asaj që dukej dje në konventën e Partisë Socialiste. Por i tillë ka qenë kryesisht komunikimi i z. Rama në këtë fushatë, estetik dhe i formës, më shumë se i përmbajtjes. Nëse do të kërkohej një kalim edhe te përmbajtja e asaj që socialistët kanë shpalosur dje, mund të thuhet shpejt e shpejt se nuk kishte shumë.

Nervi i fjalimeve ishte i mpirë nga ankimtaria e madhe për Sali Berishë sundimtarin. “Ne gratë e Shqipërisë jemi të dhunuara”, tha një prej kandidateve të Vlorës, ‘por pas 23 qershorit do të çlirohemi”. Krijimtari letrare pa politikë, e llojit pas erës së re, domethënë. Për të përdorur një prej frazave të parlatorëve të djeshëm në konventë, Spartak Ngjelës: nuk më ke thënë asgjë.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s